Bashkimi Demokratik për Integrim përmes nënkryetares së partisë, Teuta Arifi, ka kërkuar angazhim më të madh të faktorit politik shqiptar për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ndërsa, Demokracia e Re kërkoi që kjo çështje të tejkalohet dhe u bëri thirrje partive qeveritare të dalin me propozim konkret për emrin. Ditëve të fundit një gazetë greke publikoi se propozimi i fundit amerikan për emrin është “Republika e Maqedonisë Veriore”.
Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi, ka deklaruar se partitë politike shqiptare duhet të kenë qasje konstruktive në gjetjen e zgjidhjes së kontestit rreth emrit me Greqinë dhe duhet të ndikojë në shpejtimin e këtij procesi.
Arifi ka thënë se politikanët shqiptarë duhet ta inkurajojnë elitën politike maqedonase që këtë çështje të mos e përdorë për qëllime politike.
“Mendoj se politikat shqiptare sigurisht mund të jenë më të hapura për propozime të kësaj natyre. Mirëpo, gjithmonë duke kërkuar që me të njëjtin konstruktivitet të sillen edhe elitat politike maqedonase ndaj kësaj çështjeje, duke pasur parasysh faktin se koha nuk punon për Maqedoninë. Kurse, për vonimin e mëtutjeshëm, që ndodh intensivisht qe 9 muaj me radhë, çmimin më të lartë do ta paguajë Maqedonia, në këtë rast të gjithë qytetarët, qofshin ato maqedonas qofshin shqiptarë”, ka thënë Arifi.
Nënkryetarja e Demokracisë së Re, Flora Kadriu, është shprehur se koalicioni qeveritar duhet të dalë me propozim konkret sa i përket zgjidhjes së kësaj çështjeje.
“Ne konsiderojmë se pikërisht mazhoranca parlamentare dhe qeveritare, VMRO-DPMNE dhe BDI, duhet ta bëjnë dhe ta ofrojnë këtë zgjidhje”.
“Por, fatkeqësisht, nuk shohim se kjo mazhorancë qeveritare VMRO-DPMNE dhe BDI, ka vullnet politik që të bëjë zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit dhe të mundësojë integrim sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike”.
“Sa i përket shtesës gjeografike të emrit të Maqedonisë, ne shumë herë kemi dëshmuar në diskutimet tona se e përkrahim një zgjidhje të këtillë”, ka theksuar Kadriu.
Mirëpo, ministri i Jashtëm, Anotnio Milloshovski nuk e ka komentuar takimin midis kryeministrit grek, Georgios Papandreu, dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, por ka theksuar se Evropa interesohet për kontestin dypalësh midis Maqedonisë dhe Greqisë.
“Në Kordobë, në takimin ministror që e organizoi presidenca spanjolle komisionari Fyle më njoftoi se është i interesuar për realizimin e kontakteve me zotin Metju Nimic dhe ne s’kemi asgjë kundër”.
“Mendoj se informimi plotësues i anëtarëve të Komisionit Evropian se Greqia e përdor kontestin dypalësh duke penguar integrimin evropian të Maqedonisë, është në interes të vendit”, ka thënë Milloshovski.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i jashtëm grek, Drukas, ka mohuar të kishte propozim amerikan për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi gazeta greke “To Vima” publikoi se ky propozim është “Republika e Maqedonisë Veriore”.