Analistë të çështjeve ekonomike në Prishtinë sugjerojnë autoritetet kosovare që, për të nxitur zhvillimin ekonomik, duhet të përkrahin sektorin privat, të bëjnë investim të fuqishëm dhe subvencionim substancial në sektorin e bujqësisë, si dhe të ngrenë kualitetin edukativ arsimor. Sipas tyre, pa investimin e Qeverisë së Kosovës në këto fusha, nuk pritet të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik.
Kosova, e cila ka kaluar në tranzicione të trefishta, në nivel ekonomik, në nivel shoqëror dhe në nivel të konfliktit, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, duhet të punojë shumë gjatë këtyre viteve, që të ketë zhvillim ekonomik.
Një përmirësim i gjendjes aktuale, sipas tyre, mund të bëhet nëse do të aktivizohen disa nga sektorët ekonomikë prodhues.
Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, konsideron se qasja e Qeverisë së Kosovës për të investuar vetëm në infrastrukturë rrugore, është e gabuar.
“Nuk është qasje, e cila do të krijojë mirëqenie dhe kontinuitet të zhvillimit ekonomik. Është koha kur duhet të përkrahet sektori privat, duhet të përkrahen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të forcohet sektori prodhues, të stimulohet bujqësia dhe përpunimi i produkteve bujqësore, të ngrihet kualiteti edukativ në Kosovë dhe në këtë mënyrë pritet të jemi atraktivë për investitorët”, thotë Gërxhaliu.
Në anën tjetër, autoritetet kosovare vazhdimisht kanë deklaruar se u kanë dhënë përparësi projekteve që ndihmojnë në rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike, siç janë: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, bujqësia, zhvillimi i sektorit privat dhe fusha të tjera, që ndikojnë në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme.
Por, për ekspertin e çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, këto nuk qëndrojnë.
“Nëse do të jemi të orientuar vetëm në rrugë dhe ato rrugë të ndërtohen nga kompani inekzistente dhe të investohet në KEK me miliona përmes tenderëve njëburimorë dhe prapë të prodhohet terri, atëherë është një rrugë e gabuar, që Kosovën do të shpie në humnerë dhe jo në progrese”, thotë ai.
Ndërkaq, sipas ekspertit tjetër të ekonomisë, Avdullah Hoti, autoritetet kosovare duhet të krijojnë strategji adekuate për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Ai shpreh bindjen se investimi në sektorët që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit, do të përmirësonte edhe jetën e qytetarëve.
“Ajo që i duhet Kosovës, është që të koncentrohemi në ata sektorë, që do të gjenerojnë më shumë punësim, për të zvogëluar numrin e të papunëve dhe për të zvogëluar varfërinë, e cila është çdo herë në rritje”, thotë Hoti.
Ndërsa, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se duhet të aktivizohen potencialet në energji, në miniera e në bujqësi. Sipas tij, këta tre sektorë duhet sa më shumë të reformohen, në mënyrë që në Kosovë të krijohen kushte, të cilat do të bëjnë që niveli i varfërisë të jetë më i vogël.
“Nëse mendojmë ta zbusim varfërinë, duhet të mendojmë në punësim. Punësim vetanak vështirë se mund të bëjmë. Kosova ende duhet të marrë masa për lehtësimin e politikave fiskale dhe zhvillimin e makroekonomisë”, thekson Tahiri.
Ndryshe, planifikimi për vitin 2010 për shpenzime kapitale kap shumën prej 400.5 milionë eurosh apo 35 për qind të shpenzimeve primare.
Ndër projektet më të rëndësishme që do të definojnë vitin 2010, janë: fillimi i ndërtimit të autostradës Vërmicë - Prizren - Prishtinë - Merdarë, zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugëve magjistrale, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, futja e kapitalit privat në PTK, fillimi i punimeve për termocentralin “Kosova e Re”, aftësimi i minierës së re të Sibovcit etj.