Haradinaj: “Strategjisë i duhet plani operacional”

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së

“Duhet të jetë i konkretizuar në veprime, në afate kohore, dhe identifikimin e akterëve që do t’i zbatojnë veprimet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, si do t’i vlerësonit dy vitet e para të pavarësisë së Kosovës?

RAMUSH HARADINAJ
Dy vite, në të cilat e arritura e parë dhe më e madhe ishte vetë vendimi për të qenë shtet, zbatimi i obligimeve të dala nga Pakoja e Ahtisarit, një pjesë e të cilave kanë qenë me rëndësi dhe me nevojë menjëherë.

Mirëpo, edhe vite të ngecjeve të Kosovës në planin e brendshëm, në planin qeverisës, por edhe në planin e jashtëm, pozicionimin e Kosovës ose anëtarësimin e Kosovës në organizatat me rëndësi ndërkombëtare.

Bindja ime është se ka mundur të bëhet shumë më shumë në Kosovë dhe ka mundur të bëhet shumë më shumë për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët ngecjet. Ju keni qenë një prej zërave më kritikë në raport me qeverisjen e vendit. Cili ka qenë roli juaj si opozitë?

RAMUSH HARADINAJ
Ne kemi konstatuar se po bëhet përpjekje të instalohet një logjikë qeverisëse e kontrollit, deri edhe e frikës në vend, për t’i mohuar të gjithë zërat ose akterët në shoqëri dhe të drejtën përfundimtare, ose të themi ashtu, funksionet e qeverisjes për t’i kthyer në funksione kontrolli.

Besojmë se, si aleancë, ia kemi mundësuar dhe kemi kontribuar që kjo të mos ndodhë. Kemi mundësuar të kemi një zë opozitar konstruktiv, por edhe të hapur dhe të sinqertë ndaj qytetarëve, ndaj Qeverisë dhe ndaj mekanizmave tjerë.

Dua të them se kemi arritur, deri në një shkallë, t’i kryejmë funksionet tona si opozitë në dobi të qytetarëve tjerë dhe në dobi të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është një vlerësim i përgjithshëm se integrimi i veriut vazhdon të jetë sfidë jo e lehtë. Kohët e fundit është diskutuar shumë për një strategji që mëton përmbushjen e këtij synimi. Ju si e vlerësoni këtë?

RAMUSH HARADINAJ
Ne e kemi mirëpritur këtë strategji. Në fakt, ne kemi kërkuar një plan për veriun dy vite me radhë. Më vjen keq që një plan i këtillë nuk ka buruar nga Prishtina zyrtare me kohë, plan për të cilin do të ishim konsultuar me të gjithë akterët relevantë dhe do të kishim marrë edhe ndihmën.

Bëhet fjalë pas dy vite kohë të pavarësisë, pas një dëmi të madh të shkaktuar në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm me gjendjen në veri, e cila në drejtime të caktuara, në sfera të caktuara, ka shkuar në degradim.

Tani ne duhet t’u japim ndihmën tonë si Prishtinë zyrtare, si Kosovë, mekanizmave ndërkombëtarë në një plan që buron nga ta.

Pra, nuk është ky rendi i planifikimit, i marrjes së vendimeve dhe i zbatimit të punëve me rëndësi për vendin siç është veriu; ishte dashur të ishte krejt ndryshe.

Megjithatë, unë mendoj se nga strategjia për veriun mund t’u sjellim disa dobi interesave të Kosovës dhe integrimit të veriut në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë vështirësitë që shihni në jetësimin e kësaj strategjie?

RAMUSH HARADINAJ
Kryesisht, ajo sfida e parë për strategjinë është depërtimi i strategjisë tek akterët, te të gjithë ata që janë të involvuar, kanë rol dhe kanë funksione të drejtpërdrejta në zbatim, dhe tek qytetarët e veriut.

Sipas bindjes sime, për strategjinë është i nevojshëm një plan zbatues operacional, i konkretizuar në veprime, në afate kohore dhe në identifikimin e akterëve që do t’i zbatojnë veprimet për të cilat folëm.

Jemi në dijeni se disa nga shërbimet, sikurse shërbimi energjisë elektrike, ta zëmë, shërbimet e Postë-Telekomunikacionit, shërbimet e ujit dhe shërbime tjera atje, janë në agresion nga Serbia, nga shërbimet e Serbisë.

Të gjitha këto veprime sot janë kompetencë e Kosovës, e institucioneve të vendit dhe si akterë vendimmarrës për këto shërbime është pikërisht Qeveria e vendit.

Kur kalojmë në plane tjera që lidhen me sigurinë, me sistemin doganor, me gjykatat, me rendin publik, atëherë vijnë në shprehje shumë më shumë funksionet e EULEX-it, të mekanizmave ndërkombëtarë dhe funksioni i KFOR-it në veri.

