Mungesa e njohjes nga pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e pengon Kosovën në rrugën e integrimit të saj në BE, thonë përfaqësues të institucioneve në Kosovë. Mirëpo, ekspertët për integrime në BE thonë se përmbushja e kritereve teknike, si mundësi e ofruar nga vetë Brukseli zyrtar, nuk po shfrytëzohet si duhet nga autoritetet në Kosovë.
Në kohën kur Bashkimi Evropian po thekson kërkesën për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, vetë BE-ja vazhdon të ballafaqohet me mungesën e konsensusit politik për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe, rrjedhimisht, mungesën e marrëdhënieve kontraktuale me vendin.
Mirëpo, autoritetet në Kosovë thonë se, me gjithë ekzistimin e problemeve që ka BE-ja, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare, është arritur, siç thuhet, një konsensus në heshtje në radhët e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, për të avancuar Kosovën në rrugën e integrimeve.
Kryeshefi i Agjencisë për Koordinime të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, shpjegon:
“Ekzistojnë probleme. Është evidente, sepse sa i përket politikës së jashtme, dhe ne jemi në kuadër të politikës së jashtme dhe zgjerimit, kërkohet një unitet i plotë sa i përket Bashkimit Evropian. Por, sa u përket shenjave që kemi nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ne jemi shumë optimistë se të gjitha problemet do të tejkalohen me kohë”.
Cana thekson se përmbushja e kritereve teknike për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk duhet të pengohet nga problemi politik që Prishtina zyrtare ka me Brukselin, sa u përket 5 shteteve që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Neve na duhet të punojmë në shtëpi, t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, t’i përmbushim kriteret teknike; sa i përket procesit politik, të mos e konsumojmë kohën kot, sepse përmbushja e kritereve teknike nga ana e Kosovës, do të ndikojë që edhe pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, të kenë një qasje shumë më konstruktive, edhe pse deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem shumë të madh”, thotë Cana.
Njohësit e procesit të integrimeve evropiane në Prishtinë thonë se një shembull, i cili dëshmon problemet që i shkaktohen Kosovës nga mungesa e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian si tërësi, është procesi i liberalizimit të vizave.
Eksperti për integrime në BE, Shenoll Muharremi, thotë se procesi i riatdhesimit që i është vënë kusht Kosovës për këtë proces, është komplikuar për shkak të mungesës së njohjes nga i tërë Unioni.
Ai thotë se Kosova nuk ka strategji për lobimin në pesë shtetet që nuk e kanë njohur atë, sa i përket çështjes së njohjes.
“Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për shembull, marrëveshjen për riatdhesim e kanë negociuar direkt me Komisionin Evropian, ku Komisioni ka negociuar në emër të shteteve anëtare, ndërsa Kosova është duke e bërë individualisht. Pra, patjetër që ka pengesa”.
“Në anën tjetër, lirisht mund të them se e kemi absolutisht të panjohur se çfarë po bëjnë, do të thotë nuk ka kurrfarë transparence, nuk ka kurrfarë plani, kurrfarë strategjie, kurrfarë fokusi”, thekson Muharremi.
Sidoqoftë, Muharremi thotë se Kosova nuk po i shfrytëzon mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian, i cili me Studimin për Kosovën, të publikuar vitin e shkuar, i ka dhënë një mundësi Kosovës për të avancuar në procesin e integrimeve.
Andaj, ai thekson nevojën për më shumë përkushtim për kryerjen e obligimeve që dalin nga ai studim, meqë, siç thotë ai, nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në publikimin e raportit të radhës.
“Edhe pse ka disa progrese, ndoshta të limituara, Kosova nuk e ka trajtuar seriozisht këtë mundësi dhe nuk është duke ndërmarrë reformat e nevojshme, të cilat faktikisht mundësojnë që më shumë të përfitojë nga ky proces”, thotë Muharremi.