Rreth 45 për qind e popullatës në Kosovë edhe më tej jetojnë në varfëri, ndërsa 15 për qind prej tyre, në varfëri të skajshme. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ekspertë të çështjeve të ekonomike shprehin mendime të ndryshme për të dalë nga kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale.
Edhe dhjetë vjet pas luftës, kosovarët vazhdojnë të përballen me varfëri të madhe, gjë që e dëshmojnë edhe statistikat e institucioneve vendore e ndërkombëtare, të cilat e radhisin Kosovës me shkallën më të lartë të varfërisë në rajon.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se për ta kaluar këtë, Kosovës i duhet një angazhim më serioz. Ndërsa, zyrtarë të institucioneve thonë se në vazhdimësi janë duke punuar për zbutjen e varfërisë përmes strategjive për punësim të qëndrueshëm.
Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gagjiqi, thotë se dokumenti strategjik për punësim të qëndrueshëm, është një dokument, i cili ka mundësuar zbutjen e papunësisë në Kosovë.
“Ky është një projekt, i cili do të zhvillohet në faza. Kemi veprimet që janë paraparë se si do të realizohen dhe në bazë të kësaj, mund të shikohet se çfarë punësimi mund të arrihet gjatë një periudhe trevjeçare, sa edhe zgjat projekti”, thotë Gagjiqi duke shtuar se ministria në vazhdimësi ka projekte për zbutjen e varfërisë, duke përfshirë këtu edhe punësimin sezonal.
Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se pasojat e kësaj gjendjeje të rëndë ekonomike dhe sociale do të jenë të mëdha, nëse varfëria vazhdon të ketë përmasat që ka aktualisht.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërgjaliu, thekson se si tejet problematike paraqitet fakti që nuk ka trend të rënies së shkallës së varfërisë.
“Kosova nuk është e varfër, popullata e Kosovës është e varfër. Derisa strukturat udhëheqëse nuk do t’i prekë varfëria, me siguri që një avaz i tillë do të vazhdojë edhe më tutje. Por, llogarinë më të shtrenjtë do ta paguajë masa e gjerë, e cila nuk është e involvuar në këto procese korruptive”, shprehet Gërgjaliu.
Sidoqoftë shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë konsiderohet të jetë si pasojë e shumë faktorëve, pasi që Kosova ka qenë vendi më i pazhvilluar në ish-Jugosllavi, pastaj dëmet e shumta gjatë luftës së vitit 1999, mungesa e kapaciteteve, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe njerëzor, mungesa e politikave për t’i adresuar çështjet sociale, etj.
Megjithatë, Gërgjaliu shpreh mendimin se me një punë efikase të institucioneve të Kosovës, qytetarët nuk do të ballafaqoheshin me këtë gjendje të rëndë.
“Për një periudhë shumë të shkurtër, sikur të kishim një qeveri të ndërgjegjshme, që flet dhe punon për shtet, e jo që flet për shtet dhe punon për interesa të ngushta, do të mund të tejkalohej gjendja. Përndryshe, kjo kohë do të zgjasë edhe më shumë. Fati dhe ardhmëria e popullatës së Kosovës është në duart tona”, shprehet Gërgjaliu.
Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë gjatë këtij viti mund të thuhet se shifrat e familjeve në asistencë sociale janë zvogëluar për një përqindje të vogël.
Drejtori i Departamentit të Mirëqenies Sociale, Muhamet Gjocaj, thotë se pavarësisht kushteve të vështira sociale, gjatë këtij viti po vërehet një përmirësim i vogël i kushteve elementare të qytetarëve.
“Mund të thuhet se ka pasur përmirësim, për shkak se numri i familjeve në asistencë sociale është në rënie. Qeveria e Kosovës me programet e saj ka ndikuar që nga viti 2009 të këtë rritje të ndihmave sociale dhe të gjitha skemave sociale që janë në Kosovë”, shpjegon Gjocaj.
Ndryshe, sipas statistikave të Bankës Botërore, rreth 45 për qind e popullsisë kosovare është e varfër, pasi që ka më pak se 43 euro në muaj për anëtar të familjes.
Sipas këtyre të dhënave, rreth 15 për qind e popullsisë jeton në varfëri të skajshme, pasi që ata e kanë të vështirë t’i plotësojnë nevojat e tyre themelore për ushqim.