Pikërisht për këtë mendoj se vështirësi do të jenë zbatimi, marrja e përgjegjësive në bazë të funksioneve të akterëve veç e veç dhe një koordinim i mirë i këtyre akterëve në zbatim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, të flasim pak për skenën e brendshme politike. Keni kërkuar koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas jush, pse do të duhej LDK-ja të hiqte dorë nga një koalicion me një parti të madhe për t’iu bashkuar juve?

RAMUSH HARADINAJ
Ne i kemi kërkuar, i kemi propozuar LDK-së një marrëveshje politike, e cila, të them, në vija të trasha, parasheh disa momente. Si moment i parë është ndërprerja e qeverisjes së tashme, me argumentin se po i shkaktohen humbje vendit dhe qytetarëve; me argumentin se dinamikat nuk janë të duhura dhe me argumentin se në këtë mënyrë dhe në rast se vazhdojnë kështu, po e dobësojnë Kosovën në planin e brendshëm dhe në atë të jashtëm.

Si argument tjetër, ose moment tjetër që do të krijohej nga kjo marrëveshje politike, do të ishte shpallja e zgjedhjeve dhe ftesë për qytetarët e vendit, për forcat politike, për akterët në Kosovë, që të besojnë në zgjedhje fer dhe zgjedhje korrekte.

Momenti tjetër që pason është ndërtimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet që do ta kishin legjitimitetin e duhur dhe mundësinë për t’i dhënë Kosovës drejtim, nënkupton të adoptojë për Kosovën, ose Kosova të fillojë të funksionojë në agjenda serioze, siç është agjenda e aftësimit për anëtarësim në BE, për anëtarësim në NATO.

Në planin e brendshëm - zbatimi me sukses i një plani për rritje ekonomike, ose një oferte për qytetarët e vendit, në përgjithësi, për investitorët vendorë, por edhe për akterët, ose investitorët ndërkombëtarë ekonomikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni marrë përgjigje nga LDK-ja?

RAMUSH HARADINAJ
Jemi në një periudhë kur do të ndodhin konsulta rreth kësaj marrëveshjeje politike. Ky është një vizion; realisht, përmban në vete shumë elemente, ka shumëçka për t’u negociuar, për t’u trajtuar dhe për t’u shpjeguar.

Gjatë konsultave do të provojmë të shpjegojmë se gjithçka që bëhet, do të bëhet për interesin e qytetarëve, për interesin e vendit dhe në dobi të vendit.

Dhe, forcat politike pjesëmarrëse në këtë projekt, i cili është me rëndësi jetike për vendin, do t’i bëjnë një shërbim të mirë vendit dhe qytetarëve, por do të mundësojnë, po them, kthimin e Kosovës në agjendat zhvillimore.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni kërkuar zgjedhje të parakohshme, gjë e cila është kundërshtuar nga koalicioni qeverisës. Megjithatë, a nuk mendoni se do të ishte e mundimshme për Kosovën të hyjë edhe në një periudhë zgjedhjesh, duke pasur parasysh faktin se ende nuk ka dalë, siç duhet nga periudha e zgjedhjeve të pushtetit lokal?

RAMUSH HARADINAJ
Shumë njerëz që e analizojnë Kosovën, thonë që Kosova nuk e ka luksin. E fundit është t’i fshehësh vështirësitë. Kosova nuk mund t’i fshehë të gjitha vështirësitë që ka. Kosova mund të kalojë në një etapë zhvillimore, në rast se përballet me vështirësitë që ka.

Do të thotë, Kosova ka vështirësi në funksionimin institucional të brendshëm; janë marrëdhënie jo të duhura në raportet e partnerëve të koalicionit qeverisës.

Ka shumë sfida tjera të brendshme që e bëjnë qeverisjen të vështirë, por edhe të dëmshme, humbëse për vendin. Prandaj, ne mendojmë se mbajtja e zgjedhjeve është dalje nga gjendja e tashme në interes të qytetarëve të vendit, në interes të proceseve për Kosovën, në planin e brendshëm dhe në planin e jashtëm.

Për këtë arsye kërkojmë mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit. Është i mundur një kalendar zgjedhor, që zgjedhjet të planifikohen dhe të shpallen në qershor për t’u mbajtur në vjeshtën e këtij viti.

Pra, kjo është agjenda jonë, në rast se ne i propozojmë Kosovës, qytetarëve të vendit një plan vjetor, për ne, plani më real dhe më i duhur do të ishte shpallja e zgjedhjeve në qershor, për t’u mbajtur në fund të këtij viti, në mënyrë që para vitit që vjen, të fillojmë me institucione funksionale, me plane zhvillimore dhe me agjenda serioze për Kosovën.