Protesta kundër opozitës

Shkupi

Në Maqedoni janë aktuale protestat kundër opozitës. Përderisa pushteti mohon se është organizator i tyre, LSDM-ja është e sigurt se ato organizohen nga partia qeveritare, VMRO-DPMNE. Ndërkaq, ekspertët thonë se ky lloj protestash është metodë që përdoret në sistemet totalitare.

Lidhja Socialdemokrate e opozitës vlerëson se pas protestave të organizatës së quajtur “Viktimat e tranzicionit”, qëndron partia në pushtet VMRO-DPMNE, por nga partia qeveritare mohojnë çfarëdo lidhshmërie me protestat anti-opozitare.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Socialdemokrate, Andrej Petrov, thotë se në asnjë vend tjetër pushteti nuk organizon protesta kundër opozitës.

“Me siguri se përvojën e kanë marrë nga Sllobodan Millosheviqi, ose nga disa zhvillime që ndodhin në disa sisteme jodemokratike ose totalitare, në të cilat pakënaqësia e plotë që ekziston nga pushteti, barazohet me gjoja pakënaqësinë nga opozita”
, thotë Petrov.

Por, VMRO-DPMNE-ja, përmes një prononcimi për opinionin, shkurtimisht është përgjigjur se partia e tyre nuk ka lidhshmëri me “Viktimat e tranzicionit”.

Analisti politik, Xhelal Neziri, vlerëson se protestat kundër LSDM-së janë absurde, sepse për të gjitha zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike, përgjegjëse është Qeveria.

“Nuk ka ndodhur në historinë e pluralizmit në Maqedoni që të ketë protesta para selisë së opozitës, pasi opozita nuk ka pushtet për të vendosur, për të përmirësuar, apo përkeqësuar, jetën e qytetarëve”
.

“Këto protesta, më tepër janë në funksion të propagandës së organizuar nga makineria propaganduese e kryeministrit Nikolla Gruevski, sesa një shprehje e sinqertë e revoltës së një grupi të caktuar të qytetarëve që paraqiten si viktima të tranzicionit”,
vlerëson Neziri.

Ndërsa, eksperti i çështjeve politike, Gjorgji Spasov, është decid se protestimi kundër opozitës është karakteristikë e shteteve jodemokratike.

”Kjo është një metodë e parë në shtetet jodemokratike, me anë të së cilës porositet opozita se i ka të bllokuara kanalet institucionale të ndikimit të opozitës, por edhe nëse tenton që ta shfrytëzojë rrugën për të protestuar, do të largohet nga rruga”
, sqaron Spasov.

Pjesëmarrësit në protestat kundër opozitës kanë mohuar se janë të porositur nga pushteti për ta kundërshtuar LSDM-në e opozitës dhe liderin e saj, Branko Cërvenkovski.