Problemet në sundimin e ligjit

Mungesa e komunikimit dhe koordinimit në mes të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit mbetet një nga sfidat e theksuara në sundimin e ligjit në Kosovë, i cili mbetet sfera më e dobët e qeverisjes, thuhet në studimin e fundit të Institutit KIPRED.


Një hulumtim i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) vë në pah se sundimi i ligjit mbetet sfera më e dobët e qeverisjes në Kosovë dhe një prej sfidave kryesore për konsolidimin e plotë të shtetësisë së vendit.

Ndonëse në listën e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës për këtë vit tashmë figuron sundimi i ligjit, njëra ndër problematikat në këtë drejtim mbetet, siç thuhet, “trekëndëshi i brishtë” i komunikimit në mes të Policisë së Kosovës, prokurorisë publike dhe gjykatave.

Drejtori për hulumtime në KIPRED, Krenar Gashi, sqaron pasojat e mungesës së një komunikimi të tillë.

“Nëse tri institucionet kyçe të sundimit të ligjit - policia, prokuroria publike dhe gjykatat, nuk komunikojnë në mes vete, është e pamundshme që ta koordinojnë punën në mes tyre. Nëse nuk ka komunikim, nuk ka koordinim të punës së tyre. Nëse nuk ka koordinim në punën e tyre, nuk ka rezultate”
, thotë Gashi.

Ai thekson se mungesa e një baze të përbashkët e të dhënave ndërmjet këtyre tri institucioneve, vështirëson punën e tyre. Zbrazëtirat, siç thuhet, në funksionimin e këtij trekëndëshi ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në hetimet penale, procedurat paragjyqësore, ato gjyqësore dhe në vendimet mbi veprat penale në Kosovë.

Një çështje tjetër, e cila, sipas hulumtimit, ndikon në efikasitetin e punës së policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, është mungesa e një mekanizmi të kontrollit të komunikimit dhe punës që bëhet nga të tria institucionet.

Përveç kësaj, sfidave për sundimin e ligjit, sipas raportit, u shtohet edhe mungesa e gjyqtarëve dhe e prokurorëve në Kosovë.

Drejtoresha për kërkime speciale në KIPRED, Ariana Qosaj - Mustafa, thotë se, krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka 4-7 fish më pak prokurorë e gjyqtarë. Ajo thekson nevojën e krijimit të një strategjie për sundimin e ligjit nga ekzekutivi kosovar dhe misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit.

Ky dokument, sipas Qosaj - Mustafajt, do të duhej të përfshinte dhe plane për financimin e punonjësve të drejtësisë.

“Bordi këshillues ndërmjet EULEX-it dhe qeverisë do të duhej të hartonte një strategji afatgjate për sundimin e ligjit në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe një plan të veprimit”.

“Në kuadër të kësaj, është një pikë shumë e domosdoshme, që të përfshihet një plan i detajuar për burimet përkatëse njerëzore dhe financiare, që të adresohen nevojat e sistemit gjyqësor në Kosovë”
, thotë ajo.

Rekomandimet e KIPRED-it për përmirësimin e problemeve në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë iu drejtuan Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme, pastaj Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si institucion përgjegjës për menaxhimin e drejtësisë në vend.

Krenar Gashi jep një pasqyrë të rekomandimeve drejtuar këtij mekanizmi:

“Ne kemi rekomanduar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në bashkëpunim me gjyqësinë, të ndërtojë një bazë të shënimeve të përbashkëta. Kemi rekomanduar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, të ndërtojë një platformë komunikimi që duhet të shfrytëzohet nga policia, prokurorët dhe gjyqtarët”.

“Kemi rekomanduar po ashtu që rastet e dyshuara të korrupsionit dhe të keqmenaxhimit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, të ndiqen nga prokuroria speciale e Kosovës
”, deklaron Gashi.