Paradoksi i UNMIK-ut

Zyrtarë të institucioneve vendore vlerësojnë se është zbehur efekti i dikurshëm i seancave të Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe rrjedhimisht roli i administratës së Kombeve të Bashkuara në vend. Ndërsa, analistët e quajnë paradoksale situatën e krijuar në vend.




Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë mbledhjen e radhës për Kosovën më 22 janar, në të cilën shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, do të paraqesë raportin tremujor për situatën në Kosovë.

Natyra raportuese dhe ndikimi politik, siç thuhet, i zbehur i seancave të këtij mekanizmi për Kosovën, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, kanë ndikuar edhe në zbehjen e efektit të dikurshëm të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ndonëse mbetet në fuqi rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit, e cila i hapi rrugën operacionalizimit të EULEX-it në Kosovë, UNMIK-u i rikonfiguruar duket se do të vazhdojë të ketë një rol monitorues dhe raportues për vendin.

Megjithatë, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se Prishtina zyrtare do të vazhdojë të jetë e pranishme në të gjitha seancat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

“Efekti i seancave të rregullta të Këshillit të Sigurimit për Kosovën normalisht që ka rënë, për shkak të dinamikës në Kosovë dhe dinamikës së Kombeve të Bashkuara në raport me Kosovën”, shprehet Çitaku.

Ngjarja kryesore në Këshillin e Sigurimit, që ka ndikuar në situatën aktuale rreth funksionimit të misioneve ndërkombëtare në vend, vlerësohet të jetë mosmiratimi i Planit të Ahtisarit, i cili i propozoi këtij këshilli, miratimin e pavarësisë së Kosovës me mbikëqyrje ndërkombëtare.

Analisti për çështje politike, Dardan Gashi, thotë se mendon që situata paradoksale me UNMIK-un e zbehur në aspektin vendimmarrës dhe rezolutën 12 44 ende të vlefshme, do të vazhdojë deri në ndryshimin e qëndrimeve të shteteve të përhershme të Këshillit të Sigurimit që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

“Kjo do të vazhdojë deri në atë kohë, derisa Moska të marrë vendim, që është absurd dhe paradoksal vazhdimi i pranisë së UNMIK-ut pa ndonjë rol specifik”, thekson Gashi.

Ajo që i ka mbetur UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe pas rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, duket se është një rol kryesisht, siç quhet, rezidencial me përgjegjësi monitoruese dhe politike.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasëll Giki, thotë se përfaqësuesi i OKB-së do të vazhdojë përgatitjen dhe paraqitjen e raporteve periodike për Kosovën para Këshillit të Sigurimit.

“Një nga rolet shumë të rëndësishme në të gjitha rastet, ishte raportimi në Këshillin e Sigurimit mbi situatën në Kosovë. Kjo nuk ka ndryshuar aspak”.

“Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të paraqesë raportin te sekretari i përgjithshëm dhe do të vazhdojë të përgatitet për raportimin në Këshillin e Sigurimit”.

“Kjo nuk ka ndryshuar dhe në seancën e fundit pamë që të gjitha anëtaret e Këshillit të Sigurimit mbështetën rolin e misionit, që është një rol më i përqendruar politikisht”,
thotë Giki.

Pjesëmarrja e palës kosovare në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit thuhet se do të varet nga formati i takimit.