Orientimet drejt BE-së dhe NATO-s


Republika e Kosovës do të jetë e integruar në Bashkimin Evropian dhe e anëtarësuar në NATO, thanë sot presidenti dhe kryeministri i Kosovës.

Këto komente ata i bënë në kuadër të fillimit të manifestimit tradicional ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, që organizohet në përvjetorin e rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe sakrificës së familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova ka hyrë tashmë në vitin e tretë të pavarësisë së saj dhe se gjatë kësaj kohe, ajo është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e fqinjësisë së parë dhe ajo dëshiron që marrëdhënie të mira të ketë edhe me Serbinë, tha Sejdiu.

“Marrëdhënie të tilla, ne dëshirojmë të kemi edhe me Republikën e Serbisë, e cila, për fat të keq, ende nuk po mund të lirohet nga logjika e vjetër e hegjemonisë ndaj të tjerëve, si ambicie të saj. Sido që të jetë, dora jonë për miqësi dhe bashkëpunim të sinqertë në mes dy shteteve sovrane, për të mirën e popujve tanë, mbetet e zgjatur”
, theksoi presidenti Sejdiu.

“Kosova është vend evropian, andaj logjikshëm synon që sa më parë të jetë edhe de jure pjesë e institucioneve të Evropës, siç janë: Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm”, tha Sejdiu.

“Kosova në NATO nënkupton sigurimin e paqes së qëndrueshme, jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë këtë pjesë të Evropës Juglindore”, u shpreh presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se të rënët për lirinë e Kosovës e donin vendin në gjirin e familjes evropiane dhe të botës demokratike. Ai u zotua se institucionet e këtij vendi do ta ndjekin rrugën që e shpie Kosovën në sendërtimin e kësaj ëndrre.

“Kosova ka hyrë në vitin e njëmbëdhjetë të lirisë, në vitin e tretë të pavarësisë, gjithnjë e sigurt dhe e vendosur për të qenë pjesë e botës euroatlantike; pjesë e botës, për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditët e sotme. Çdo vit që kalon, i thellon themelet e lirisë së Kosovës, rrit dhe zgjeron perspektivën euroatlantike të saj”
, tha Thaçi.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi thanë se Kosova, 12 vjet më parë, ka përjetuar njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj të re, duke e vlerësuar sakrificën e familjes Jashari si aktin më sublimues të të gjitha përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.