Deda: Kosovë-Serbi, modeli i dy Gjermanive

Ilir Deda

"Marrëdhëniet e ndërsjella (Kosovë - Serbi), sipas bashkësisë ndërkombëtare, nuk nënkuptojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare do ta shtyjë modelin e dy Gjermanive", thotë Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në Institutin KIPRED.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Deda, aktualisht po zhvillohet një debat i gjerë lidhur me riformatizimin, siç po quhet, të Qeverisë së Kosovës. Si e shihni ju këtë proces dhe çfarë prisni që mund të rezultojë nga ky proces?

ILIR DEDA
Unë mendoj se është një debat i panevojshëm, duke marrë parasysh se ndryshimet personale në Qeveri varen nga puna e ministrave dhe nga vlerësimet e dy partive, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Ky debat, ma merr mendja se ka të bëjë më shumë me tërheqjen e vëmendjes së opinionit kosovar nga ato ngjarje që ishin të dhimbshme në opinion publik dhe, në njëfarë mënyre, arsyetim i aferës së “Zanzi-barit”.

Tash jemi në një situatë, kur dëgjojmë se do të ketë të ashtuquajtura rifreskime në Qeveri, ndërsa pjesa thelbësore se pse po bëhen këto ndryshime, mbetet pa përgjigje.

Në të njëjtën kohë, me çfarë kriteresh do të matet puna e ministrave dhe me çfarë kriteresh shihet ndëshkimi apo suksesi i tyre, mbetet e paqartë.

Kështu që, mua ma merr mendja se thelbësisht për ndryshime, apo për një qeverisje shumë më të mirë, duhet të ketë ndryshime edhe të praktikave qeverisëse dhe ndryshime të logjikës qeverisëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, a bëhet fjalë këtu vetëm për një rifreskim sipërfaqësor të Qeverisë, sa për të tejkaluar këtë krizë në të cilën gjendet koalicioni?

ILIR DEDA
Kjo është përshtypja, e cila jepet nga vetë akterët qeverisës, se kjo ka të bëjë me një ndryshim më sipërfaqësor.

Ndërsa, unë mendoj se çfarëdo ndryshimi që do të ketë në Qeveri, do të tregojë se ata ministra, të cilët janë ndërruar, me të vërtetë nuk kanë punuar mirë në njëfarë mënyre.

Duhet të shohim ministrat me bagazh më të madh politik, e ku ka mangësi, ngecje në punën e tyre, a do të kenë forcë të dyja partitë qeverisëse që t’i ndërrojnë edhe këta ministra apo jo?!

RADIO EVROPA E LIRË
Mediat vendore në Kosovë kanë shkruar edhe për mundësinë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar dhe thirren në përgjegjësitë e disa ministrave, siç thuhet, nën dyshimet për afera korruptive. A prisni ju se mund të ketë një atak të tillë në Qeverinë e Kosovës?

ILIR DEDA
Realisht, ajo do të ishte detyra e EULEX-it. EULEX-i, me kompetencat e tij ekzekutive, duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nëse ka diçka të tillë në Qeveri, atëherë përse të mos ketë ndërhyrje të tillë?!

Unë mendoj se që nga nëntori, kur u hap afera “Bllaca”, pritjet e opinionit publik ndaj EULEX-it janë shumë të mëdha dhe EULEX-i duhet ta arsyetojë ekzistencën e vet në Kosovë me hapa konkretë, të cilët dalin nga ajo aferë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër, që potencohet sidomos nga opozita, janë zgjedhjet e parakohshme. Sa janë gjasat që Kosova të shkojë në këto zgjedhje dhe të përmbyllë edhe një proces tjetër demokratik si shtet i ri?

ILIR DEDA
Unë nuk do t’i quaja zgjedhje të parakohshme, duke marrë parasysh që zgjedhjet, sipas Planit të Ahtisarit, është dashur të mbahen në vitin 2008.

Zgjedhjet parlamentare do të vijnë si rezultat i dy çështjeve. E para, do të jenë kalkulimet politike të PDK-së dhe LDK-së, cili është momenti që do t’i favorizojë këto dy parti më së shumti në zgjedhjet parlamentare.

Dhe, dy, a do të jenë të afta këto dy parti që ta vazhdojnë këtë bashkëqeverisje apo jo?! Në qoftë se në mars të këtij viti apo në prill, do të mbahen kongreset e të dyja partive, unë mendoj se kjo situatë do të qartësohet pas mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme në të dyja partitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit, Beogradi mori një vendim që të ndërhyjë sërish në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Cila konsideroni se ka qenë dhe do të duhej të ishte përgjigjja e Prishtinës dhe autoriteteve ndërkombëtare këtu?

