Pritjet nga jetësimi i strategjisë

Mitrovicë

Në rast të zbatimit të strategjisë për veriun, Prishtina parasheh shtimin e masave të strukturave paralele serbe, ndërsa zyrtarë të Serbisë thonë se nuk do të reagojnë fare ndaj një dokumenti, që, sipas tyre, ka pak gjasa të zbatohet.


Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë thonë se nuk e kanë ndërmend të ndërmarrin asnjë veprim kundërshtues ndaj jetësimit të strategjisë për shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës.

Fakti që misioni i NATO-s në Kosovë dhe ai i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit kanë refuzuar ta identifikojnë veten me dokumentin e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës, sipas tyre, dëshmon për mungesën e disponimit në zbatimin e planit në fjalë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se nuk do të ketë nevojë për kurrfarë veprimi.

“Qeveria e Serbisë dhe serbët lokalë nuk kanë nevojë të ndërmarrin ndonjë gjë. Ajo strategji nuk mund të aplikohet, nuk ka disponim për diçka të tillë, nuk ekziston ndonjëri që dëshiron që ajo të aplikohet në veri”.

“Shihet qartë se nga ajo strategji po distancohet Bashkimi Evropian, po distancohet KFOR-i dhe EULEX-i. Me kë atëherë do ta zbatojnë shqiptarët strategjinë në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe si të vetmin autoritet e sheh Qeverinë e Republikës së Serbisë?
”, thotë Ivanoviq.

Ndërkaq, analistët për çështje politike e vlerësojnë tërësisht ndryshe situatën aktuale dhe veprimet e ardhshme të serbëve të veriut të Kosovës karshi zbatimit të dokumentit për veriun.

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Ilir Deda, shpreh bindjen se në mars, atëherë kur parashihet të nisë zbatimi i strategjisë për veriun, do të vërehen veprime shtesë të strukturave paralele serbe në veri kundër jetësimit të strategjisë - veprime këto që, sipas tij, kanë nisur tashmë.

“Ato vetëm se kanë filluar me aktivitetet e tyre, duke i kërcënuar për shembull pjesëtarët serbë të ekipit përgatitor komunal në veri të Mitrovicës. Serbia do të bëjë çmos që përmes këtyre strukturave, zbatimi i kësaj strategjie të dështojë, duke marrë parasysh synimin final të Serbisë, e që është ndarja e Kosovës në lumin Ibër”, shprehet Deda.

Ditë më parë, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës paralajmëruan intensifikimin e veprimeve të strukturave paralele karshi strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës në kundërshtim ndaj, siç thuhet, tentimeve për imponim me presion dhe dhunë të institucioneve të huaja dhe shtetit të huaj.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, nuk hedh poshtë mundësinë që në kohën e nisjes së zbatimit të strategjisë, të lindin probleme të shkaktuara nga, siç thotë ai, grupet ekstremiste në veri.

“Masa e madhe e qytetarëve nuk do të revoltojë, por do ta përqafojë strategjinë. Kurse, nga grupet ekstremiste, sigurisht se është e mundur që të ketë reaksione të tilla, por, definitivisht, neve as nuk na shqetësojnë ato grupe, e as nuk dëshirojmë të merremi me ta”, deklaron Kastrati.

Veriu i Kosovës nuk mund të mbetet steril nga sundimi i ligjit, theksojnë përfaqësues të Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se shtimi i numrit të pjesëtarëve të policisë në pjesën veriore të Kosovës, veprim ky që pritet të ndodhë në kuadër të zbatimit të strategjisë për veriun, nuk duhet të shihet si kërcënim nga qytetarët e asaj pjese.

“Ne nuk dëshirojmë ta lëmë atë vend steril nga zbatimi i ligjit. Sigurisht se ky është obligim i policisë dhe asnjëri nga qytetarët, përfshirë komunitetin serb, nuk duhet ta shohë policinë si një kërcënim për sigurinë e tyre”, thotë ai.

Rajoni i Mitrovicës në tërësi thuhet se numëron mbi 900 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, mbi 300 prej të cilëve janë të stacionuar në katër stacionet policore në veri të Kosovës.

Edhe pse kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në realizimin e strategjisë në terren, trupat e NATO-s dhe pjesëtarë të EULEX-it vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe në veri.