Pavarësisht pritjeve që të shpallej rezultati i hetimit dhe rinumërimit të votave për Gjilanin nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, për shkak të mungesës së kuorumit, KQZ-ja u detyrua ta shtyjë mbledhjen për ditën e hënë.
Mungesa e katër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka detyruar kryetaren e këtij komisioni ta shtyjë takimin e radhës së KQZ-së, në të cilën pritej të paraqitej dhe eventualisht të miratohej raporti final i Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve për hetimin dhe rinumërimin e votave, përfshirë ato me kusht të komunës së Gjilanit.
Nga 11 anëtarët e KQZ-së, në këtë mbledhje munguan dy nga Partia Demokratike e Kosovës dhe dy përfaqësues të minoriteteve.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se për shkak të mungesës së kuorumit ky institucion nuk mund të marrë vendim në lidhje me rezultatet për rinumërimin e votave për Gjilanin.
“Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të informuar për takimin, i cili ka qenë i caktuar për orën tre, mirëpo në fillim kemi qenë gjashtë dhe tani jemi shtatë anëtarë të pranishëm - të tjerët nuk janë të pranishëm”, theksoi ajo.
Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve të shtunën mbrëma kishte nisur rinumërimin e mbi 400 votave me kusht për komunën e Gjilanit - proces ky, i cili pritej t’i hapte rrugë KQZ-së për të dalë gjatë së dielës me vendimin zyrtar për fituesin e kësaj komune.
Mirëpo, kryetarja Lushta tha se nuk mund të jepet asnjë vlerësim pa paraqitjen e raportit final të QNR-së.
“Prej Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve ne kemi marrë të shtunën një raport. Ky raport ka të bëjë me hetimet dhe rinumërimin e votave të rregullta. Të dielën po e presim raportin në lidhje me votat me kusht. Andaj, ende nuk mund të jap asnjë përgjigje konkrete”, u shpreh Lushta.
Rreth 35 mijë votat e rregullta për Gjilanin ishin numëruar deri të shtunën në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Fushë-Kosovë nën mbikëqyrjen dhe asistimin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Përfaqësuesi i Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES) i cili, si pjesë e ekipit të vëzhguesve ndërkombëtar që mbikëqyrën hetimet dhe rinumërimin, Ched Flego, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë këtij procesi janë evidentuar shkelje, siç thuhet, minore në procesin e hetimit dhe të rinumërimit.
“Ky rishikim ka përfunduar dhe raporti për të i është dorëzuar KQZ-së të shtunën. Ky rishikim vuri në pah që ishin vetëm disa ndryshime të vogla që duhej të bëheshin”, tha Flego.
Mbledhja e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë, është caktuar të mbahet ditën e hënë.
* * * * *
Gjilani: Vendimi pret votat me kusht
Autoritetet për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë thonë se duhet të pritet përfundimi i numërimit të votave me kusht për komunën e Gjilanit, para se të jepet ndonjë vlerësim në lidhje me fituesin eventual të kësaj komune.
Pas miratimit të raportit të Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve në lidhje me hetimin dhe rinumërimin e fletëvotimeve të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për këtë komunë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha të shtunën dritën e gjelbër kësaj qendre për të nisur numërim e mbi 400 votave me kusht.
Sido që të jetë, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, thotë për Radion Evropa e Lirë se është herët të flitet për rezultate finale.
“Prej Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve ne kemi marrë të shtunën një raport. Ky raport ka të bëjë me hetimin dhe rinumërimin e votave të rregullta. Sot po e presim raportin në lidhje me votat me kusht. Andaj, ende nuk mund të jap asnjë përgjegjie konkrete”, thekson Lushta.
Nga rreth 35 mijë vota, të cilat u rinumëruan deri më tani në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultatave, thuhet se janë gjetur vetëm shkelje minore.
Përfaqësuesi i Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES), si pjesë e ekipit të vëzhguesve ndërkombëtar, që mbikëqyri hetimin dhe rinumërimin, Ched Flego, shpjegon më shumë.
“Ky rishikim vuri në pah që ishin vetëm disa ndryshime të vogla që duhej bëhen. Ky raport iu dorëzua dje KQZ-së, e cila kërkoi edhe numërimin e votave me kusht. Besoj se kjo do të kryhet sot dhe se raporti final do t’i dorëzohet KQZ-së”, sqaron Flego.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë pritet që gjatë ditës të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku do të jepen më shumë hollësi në lidhje me procesin për Gjilanin.