Situatë konfuze me rrymën

Qeveria e Kosovës thotë se ndërhyrja e Elektro-ekonomisë së Serbisë (EPS) në veriun e vendit po vazhdon. KEK-u këmbëngul se kjo kompani, e jo EPS-i, po furnizon atë pjesë me rrymë. Por, EPS-i po ua faturon energjinë qytetarëve atje.


Elektro-ekonomia e Serbisë (EPS) po ua faturon energjinë elektrike qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, duke ua tërhequr vërejtjen se do t’ua ndërpresë energjinë, nëse nuk e paguajnë atë.

Por, Korporata Energjetike e Kosovës thotë se kompania serbe s’ka si e ndërpret energjinë, ngaqë KEK-u po e furnizon atë pjesë me rrymë.

“Veriu i Kosovës po furnizohet nga KEK-u dhe vazhdimisht është furnizuar nga energjia elektrike e KEK-ut”, thotë zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala.

Megjithatë, pjesa veriore e Kosovës është furnizuar me energji elektrike nga Serbia në tetorin e vitit të kaluar, pasi që KEK-u e pati ndërprerë energjinë për atë pjesë si pasojë e një avarie. Por, zëdhënësi Buzhala thotë se ai problem teknik është evituar dhe se tash është KEK-u ai që furnizon veriun.

“Ai problem është evituar. Shkyçja qe bërë pas disa rënieve të dhunshme nga sistemi, si pasojë e ngarkesës së madhe dhe kjo rënie pati ardhur si pasojë e dështimit të operatorëve në nënstacionin e Vallaçit, për të aplikuar kategorizimin ABC në atë pjesë”,
thotë Buzhala, duke konfirmuar furnizimin me energji në veriun e banuar me shumicë serbe.

Sidoqoftë, që nga viti i kaluar, Elektro-ekonomia e Serbisë ka nisur leximin e njehsorëve të konsumatorëve në veri të Kosovës. Banorët e kësaj ane nuk i kanë paguar KEK-ut energjinë e shpenzuar që nga viti 1999, por kanë pranuar që pas 10 vjetësh këtë ta bëjnë për kompaninë serbe.

Megjithatë, raportet nga terreni thonë se qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës nuk duan t’ia paguajnë faturat as EPS-it, pasi që, siç thuhet, nuk janë të kënaqur me kushtet.

Më herët qe bërë e ditur se sot do të skadojë afati i pagesës së faturave të para për energjinë e shpenzuar dhe rrjedhimisht do të pasonte shkyçja.

Nga Elektro-ekonomia e Serbisë në Mitrovicë nuk ka qenë e mundur të merret ndonjë koment në lidhje me këtë çështje.

Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, konfirmon se Serbia, përmes kompanisë energjetike të saj, po kryen ndërhyrje ilegale në veri.

“Ndërhyrja është pa presedan. Në momentin kur KEK-u brenda planit operacional ka filluar të bëjë shkyçjet, si në çdo anë tjetër të Kosovës, me qëllim të inkasimit të pagesave, atëherë ka ardhur deri te një ndërhyrje ilegale e Elektro-ekonomisë së Serbisë dhe kjo ndërhyrje po vazhdon edhe sot e kësaj dite”.

“Ne, përmes institucioneve tjera, besoj se do të gjejmë ndonjë zgjidhje për ta kthyer situatën ashtu siç ka qenë
”, thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, ndërsa KEK-u dhe qeveria thonë se janë në kërkim të një zgjidhjeje, në adresë të Komisionit Parlamentar për Energjetikë nuk ka shkuar asnjë informatë mbi gjendjen në veri.

Nënkryetari i këtij komisioni, Ethem Çeku, thotë se KEK-u ka gabuar kur ka lejuar ndërhyrjen e parë të kompanisë energjetike serbe në vitin e kaluar.

Është gabuar në atë drejtim nga qeveria dhe nga KEK-u, kur është lejuar ndërhyrja e Serbisë apo dërgimi i energjisë elektrike nga Serbia në pjesë të Kosovës, pa autorizimin dhe pa mekanizimin e KEK-ut”.

“Ky është gabim i madh, i cili do të ketë konotacione të tjera. Qeveria jonë është dashur të marrë masa adekuate, siç ka marrë edhe në të kaluarën, që të jetë përgjegjëse në tërë territorin e Kosovës dhe t’i mbulojë me energji elektrike të gjithë qytetarët e Kosovës”,
thekson Çeku.

Qeveria thotë se do të kërkojë ndihmën e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, përkatësisht Bashkimit Evropian, për ta kthyer në normalitet situatën me furnizim të energjisë elektrike në pjesën veriore, e cila vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele serbe.

Ndryshe nga serbët e pjesës veriore, të cilët nuk i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar te KEK-u, ata të pjesës jugore dhe të disa pjesëve të tjera të Kosovës tashmë kanë kontrata me KEK-un dhe kanë filluar të paguajnë për rrymën e shpenzuar në kuadër të sistemit energjetik të Kosovës.