Pavarësisht moskthimit të doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, të njohura si Pika 1 dhe 31, përfaqësues të misionit EULEX dhe të Doganave të Kosovës, thonë se janë shënuar suksese të mëdha në luftimin e kontrabandës. Sipas tyre, është arritur të zvogëlohet kontrabanda deri në 60 për qind.
Kthimi i doganierëve kosovarë në Pikat kufitare 1 dhe 31, të cilat u dogjën nga serbët dy vjet më parë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk mund të bëhet pa marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
Përfaqësues të Doganave të EULEX-it thonë se si mision teknik nuk është në duart e tyre të vendosin për rikthimin e doganierëve kosovarë në ato pika.
Në lidhje me këtë temë, zëdhënësja e doganave të EULEX-it, Aleksandra George, thotë:
“Fatkeqësisht, kjo është një çështje politike dhe ne jemi një mision tërësisht teknik. Para se të mund të ndodhë një gjë e tillë, nevojitet një marrëveshje në kuadër të ligjit të aplikueshëm në këto pika dhe kjo nuk i takon misionit tonë. As çështja e shpërndarjes së të ardhurave nuk mund të vendoset nga EULEX-i”.
Djegia nga serbët e pikave kufitare në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, të njohura si Pikat 1 dhe 31, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kishte larguar doganierët kosovarë.
Pas djegies së këtyre pikave, sipas vlerësimeve, i ishte hapur rruga zhvillimit të kontrabandës.
Që nga shkurti i vitit 2009, në këto pika kufitare janë doganierët e EULEX-it, ata të cilët regjistrojnë mallrat që hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.
George bën të ditur se deri më tani, doganierët e EULEX-it kanë arritur të reduktojnë kontrabandën për rreth 60 për qind.
“Ne filluam regjistrimin e automjeteve komerciale dhe të mallrave të tyre në muajin shkurt. Më 20 maj ne filluam fotokopjimin e dokumenteve dhe ne kishim më shumë kontroll administrativ, që do të thotë se ishim në gjendje ta zvogëlojmë kontrabandën në këto dy pika”.
“Sot, vlerësojmë se kemi reduktuar kontrabandën për rreth 60 për qind, si rezultat i këtyre masave administrative, të cilat i kanë ndërmarrë doganierët e EULEX-it në Pikat 1 dhe 31”, thotë George.
Treguesi më i qartë që dëshmon zvogëlimin e kontrabandës në Kosovë, sipas përfaqësuesve të Doganave të Kosovës, është rritja e mbledhjes së të hyrave.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, thotë se në vitin 2008, nga Pikat kufitare 1 dhe 31 janë mbledhur 38 milionë euro, ndërsa në vitin 2009, janë mbledhur rreth 54 milionë euro.
“Që nga djegia e këtyre pikave doganore, ende nuk e kemi kthyer kontrollin në ato pika, megjithatë kemi kthyer kontrollin mbi importet që bëhen përmes atyre pikave”, thekson Stavileci.
Ndërsa, sa i përket kthimit të doganierëve në këto dy pika, Stavileci thekson se çështja e kthimit të tyre është çështje e një procesi më të gjerë, që involvon disa faktorë të ndryshëm.
“Ne e kemi rregulluar infrastrukturën, kemi instaluar kamerat dhe tani pritet vetëm kthimi ynë atje”, thotë Stavileci.
Megjithatë, ai nuk jep ndonjë datë të përafërt se kur do të kenë mundësi doganierët kosovarë të kthehen sërish në pikat 1 dhe 31.