Policët kthehen në punë

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës bën të ditur se marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të përfaqësuesve të njësive të specializuara të Policisë së Kosovës, ka ndërprerë protestën e policëve, të cilët të premten i janë kthyer sërish punës.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se ka përfunduar protesta e njësiteve speciale policore, të cilët kishin bojkotuar punën dhe ishin mbledhur të enjten në Qendrën e trajnimit në Kishnicë, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me sistemin e ri të pagave.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, të premten puna policore dhe angazhimet e policëve kanë vazhduar dhe se çdo gjë i është kthyer normalitetit.

“Është marrë vendim që të bëhet rishikimi për një ngritje pagash. Diku rreth 3,5 milionë do të ketë shtesë për implementim të pagave
”, njofton Kelani.

Vendimi, i cili pasoi me ndërprerjen e protestës, përfshin rishikimin dhe korrigjimin e të gjitha gabimeve që janë shfaqur në sistemin aktual të pagave nga një grup punues, përfshirë edhe kompensimin në mënyrë retroaktive.

Sistemi i pagave, siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës, do të rishikohet dhe do të bëhet zbatimi i ngritjes së pagës bruto.

Kjo ngritje parasheh që zyrtarët policorë patrullues të marrin 355 euro pagë mujore dhe t’u paguhet ndërrimi i natës, zyrtarët policorë në administratë, 320 euro, zyrtarët policorë në hetime 395 euro, ata nga njësitet speciale operative 395 euro, njësitë e specializuara nga 415 euro dhe njësiti special intervenues nga 430 euro.

Moszbatimi i Ligjit për Policinë e Kosovës, mosrritja 100 për qind e pagave bazë, si dhe mosndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, ishin arsyet kryesore që patën nxitur një numër njësish speciale të Policisë së Kosovës t’i shprehin pakënaqësitë e tyre, duke mos punuar.

Ish-zëdhënësi i Këshillit të përfaqësuesve të njësive të specializuara të Policisë së Kosovës, Arbresh Dalipi, nuk hedh poshtë mundësinë që në kuadër të policëve të njësiteve speciale të ketë pakënaqësi edhe pas vendimit të së enjtes.

Mirëpo, ai thotë se mandati i këtij këshilli ka përfunduar me marrjen e vendimit dhe se njësiti, të cilit i takon ai, i është kthyer sërish punës.

“Sot jemi në detyrë, nuk jemi në kontakt me askë. Nuk mund të garantojmë që policët të mos kenë pakënaqësi në të ardhmen, por protesta, për të cilën bëhet fjalë, është shpërndarë, është arritur marrëveshje dhe sot policët janë në detyrë
”, thotë Dalipi.

Pakënaqësitë e para në lidhje me gjendjen e policëve të Kosovës ishin bërë të ditura që në muajin shtator të vitit 2008, nga Sindikata e Policisë së Kosovës, e cila atëkohë paralajmëronte protesta duke kërkuar zbatimin e Ligjit për Polici.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, thotë se vendimi i fundit për policët, do të shqyrtohet nga kjo sindikatë.

“Do të konsultohemi. Tashmë e kemi kryesinë e sindikatës. Ne, kërkesat tona i kemi bërë të ditura para dy vjetësh. Ne kemi një marrëveshje të nënshkruar për një projekt të Policisë. Nuk e dimë se a është zbatuar ai projekt dhe nuk mund të themi se çka është ai në tërësi”
, shprehet Tasholli.