Aksionet e Fondit të Trustit Pensional të Kosovës kanë shënuar rënie për 1.03 për qind. Sipas zyrtarëve të Trustit, rënia e vlerës së aksioneve në muajin janar ka shkaktuar humbje prej 3.6 milionë eurosh. Kjo rënie vjen pas një performance të mirë që ka pasur ky fond gjatë vitit 2009.
Performanca e suksesshme e Fondit të Kursimeve Pensionale në vitin 2009 nuk ka dhënë indikacione se mund të vazhdojë me ritme të njëjta edhe në vitin vijues.
Megjithatë, gjendja e tanishme është më e mirë se në fillim të vitit të kaluar, kur një vlerë e aksionit ishte 0.813 euro, konsiderojnë zyrtarë të Trustit të Kursimeve Pensionale.
Drejtori i menaxhmentit të Trustit Pensional të Kosovës, Ardian Zalli, konfirmon se në muajin janar ka pasur kthim negativ të mjeteve.
“Në vitin 2010 janë paraqitur disa probleme në tregjet financiare. Trusti ka pasur një kthim negativ në muajin janar, diku rreth 1 për qind. Tani do të shohim se si do të shkojë edhe muaji shkurt”, thotë Zalli.
Fondi i Kursimeve Pensionale e pati mbyllur vitin 2009 me gjithsejtë 14.10 për qind kthim pozitiv në investime, si dhe me ngritje të numrit të kontribuuesve. Sipas të dhënave të Trustit, 46.3 milionë euro është kthimi i investimeve prej fillimit të 2009-ës.
“Nga informatat që ne i kemi, tregjet do të vazhdojnë të performojnë në një mënyrë jo shumë të mirë në vitin 2010, duke marrë parasysh atë se çfarë është duke ndodhur në botë, në veçanti problemet, si pagesa e borxheve të Greqisë... probleme ka edhe Spanja, Portugalia etj.”.
“Nëse këto vende do të kenë probleme dhe nëse inflacioni do të jetë problem, atëherë ngritja nuk do të jetë edhe aq e madhe”, thekson Zalli.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë muaj Fondi ka performuar mirë. Në janar të vitit të kaluar janë shënuar humbje prej 8.5 milionë eurosh, ndërsa në janar të këtij viti 3.5 milionë euro.
Që nga themelimi e deri më tani, Fondi ka vlerë prej 11 milionë eurosh më pak, në krahasim me vlerën investuese.
Kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, Besim Beqaj, shfaq shpresën se trendi pozitiv i kthimit të investimeve, që ka karakterizuar vitin e kaluar, të vazhdojë edhe gjatë këtij viti.
“Perforimimi dhe pritjet për vitin 2010 janë që tregjet financiare në botë të stabilizohen. Trusti ka një sasi të madhe të mjeteve, të cilat janë të investuara jashtë tregut të Kosovës dhe të cilat do të kenë ngritje”, thotë Beqaj.
Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kritikuar politikat investive të Trustit, për shkak se, siç kanë thënë ata, mjetet e plasuara në institucionet financiare ndërkombëtare, përveç se kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik, kanë krijuar një imazh të keq për sistemin bankar në Kosovë.
Alban Zogaj, nga Instituti “Riinvest”, thotë se bordi i Trustit të Kursimeve Pensionale duhet të jetë shumë i kujdesshëm në investimet e tij.
“Nëse beneficionet janë më të mëdha se kostot e tërheqjes, atëherë tërheqja e këtyre fondeve nga ato investime është plotësisht e arsyeshme. Nëse beneficonet nuk janë sa janë kostot, atëherë tërheqja nuk është e arsyeshme”, shprehet Zogaj.
Trusti i Kursimeve Pensionale aktualisht menaxhon mbi 370 milionë euro me mbi 300 mijë kontribuues. Ndërkohë, ajo çfarë mbetet sfidë për këtë institucion, është rregullimi i bazës ligjore. Ligji mbi letrat në vlerë, i cili është në fazën fillestare, deri më tani ka pamundësuar investimin e një pjese të mjeteve të Trustit në tregun kosovar.