Shkup: Mosmarrëveshje në Qeveri, por jo në Kuvend

Ndërtesa e Kuvendit, Shkup

Paralajmërimi për ndërtimin e Kishës në sheshin e Shkupit dhe aplikimi i maqedonishtes si lëndë obliguese për nxënësit shqiptarë të klasës së parë, janë disa nga zhvillimet që shkaktuan mosmarrëveshje midis partnerëve të koalicionit qeveritar në Maqedoni. Tahir Hani nga BDI-ja pranon se mosmarrëveshjet ekzistojnë edhe në nivel parlamentar. Të kundërtën pohon kolegia e tij nga VMRO-DPMNE-ja, SIlvana Boneva, e cila thotë se gjithçka është në rregull.

Disa zhvillime të fundit në Maqedoni, siç janë tentimi për ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit, por jo edhe xhamia, vendimi i ministrit të Arsimit që maqedonishtja të jetë e detyrueshme për nxënësit shqiptarë të klasës së parë dhe procesimi i rasteve të Hagës, kanë shkaktuar mospajtime të thella midis partnerëve të koalicionit qeveritar.

Por, sipas krerëve të grupeve parlamentare të dy partive qeveritare, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, mospajtimet e tilla nuk ndikojnë në efikasitetin e punës së Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të BDI-së, Tahir Hani, thotë se bashkëpunimi në nivel parlamentar me VMRO-DPMNE-në është i suksesshëm:

“Nuk ka ndonjë reflektim serioz ndaj bashkëpunimit midis Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, por nënkuptohet që në punën e Kuvendit mund të ketë një reflektim pak a shumë jo të mirë. Për çdo propozim-ligj ose akt tjetër që do të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë, ne i harmonizojmë qëndrimet dhe ky parim funksionin”, thotë Hani.

Ndërsa, koordinatorja e Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, thotë se koalicioni midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, në nivel parlamentar, funksionon pa kurrfarë problemesh.

“Për të gjitha mospajtimet, apo qëndrimet e ndryshme, ne bisedojmë me kolegët e BDI-së dhe i respektojmë mendimet e tyre, ndërsa ne i themi argumentet tona dhe me kalimin e kohës, me anë të bisedimeve, i afrojmë qëndrimet”, thekson Boneva.

Mospajtimet brenda koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kanë ekzistuar edhe më parë.

Por, ato u bënë më të dukshme pas paralajmërimeve të zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjidhjen e statusit të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare deri në fund të vitit të kaluar dhe pas vendimit të fundit të ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, që nxënësit shqiptarë të mësojnë maqedonishten që nga klasa e parë.