KQZ: Shtyhet vendimi për Gjilanin


Me gjithë zvarritjet që e kanë shoqëruar procesin e hetimit dhe të rinumërimit të rreth 35 mijë votave për komunën e Gjilanit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nuk kanë arritur as në mbledhjen e së hënës të bien në ujdi për raportin e hartuar nga Qendra për Numërim dhe Rezultate (QNR) mbi gjetjet përfundimtare për këtë komunë.

Nga raporti i kësaj qendre del që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar 51.48 për qind të votave, ndërsa kundër-kandidati i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike, Fatmir Rexhepi, 48.52 për qind të votave. 7 votat pro, 3 kundër dhe një abstenim pamundësuan arritjen e 2/3 të nevojshme për miratimin e këtij raporti.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, e cila abstenoi, tha se komisionit që ajo drejton, i nevojitet kohë për të vlerësuar situatën e krijuar. Abstenimi i saj, siç deklaroi ajo, ka ardhur për shkak të pamundësisë së QNR-së për t’i hetuar ankesat e partive politike për procesin zgjedhor në Gjilan.

“Arsyeja pse kam votuar kështu, ka qenë se nuk janë dhënë të gjitha pyetjet, jo se qendra nuk ka dashur, porse nuk ka mundur”, u shpreh Lushta.

Mospajtimet e thella midis anëtarëve të KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike mbi të drejtën për zhvillimin e hetimeve nga KQZ-ja dhe Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, duket se shkaktuan situatën që i dha, pa ndonjë vendim konkret, fund kësaj mbledhjeje.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, theksoi se që nga fillimi është dashur të miratohet udhëzimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që, përveç për Prizrenin dhe Lipjanin, të shpallet rivotimi edhe në Gjilan.

Me miratimin e raportit të QNR-së, KQZ-ja, sipas tij, do të merrte një vendim politik dhe joligjor.

“Nuk ka asnjë dyshim se vendimi i KQZ-së për hetim, siç është quajtur, edhe pse jemi dëshmitarë se nuk është zhvilluar asfare hetimi, por vetëm një korrigjim, një verifikim i disa gabimeve të vogla, ka qenë i paligjshëm”.

“Ligji askund nuk e parasheh këtë të drejtë të Komisionit Qendror Zgjedhor, por ligji thotë se i vetmi organ kompetent për të zhvilluar hetime në procesin zgjedhor, është KZAP-i”,
theksoi Dushi.

Ky vlerësim u hodh poshtë nga anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Xhelil Pajaziti, i cili tha se procesi i hetimit dhe i rinumërimit në QNR ka qenë i rregullt dhe se prania e vëzhguesve ndërkombëtarë e ka bërë edhe më të besueshëm këtë proces.

Pajaziti tha se gjatë hetimeve dhe rinumërimit të fletëvotimeve për komunën e Gjilanit, janë përmirësuar gabimet.

“Besoj se janë riparuar gabimet. Duhet të kuptojmë se në Kosovë i kemi disa institucione të reja, sikurse që është KZAP-i, e që nuk i njohin sa duhet problematikat zgjedhore dhe mund të bëhen gabime”.

“Njerëzit gabojnë, por ky gabim konsideroj se është përmirësuar dhe Komisioni Qendror Zgjedhor është në rrugë të mbarë, është në rrugë për t’i tejkaluar vështirësitë”,
u shpreh ai.

Udhëzimin e 19 dhjetorit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte mbështetur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke shprehur bindjen se pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, duke respektuar në tërësi vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan.

Ndërkaq, përfaqësues të KZAP-it deklaruan së fundi se nuk do të këmbëngulin në zbatimin e udhëzimit të tyre nga ana e KQZ-së.