Zanier: OKB trajton rrafshin e kompensimit për 10 shkurtin

Protesta e Lëvizjes "Vetëvendosje", Prishtinë 10 shkurt 2007

Shefi i UNMIK-ut, në Kosovë, Lamberto Zanier, i tha se organizata që përfaqëson, u ka ofruar familjarëve të viktimave kompensim në të holla dhe se për përmbylljen e procesit kriminal janë përgjegjëse autoritetet nacionale, ku po trajtohet ky rast.

Përfaqësues të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë zotuar se do të bëjnë përpjekje për zgjidhjen, jo vetëm në aspektin e kompensimit financiar, por edhe në nivelin e procesit kriminal, të rastit të vrasjes së Arben Xheladinit e Mon Balajt dhe dhjetëra personave të tjerë të lënduar gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” më 10 shkurt 2007.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i tha Radios Evropa e Lirë se Kombet e Bashkuara po merren me çështjen e kompensimit për familjet e viktimave, ndërsa do të bëhen përpjekje që autoritetet në Rumani ta përmbyllin rastin në aspektin kriminal.

“Mendoj se është e rëndësishme që hetimet, apo procesi kriminal të përmbyllet sa më mirë që të jetë e mundur. Nuk dua të zbuloj ndonjë shtet anëtar, por mund t’ju siguroj se kam intervenuar personalisht te përfaqësuesit e atij shteti për të siguruar se është duke vazhduar hetimi kriminal”.

“Më kanë siguruar se është (duke vazhduar) dhe më është bërë me dije se është afër përmbylljes. Shpresoj se kjo qëndron. Do të vazhdoj të përpiqem për këtë, sepse hetimi kriminal adreson përgjegjësi personale në këtë aspekt dhe kjo gjë duhet të përcillet nga autoritetet vendore”,
tha Zanier.

Tri vjet pas protestës së 10 shkurtit, e cila rezultoi me dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, Lëvizja “Vetëvendosje” kritikoi misionin e OKB-së në Kosovë dhe autoritetet rumune për prolongimin e rastit Xheladini-Balaj.

Aktivisti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, tha se është penguar edhe puna në Panelin Këshillues për të Drejtat e Njeriut, si i vetmi organ që mund ta pranojë padinë për rastin.

“I vetmi vend ku mund të paditet, siç e dimë, është një institucion i UNMIK-ut. Ai është Paneli këshillues i të Drejtave të Njeriut - të drejtë, të cilën e kanë shfrytëzuar familjet Balaj dhe Xheladini dhe dy të lënduarit më rëndë të kësaj demonstrate, Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj”.

“Por, edhe aty UNMIK-u ka intervenuar duke i vendosur pengesa të patejkalueshme drejtësisë”,
tha Konjufca.

Ndërhyrjet, sipas tij, janë bërë duke shtyrë seancat dëgjimore, duke pamundësuar mbajtjen e seancës dëgjimore publike dhe duke lëshuar urdhëresën administrative 2009/1, me të cilën, siç tha ai, panelit i mundësohej braktisja e rastit.

Shefi i UNMIK-ut, Zanier, mohoi ekzistimin e ndërhyrjeve të tilla.

“Nuk do t’i quaja këto ndërhyrje në asnjë mënyrë. Paneli këshillues përbëhet nga tre njerëz, të cilët janë këshilltarët e mi për shkeljet e të drejtave të njeriut. Ai është formuar mbi bazën e rregullave dhe ka ndryshime të vazhdueshme për mënyrën e funksionimit”.

“Ndryshimi i fundit përfshiu një afat për paraqitjen e kërkesës që lidhet me zhvillimin e rolit të UNMIK-ut në terren. Nuk ka ndërhyrje në këtë, sepse paneli është i lirë të vazhdojë punën në këtë çështje”
, u shpreh Zanier.

Oferta për kompensim në të holla u ishte bërë familjarëve të viktimave në tetor të vitit të shkuar. Konjufca tha se me këtë ofertë, është synuar të blihet drejtësia gjë që, sipas tij, është e papranueshme.

Mungesa e drejtësisë, siç tha ai, vjen në pah kur merret parasysh mosndëshkimi i pjesëtarëve të policisë nga kontingjenti rumun, që atëkohë kishin gjuajtur me plumba gome në drejtim të protestuesve dhe me riaktivizimin e procesit gjyqësor me akuzën për organizimin e protestës ndaj liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

“Përderisa UNMIK-u e ka mbyllur drejtësinë, në anën tjetër EULEX-i e ka hapur një padrejtësi të re, e që është riaktivizimi i procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, me aktakuzë të UNMIK-ut. Meqenëse EULEX-i po tregon që është i njëjtë si UNMIK-u, ne nuk kemi pse ta trajtojmë atë ndryshe”
, u shpreh Konjufca.

Mungesa e një vendimi në lidhje me rastin Balaj-Xheladini, nxiti kritika edhe në radhët e organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kështu, organizata “Amnesty International” dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, shprehin shqetësim ndaj vonesës për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për, siç thuhet, vrasjet e paligjshme dhe lëndimet e rënda gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007.