Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, në ditët në vijim do t’i nënshtrohet rishikimit të mandateve të tij nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën dhe nga BE-ja.
Zhvillimet e ditëve dhe javëve të ardhshme në qarqet vendimmarrëse evropiane, duket se do të përcaktojnë kornizën e veprimeve të mëtejme të diplomatit holandez, Piter Feith.
Feith, shpeshherë i quajtur “njeriu me dy kapela”, për shkak të detyrave që ushtron si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, do të raportojë, të hënën, para 25 përfaqësuesve të shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues në Vjenë.
Fokusi kryesor i raportimit të tij pritet të jenë zhvillimet që janë bërë në Kosovë, që nga mbledhja e fundit e këtij grupi. Vlerësimeve për zhvillimet në Prishtinë do t’u bashkëngjitet edhe rishikimi i mandatit të shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Endi Mekgafi, bëri të ditur se ndryshimet eventuale në mandatin e Feithit, do të ndërlidhen me progresin që kanë arritur institucionet kosovare në fusha të ndryshme.
“Nuk është e mundshme të prejudikojmë se çka do të vendosin 25 shtete, por progresi i dukshëm, i cili është bërë deri më tani, natyrisht se është një udhërrëfyes për vlerësimin e tyre”.
“Kështu, për shembull, janë themeluar një varg komunash të reja dhe një numër institucionesh të reja. Pra, ka gjëra, të cilat duhet të merren në konsideratë nga 25 shtetet”, tha Mekgafi.
Sipas tij, është e vështirë të thuhet se të cilës natyrë mund jenë ndryshimet në mandatin e shefit të ICO-së, Piter Feith.
Në këtë gjë, theksoi Mekgafi, do të ndikojnë interesat e shteteve anëtare të ISG-së dhe vlerësimet e përfaqësuesve të këtyre shteteve në Kosovë.
“Do ta veçoja këtë më shumë me formulimin e ISG-së, për t’iu përgjigjur situatës, në të cilën kanë hasur në terren, bazuar në përfaqësuesit e tyre të ambasadave dhe në raportimin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar”, theksoi Mekgafi.
Feith do t’i nënshtrohet një rishikimi të dytë më 11 shkurt, si përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë. Mandati i tij në këtë post, zyrtarisht përfundon në fund të këtij muaji dhe për vazhdimin eventual të kontratës, duhet të vendoset në takimin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave.
Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Julia Ryter.
“Mandati i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, do të skadojë në fund të shkurtit. Për momentin, është duke u zhvilluar një proces rishikimi në nivelin e Bashkimit Evropian në Bruksel”.
“Ne mund të presim një vendim në lidhje me mandatin e tij, më 11 shkurt kur, nga krerët e qeverive dhe të shteteve, do të vendoset për këtë gjë në takimin e Këshillit në Bruksel”, tha Ryter.
Mirëpo, zyrtarë të tjerë në Bruksel i thanë Radios Evropa e Lirë se me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, në dhjetor të vitit të kaluar, janë komplikuar paksa gjërat në këtë drejtim.
Bëhet e ditur se, tashmë është arritur marrëveshja për vendosjen e një shërbimi të ri për veprimet e jashtme evropiane.
Jetësimi i vendosjes së konstruktit të ri të përfaqësuesve të BE-së në botë, vlerësohet se i takon shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton.
Kësaj të fundit, thuhet se nga ministrat e jashtëm të BE-së i është kërkuar që të dalë me propozimin e saj në muajin prill të këtij viti.
Sipas skenarit të shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet t’ia japin dritën jeshile propozimit të Eshtonit, gjë që pastaj do të kërkojë dhe miratimin e Parlamentit të Bashkimit Evropian.
Sidoqoftë, deri në vendimin definitiv në prill, 11 emisarëve evropianë të angazhuar në botë, pritet t’u vazhdohet mandati për 6 muaj.