(S’)ka transparencë në financat e partive politike

Kuvendi i Kosovës

Mungesa e Ligjit për financimin e partive politike në Kosovë u mundëson subjekteve politike që t’i shmangen publikimit të burimeve financiare dhe qarkullimit të tyre në këto subjekte, u tha në një debat në Prishtinë.


Në Kosovë ekzistojnë dhjetëra parti politike. Vetëm në zgjedhjet e fundit lokale morën pjesë mbi 70 subjekte politike, përfshirë iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur.

Përveç temave shpeshherë të diskutuara në lidhje me profilizimin e këtyre partive, ende vazhdon të mbetet problematike çështja e financimit të tyre.

Mungesa e Ligjit për financimin e partive politike thuhet se po shkakton edhe mungesën e transparencës së këtyre subjekteve në çështjet që lidhen me financat e tyre.

Në një debat, në të cilin temë qendrore ishte transparenca e financimit të partive politike, u theksua nevoja për krijimin e një mekanizmi të pavarur, që do të merrej me këtë çështje.

Auditori i përgjithshëm në Kosovë, Lars Lage Olofson, tha se institucioni që ai drejton, mund të kontrollojë vetëm qarkullimin e të ardhurave, që partitë marrin nga buxheti i Kosovës.

“Është në interesin e partive politike, është në interesin e qytetarëve që të ketë një linjë të qartë të përgjegjësisë demokratike. Ato gjithashtu duhet të jenë të përgjegjshme karshi shtetit, kur bëhet fjalë për të ardhurat që marrin”.


“Kjo natyrisht se duhet rregulluar dhe do të duhej të ekzistonte një mekanizëm i mirë që do të merrej më këtë çështje”
, u shpreh Olofson.

Sipas projektligjit për financimin e partive politike, i cili që nga tetori i vitit të kaluar është në fazën e shqyrtimit, shuma e mjeteve buxhetore dedikuar Fondit për mbështetjen e partive politike, nuk mund të kalojë më shumë se 1% të buxhetit të Kosovës.

Edhe pse në projektligj theksohet nevoja për paraqitjen e raporteve financiare të partive politike, sipas anëtarit të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duhet të kërkohet edhe deklarimi i buxhetit të tërësishëm të partive.

“Nëse nuk mund të bëjmë auditimin nga auditori gjeneral për partitë politike, atëherë partitë politike, të cilat, edhe pse nuk janë institucione publike ‘per se’, mund t’i detyrojmë me ligj që të kenë buxhet, ta bëjnë publik atë buxhet dhe të tregojnë se çka kanë në plan për të shpenzuar”.

“Ju e dini me siguri se kur bëhet publik buxheti, nuk bëhen publike vetëm të hollat që kanë për t’u shpenzuar, por edhe prej nga vijnë”
, tha Gjini.

Publikimi i raporteve financiare të partive politike, sipas përfaqësuesit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ngrit përgjegjësinë e tyre në lidhje me prejardhjen e parasë që qarkullon në këto subjekte.

Makolli vlerësoi se, përmes këtij hapi, do të qartësohej lidhja ndërmjet financimit të partive dhe procesit të tenderimit pas ardhjes së atyre partive në pushtet.

“Po qe se e shihni se cilat kompani kanë përfituar prej tenderëve të ministrive të caktuara, atëherë e shihni më së miri rrethin në mes të partive politike dhe kompanive, të cilat kanë përkrahur dhe financuar fushatën zgjedhore”
, u shpreh Makolli.

Ndonëse nuk ka përfunduar në tërësi procesi për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, në debat u ngrit dhe çështja e përcaktimit të afateve për publikimin e raporteve financiare për fushatën elektorale, gjë që ende nuk është bërë nga asnjë subjekt politik që vepron në vend.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadergjonaj, tha:

“Duhet të caktohen afate se kur duhet dorëzuar raportet dhe është më se e domosdoshme të caktohen këto afate. Mendoj se afati përfundimtar i dorëzimit të raporteve do të jetë diku 31 marsi i vitit vijues për vitin e kaluar, në mënyrë që raportimi vërtet të jetë me kohë dhe në nivel”.