Birësimi në Kosovë

Fotografi ilustruese

Në Kosovë janë gjithsej 24 fëmijë të braktisur, të cilët presin të gjejnë ngrohtësi në ndonjë familje. Një nga fëmijët e braktisur tashmë është bërë pjesë e familjes Kika, e cila ka humbur fëmijët e vet biologjik dhe ka adoptuar një vajzë. Mirëpo, për të adoptuar fëmijë, siç thonë zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet kaluar nëpër shumë procedura, të cilat ndodh të zgjasin deri në tri vjet.

Rahime Kika është nënë adoptuese e një vajze. Vendimin për të adoptuar një fëmijë ajo e kishte marrë pas vdekjes së fëmijëve të saj biologjikë.

Dëshira më e madhe e saj është që vajzës t’i ofrojë dashuri dhe ngrohtësi familjare. Vajzën e adoptuar ajo e quan oksigjen për jetën e saj.

“Nuk kam fëmijë të tjerë, kam pasur po më kanë vdekur dhe kemi vendosur ta marrim vajzën që e kemi tash”.

“Të jesh nënë e një fëmije të adaptuar, është një ndjenjë e dyfishtë ndaj saj. Për mua, vajza ime është gjithçka në këtë botë, është oksigjen”.

“Këtyre fëmijëve, së pari, ne, si prindër adoptues, duhet t’u ofrojmë ngrohtësi familjare, që njëherësh është edhe qëllimi i të gjitha nënave adoptuese”,
shprehet Rahime Kika.

Adoptimi i fëmijëve, sipas psikologut Avni Rudaku, është një dëshirë instiktive njerëzore, që prindërit jobiologjikë dëshirojnë të fitojnë status të prindit socio-juridik dhe socio-psikologjik.

Ai shpjegon më shumë:

“Motivi amnor është motiv biologjik parësor, i lindur, këtu kemi të bëjmë me motivin para-amnor dhe post-amnor. Motivi para-amnor është një dëshirë instiktive njerëzore për të lindur fëmijë, për të lënë pasardhës. Motivi tjetër post-amnor është birësimi, si dhe dëshira për t’u kujdesur për një fëmijë”.

Ndërkaq, Nezahate Salihu, drejtoreshë nacionale e SOS-Fshatit të Fëmijëve, në Kosovë, thotë se në qendrën transite, aktualisht janë 24 fëmijë të braktisur, të cilët presin për t’u adoptuar.

Sipas drejtoreshës Salihu, kërkesat për t’u adoptuar fëmijët janë gjithmonë të mëdha dhe gjinia femërore është ajo që prin me numër adoptues.

“Sa i përket adoptimit të fëmijëve prej vitit 2001, prej kur i kemi hapur qendrat e para, kanë shkuar rreth 400 fëmijë në adoptim”.

“Çdo vit kërkesat mbesin të njëjta dhe prej tyre janë adoptuar 136 vajza dhe 131 djem, çka do të thotë se familjet kosovare janë të interesuara të adoptojnë më shumë fëmijë të gjinisë femërore”
, thotë drejtoresha Salihu.

Në anën tjetër, Muhamet Gjocaj, drejtor i departamentit të Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se për të adoptuar një fëmijë, duhet kaluar në disa procedura dhe pritja mund të zgjasë nga një deri në tri vjet.

Sipas tij, nga ana e punëtorëve socialë bëhen hetime të thella, para se prindërit potencialë të futen në listën për adoptimin fëmijëve.

“Për t’u birësuar një fëmijë, më saktë për t’u vlerësuar një familje si relevante për të birësuar, duhet të kalojë nëpër disa faza”.

“Fillimisht, duhet të aplikojë te Qendra për punë sociale, duhet t’u nënshtrohet testeve psiko-sociale, duhet të bëhet ekzaminimi i rrethanave jetësore se si ka jetuar, a është e përshtatshme në komunitet, a ka qenë familje problematike, nëse ka rënë ndesh me ligjin apo është nën hetime”.

“Të gjitha këto janë pengesa nëse evidentohen gjatë investimit. Nëse jo, përfundimisht familja hyn në regjistrin e familjeve potenciale për adoptim”,
shpjegon Gjocaj.

Gjocaj shpjegon se, sipas rregullave të Konventës Ndërkombëtare që aplikon edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, të gjithë fëmijët e braktisur duhet të mbeten në vend, për shkak të gjuhës, traditës dhe religjionit.