Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Prishtinë thonë se rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave me BE-në nuk do të jetë e lehtë dhe se u takon institucioneve vendore t’i kryejnë obligimet e veta karshi Komisionit Evropian për këtë gjë.
Përfaqësuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë thonë se, me nisjen e dialogut për liberalizim vizash ndërmjet Komisionit Evropian dhe Prishtinës zyrtare, Kosovës po i hapet porta për lehtësimin e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian, porse përmbushja e kritereve teknike për këtë proces mbetet detyrë e institucioneve kosovare.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se institucionet kosovare po vazhdojnë përpjekjet për t’i përmbushur kriteret teknike, siç janë: menaxhimi i integruar i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar dhe të tjera.
Ai thekson se përmbushja e kritereve të tjera, të nevojshme për marrjen e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave, është shpallur prioritet i Qeverisë së Kosovës për vitin 2010.
“Ne kemi shpallur vitin 2010 vit të përkushtimit tonë për plotësimin e këtyre kritereve. Besojmë që viti 2011 do të jetë viti i marrjes së vendimit pozitiv për Kosovën”.
“Nuk duhet të harrojmë që ne kemi hyrë shumë vonë, për shkak të statusit tonë, në këtë proces, por do ta përshpejtojmë dinamikën dhe, në kuptimin kohor, të jemi më të shpejtë sesa vendet e tjera që e kanë rrugëtuar këtë çështje”, shprehet Kuçi.
Një delegacion ekspertësh i Komisionit Evropian, në kuadër të qëndrimit treditor në Kosovë, që nga e mërkura do të nisë agjendën e takimeve me zyrtarët qeveritarë, për të diskutuar kriteret për liberalizim vizash.
Autoritetet ndërkombëtare në Prishtinë thonë se BE-ja ka kryer obligimin fillestar sa i përket këtij procesi. Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean François Fitou, shpreh bindjen se edhe Kosova do ta kryejë pjesën e vet të punës në këtë drejtim.
“Nuk do të jetë e lehtë për Kosovën; ne të gjithë e dimë këtë. Ka shumë gjëra që duhet të bëhen. Mbështetja për Kosovën është 100% dhe mbështetja për autoritetet përgjegjëse për liberalizim vizash në Kosovë do të jetë totale”.
“Ne do ta ndihmojmë dhe do t’ia japim Kosovës të gjithë mbështetjen e nevojshme, por i takon Kosovës ta bëjë punën e vet. Ne presim që Kosova ta kryejë pjesën e vet të asaj që kërkohet; ne do ta kryejmë pjesën tonë. Por, i takon Kosovës të ecë në drejtim të vizave me Bashkimin Evropian”, thotë diplomati francez.
Mbështetja e Parisit zyrtar dhe e 21 shteteve të tjera anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën, nuk vlen dhe për 5 shtete të tjera të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Me gjithë pajtimin e të gjitha vendeve të këtij mekanizmi për të nisur dialogun për viza me Kosovën, mosnjohja nga këto shtete mbetet një pengesë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë:
“Nuk mund të themi që në dinamikën e integrimit tonë evropian, nuk ka ndikim edhe njohja nga këto pesë shtete - ka ndikim”.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Po mundohemi drejtpërdrejt dhe përmes miqve tanë ndërkombëtarë që t’u bëjmë ftesë pesë shteteve anëtare të Unionit Evropian që s’e kanë bërë një gjë të tillë, të na ndihmojnë neve, por edhe integrimit të plotë të rajonit”, deklaron Kuçi.
Ndërkaq, ekspertët për integrime evropiane kanë mendime pozitive për ecurinë e deritanishme të Kosovës, sa i përket liberalizimit të vizave.
Eksperti Avni Mazreku mendon se nxjerrja e pasaportave biometrike për qytetarët e vendit, regjistrimi i popullsisë dhe një varg çështjesh të tjera, duhet të përmbushen përgjatë këtij viti, në mënyrë që Kosova të mos mbetet mbrapa, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Nëse procesi i liberalizimit të vizave midis Bosnjës e Hercegovinës dhe Brukselit, Shqipërisë dhe Brukselit do të konkludohej në mesin e këtij viti, atëherë afati maksimal kur do të duhej të konkludohej procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën, do të ishte gjashtë muaj pas këtij afati”.
“Një skenar, ku Kosova do të dukej si një ‘blackspot’ në një hapësirë të integruar evropiane, është një skenar i papranueshëm për të gjitha palët e involvuara në këtë proces”, thekson Mazreku.