ILIR DEDA
Beogradi, që 10 vjet, po ndërhyn në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe, përveç reagimeve verbale dhe një retorike të ashpër, ne nuk kemi parë hapa konkretë, që më shumë se një dekadë.

Unë mendoj se e gjitha varet nga Qeveria e Kosovës. Në qoftë se Qeveria e Kosovës vërtet dëshiron që t’i luftojë institucionet paralele, ajo ka mekanizma në duart e saj që ta bëjë këtë.

Mënyra se si do të integrohet veriu, varet shumë edhe nga Prishtina e ajo, në fund të fundit, duhet të jetë një vizion politik dhe ekonomik, një strategji, të cilën Qeveria duhet ta përpilojë dhe duhet ta fitojë përkrahjen e akterëve ndërkombëtarë në Kosovë, që kjo strategji e tyre të zbatohet në veri.

E para pyetje është se a dëshiron Qeveria që veriu të jetë pjesë e Kosovës. Në qoftë se po, si duhet të vijë deri te riintegrimi i veriut? Bashkësia ndërkombëtare nuk do ta integrojë veriun për ne. Kjo e gjitha varet nga ne.

Duhet të kemi parasysh se veriu nuk mund të integrohet me një dialog me Serbinë. Kjo është shumë e qartë. Serbia ka një qasje tjetër ndaj veriut dhe qasje tjetër ndaj enklavave apo vendbanimeve serbe poshtë lumit Ibër.

Strategjia e Serbisë është një lloj ndarjeje e Kosovës përgjatë lumit Ibër. Lidershipi shqiptar i Kosovës që 10 vjet nuk ka dhënë përgjigje se çka në të vërtetë do të thotë kjo ndarje dhe a është e pranueshme për ta.

Në qoftë se ne si kundërpërgjigje e kemi: “Epo, ne do ta kërkojmë Preshevën...”, me këtë qasje, ne, në një mënyrë, edhe heqim dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës.

Unë mendoj se kjo është e gabuar dhe nëse ka seriozitet dhe dëshirë që veriu të integrohet, atëherë duhet të përdoren të gjitha masat dhe, në radhë të parë, duhet të ketë një plan ekonomiko-politik, i cili duhet të bashkërenditet me EULEX-in dhe zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë, në radhë të parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët çështjen e pozicionit serb dhe bisedimeve me Prishtinën... Thatë se nuk do të zgjidhet një çështje e tillë. Ndërkohë, në Beograd paralajmërohet një ofensivë e re në raport me Kosovën pas GJND-së (procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë). A mund të ndërlidhet kjo me pjesën veriore dhe pjesë të caktuara të Kosovës – kjo ofensivë, kushtimisht thënë, politikë e Serbisë në raport me Kosovën?

ILIR DEDA
Beogradi është në ofensivë që më shumë se një vit e gjysmë. KIPRED-i ka paralajmëruar edhe publikisht, edhe privatisht institucionet e Kosovës për çka do të ndodhë pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dihet strategjia e Serbisë – ajo është ndarja e Kosovës nëpërmjet bisedimeve me Prishtinën.

Por, në të njëjtën kohë, është edhe një presion tjetër, i cili do të rritet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e ky është se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë në këtë nivel, në të cilin janë, dhe duhet të vijë deri te një ngritje e këtij niveli dhe marrëdhënieve të ndërsjella.

Këto marrëdhënie të ndërsjella, sipas bashkësisë ndërkombëtare, nuk nënkuptojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare do ta shtyjë modelin e dy Gjermanive, atë që negociatori Ishinger e kishte propozuar në vitin 2007.

Dhe, si gjithmonë, Prishtina mbetet ajo, e cila është pasive dhe e cila nuk është e përgatitur me ato që po na presin përpara.

Domethënë, Qeveria duhet të ulet dhe ta përpilojë menjëherë një plan veprues, një strategji, se cili do të jetë pozicioni i Kosovës në bisedimet, të cilat do të ndodhin me Serbinë dhe çka dëshirojmë ne si Kosovë të përfitojmë nga këto bisedime.

Unë mendoj se dy parime duhet të jenë pjesë e një vendimi eventual dhe kjo është se nuk mund të negociohet për pjesë të territorit të Kosovës me Serbinë dhe ne me Serbinë duhet të bisedojmë si dy shtete të pavarura, si dy palë të barabarta.

Ka shumë çështje, të cilat duhet zgjidhur, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura që një dekadë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.