Kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, i ka ofruar Kosovës mbështetjen e plotë të shtetit belg në rrugën e integrimit të saj në BE. Mozaiku i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, sipas tij, nuk mund të kompletohet pa Kosovën.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk kompletohet pa Kosovën. E ardhmja e Kosovës është një e ardhme në kuadër të Bashkimit Evropian, deklaroi gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme.
Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë dhe tha se Belgjika, si udhëheqëse e radhës e presidencës së Bashkimit Evropian, do ta mbështesë Kosovën në tejkalimin e pengesave lidhur me integrimin e saj në BE.
Pas një takimi që zhvilloi me homologun e tij kosovar, kreu i ekzekutivit belg e vlerësoi si pozitive idenë e Qeverisë së Kosovës për themelimin e një ministrie për integrime evropiane.
“Fakti që jeni duke menduar për një ministri të marrëdhënieve evropiane, është një zgjedhje e mirë. Integrimi evropian i Kosovës është shumë i rëndësishëm për Belgjikën”.
“Mendoj se Bashkësia Evropiane duhet të kapë shansin historik për të sjellë stabilitetin në këtë pjesë të rajonit ballkanik. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i tij nuk mund të kompletohen pa Kosovën”, u shpreh Leterme, i cili theksoi përkushtimin e Belgjikës në çështjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga vendet që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, sipas tij, është e rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe, në lidhje me këtë, ai tha se është e domosdoshme përmbushja e kritereve teknike nga Prishtina zyrtare.
Në fund të vitit të shkuar, Bashkimi Evropian kishte hequr regjimin e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ndërkaq, në javët e fundit, disa shtete anëtare të këtij mekanizmi ishin ballafaquar me një fluks të emigrantëve nga shteti serb e ai maqedonas, të cilët përdornin liberalizimin e vizave për të kërkuar azil politik.
Leterme tha se nga përvoja që Brukseli zyrtar ka pasur me Serbinë dhe Maqedoninë pas heqjes së regjimit të vizave, ka ngritur shqetësime edhe për vendet e tjera që synojnë të hyjnë në procesin e liberalizimit të vizave.
Ai tha se ua ka bërë me dije kryeministrave të këtyre dy shteteve se nuk do t’u jepet azil politik qytetarëve të tyre, gjë për të cilën, siç bëri të ditur, është diskutuar dhe në takimin me kryeministrin Thaçi.
“Kjo na bën të kemi shumë shqetësime për liberalizimin e vizave për shtetet tjera. Në një të ardhme, ky do të jetë rasti edhe për Kosovën dhe ne i mbështesim aspiratat e Kosovës në këtë fushë”.
“Ne, si Belgjikë, i kemi kërkuar kryeministrit Thaçi që të jetë i vetëdijshëm për nevojën e një bashkëpunimi të mirë ndërmjet dy shteteve, për të parandaluar atë që ndodhi para disa javësh me fluksin e papritur të të ashtuquajturve azilkërkues politikë, të zonave rurale të Serbisë dhe Maqedonisë”, theksoi Leterme.
Në kuadër të agjendës së takimit me kryeministrin Hashim Thaçi figuronte dhe çështja e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Shefat e qeverive të të dyja vendeve nënshkruan një marrëveshje për mbrojtjen dhe promovimin reciprok të investimeve. Kryeministri Thaçi u bëri thirrje investitorëve belgë që t’i alokojnë mjetet e tyre në projekte të caktuara në Kosovë.
“Në Kosovë është krijuar një klimë e mirë për investime, për biznesin, por edhe mundësi të reja të gjithanshme”, tha Thaçi.
Sfidat ekonomike të Kosovës ishin temë diskutimi edhe në takimin që kryeministri belg zhvilloi me presidentin e Kosovës, Famir Sejdiu, me të cilin bisedoi po ashtu lidhur me integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.