Feith: “Strukturat paralele duhet të zhbëhen”

Pieter Feith

“Në veri, ato mund të zëvendësohen me ndërlidhje të privilegjuara midis Beogradit dhe popullatës në veri, për të siguruar ruajtjen e mënyrës tradicionale të të jetuarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Feith, në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës, cilat janë, sipas jush, arritjet dhe sfidat njëkohësisht, përballë shtetit më të ri në botë?

PIETER FEITH

Mendoj se kemi parë përparim të mirë, në themelimin e institucioneve në Kosovë dhe prandaj, si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICR) tani jam mandatuar nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar të lëvizim nga ndërtimi i institucioneve te mbikëqyrja e funksionimit të tyre.

Ne e shohim këtë si shenjë pozitive, sepse nënkupton një hap përpara. Qeveria do të jetë ajo që do të çojë përpara programet që ka për synim dhe që i ka diskutuar me Kuvendin, duke u përqendruar në prioritetet, mbi të cilat jemi pajtuar bashkërisht.

Pra, për të përmirësuar qeverisjen, me synim që në fund të këtij viti të kemi një Raport më të mirë të Progresit. Dhe natyrisht, edhe për t’u marrë me veriun.

Megjithatë, e shoh rolin e ICR-së duke u zbehur gradualisht, edhe pse do ta kem autoritetin që më është dhënë në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës, nëse është e nevojshme, edhe në kuptimin korrektues.

RADIO EVROPA E LIRË
Si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, sa mendoni se Kosova ka nevojë për këtë zyrë?

PIETER FEITH

Mendoj se për këtë, gjithashtu duhet t’i pyesni njerëzit, të pyesni Qeverinë, por ne nuk e shohim mandatin tonë këtu si të pakufishëm. Shpresoj të jemi në gjendje që ta zvogëlojmë edhe më tej praninë tonë këtu!

Mendoj se e gjithë kjo është kryesisht e ndërlidhur edhe me atë që thashë më herët për Raportin e Progresit. Nëse arrijmë të sigurojmë reputacion më të mirë, imazh më të mirë për Kosovën, në mënyrë që ekonomia të zgjerohet dhe të tërheqim investime, atëherë mendoj se ky proces do të përshpejtohet.

Natyrisht, ne llogarisim në përkushtimin e autoriteteve në zbatimin e Planit të Ahtisarit, ndonëse për këtë nuk jam i shqetësuar.

Shpresoj se në vitet e ardhshme, do të shohim edhe më shumë përparime dhe zvogëlim të Zyrës Civile.

RADIO EVROPA E LIRË
A është Kosova në binarë të duhur, kur flasim për zbatimin e Planit të Ahtisarit? A shihni ndonjë sfidë?

PIETER FEITH
Jo. Shoh përparim të madh. Ne synojmë përmbushjen e plotë, veçanërisht të procesit të decentralizimit dhe këtu, gjithashtu, e kam fjalën për jetësimin e këtij procesi nga komunat dhe kryetarët e komunave.

Prandaj, është e rëndësishme që transferimi i përgjegjësive te komunat e sapoformuara, të zbatohet me lehtësi dhe që kryetarët e komunave të jenë bashkëpunues, me udhëzimet që jepen nga Qeveria qendrore.

RADIO EVROPA E LIRË
Decentralizimi shihet si një nga mjetet kryesore për ta bindur komunitetin serb që të përfshihet në institucionet e Kosovës. A jeni të kënaqur me arritjet?

PIETER FEITH
Pa dyshim që po, në jug të lumit Ibër. Por, siç e dini, ne gjithashtu synojmë të përparojmë në veri dhe prandaj e kemi hartuar atë që ne e quajmë qasje gjithëpërfshirëse, e cila gëzon mbështetjen e Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Nuk është dokument, mbi të cilin është pajtuar Bashkimi Evropian, por mendoj se është e ndershme të thuhet se ua kam shpjeguar përmbajtjen e kësaj qasjeje vendeve anëtare të BE-së dhe kam zbuluar se ka interesim pozitiv në zhvillimin e hapave të mëtejshëm në Bashkimin Evropian për të ecur përpara në veri, paralelisht me qasjen që e kemi hartuar me Qeverinë.

Shpresojmë që bashkërisht me Qeverinë, EULEX-in dhe Komisionin Evropian, të përfitojmë qasje më të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë vështirësish shihni në zbatimin e kësaj qasjeje, duke pasur parasysh se është thënë se nuk do të shfrytëzohet forca dhe nuk ka një afat për jetësimin e saj?

PIETER FEITH

Mendoj se e shohim pranimin lokal si kërkesën kryesore për zbatimin e kësaj qasjeje dhe arritjen e përparimeve. Pra, e gjitha ka të bëjë me të pranuarit nga ana e popullatës lokale.

Ne po ofrojmë shërbime publike për qytetarët në veri të Kosovës, do të donim të zgjeronim edhe segmente ndryshme të Bashkimit Evropian dhe i takon popullatës vendore të vendosë nëse dëshiron të pranojë një gjë të këtillë, ashtu siç është bërë në komunat në jug.

Qartazi, është i domosdoshëm edhe sforcimi i rendit dhe ligjit dhe shpresojmë që, në kushte të përshtatshme, të mund të lëvizim drejt organizimit të zgjedhjeve në veriun e Mitrovicës dhe të zgjerojmë qeverisjen dhe lidhjet me komunat tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, popullata vendore në veri të Kosovës, ka qenë “kokëfortë” në rezistencën nga çdo institucion, për të cilin ata thonë se promovon pavarësinë e Kosovës. A llogarisni edhe në përfshirjen e Beogradit kur flasim për zbatimin e qasjes gjithëpërfshirëse?

PIETER FEITH

Siç e kam thënë edhe më parë, ne do të donim të konsultoheshim me Beogradin në hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë me veriun dhe jam i sigurt se konsultime të këtilla do të ketë edhe nga ana e Beogradit.

Si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, më duhet të them se ne kemi parimin se strukturat paralele në Kosovë, të cilat vazhdojnë të mbështeten nga Beogradi, duhet të zhbëhen.

Në veri, ato mund të zëvendësohen me ndërlidhje të privilegjuara midis Beogradit dhe popullatës në veri të Kosovës, për t’i siguruar qytetarët serbë se mund ta ruajnë mënyrën tradicionale të të jetuarit, se mund të pranojnë burime për të mbështetur edukimin dhe shëndetësinë.

Kësisoj, edhe ne mund të shfrytëzojmë më së miri të ardhurat doganore, të cilat duhet të qarkullojnë sërish. Por, e gjithë kjo, duhet të jetë e bazuar në parimin e transparencës dhe llogaridhënies. Mendoj se vetëm mbi këto baza mund të kemi përmirësim të kushteve jetësore, për qytetarët e veriut të Kosovës.