Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, vlerësojnë se në Kosovë po përmbushen standardet për kujdesin ndaj viktimave të trafikimit. Sipas tyre, institucionet vendore në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, kanë shënuar suksese të vazhdueshme në rehabilitimin e viktimave dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë thonë se janë bërë përparime në ofrimin e kujdesit për viktimat, porse ka mbetur ende punë për t’u bërë.
Sipas tyre, rehabilitimi dhe integrimi i viktimave të trafikimit, ende mbetet një ndër sfidat kryesore të institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje.
Këto komente u bënë gjatë publikimit të dokumentit “Standardet minimale për kujdesin ndaj viktimave të trafikimit në Kosovë”.
Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është që të sigurohet se të gjitha shërbimet për viktimat e trafikimit në Republikën e Kosovës janë të unifikuara, në mënyrë që të gjitha viktimat të marrin shërbime kualitative dhe efikase.
Drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë, Jose Garzon, thotë se USAID-i është i kënaqur që programi për mbrojtjen e trafikimit të njerëzve që zbatohet nga IOM-i, është finalizuar, edhe pse ka qenë punë e vështirë.
“USAID-i do të vazhdojë t’i ndihmojë përpjekjet e Kosovës në tri mënyra: E para, do të ndihmojë uljen e trafikimit me qenie njerëzore; e dyta, do të ndihmojë në identifikimin e personave, që rrezikojnë të trafikohen; dhe e treta, do të ndihmojë për rehabilitimin e viktimave dhe për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare”, thotë Garzon.
Ndërsa, përfaqësuesi i Departamentit për asistencë të viktimave të trafikimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Basri Kastrati, sqaron se Kosova tashmë ka strategjinë e duhur për të trajtuar trafikimin me qenie njerëzore.
“Ne ofrojmë mbrojtje të drejtpërdrejtë për të gjitha kategoritë e viktimave të trafikimit, duke përfshirë edhe strehimin që kemi në kuadër të ministrisë”.
“Mendoj se deri më tani standardet po plotësohen dhe infrastruktura ligjore është e mjaftueshme, por derisa të stabilizohet gjyqësori, do të kemi edhe hapa shumë më të suksesshëm”, sqaron Kastrati.
Kastrati thekson se viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore vazhdimisht do t’iu ofrohet akomodimi, siguria, përkrahja psiko-sociale, edukimi, trajnimet dhe kurset profesionale, si dhe ndihma ligjore.
Ndërkaq, shefi i IOM-it, Jorge Vaughan, thotë se do të vazhdojnë të ofrojnë shërbime teknike dhe financiare për viktimat e trafikimit.
“Cilat janë standardet minimale për t'i ndihmuar viktimat?! Kjo është një sfidë e madhe. Duhet të mendojmë nëse po bëjmë minimumin, apo cili është maksimumi”.
“Duhet marrë parasysh se cili është maksimumi që mund të bëjmë për viktimat. Viktimat s’është se kanë zgjedhur të jenë të tilla, por janë rezultat i situatës ekonomike dhe të sigurisë”, shprehet Vaughan.
Ndryshe, numri në rritje i rasteve të trafikuara është potencuar së fundi edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian, i cili thekson nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, thotë se janë të vetëdijshëm me gjendjen aktuale në këtë segment, ndërsa, sipas tij, Qeveria e Kosovës, po angazhohet që të punojë në drejtim të përmirësimit të kësaj situate
“Ministria e Punëve të Brendshme synon që, si pjesë përbërëse e Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, të jetë jo vetëm parandalimi, por edhe mbrojtja e tyre”, thotë Xhelili.