Berisha: Digat nuk përbëjnë kërcënim

Fshati Dajç

Gjendja në qarkun e Shkodrës mbetet e vështirë. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka ftuar banorët e zonave të rrezikuara t’i braktisin ato, por ai ka garantuar se digat e hidrocentraleve nuk përbëjnë asnjë kërcënim.


Bilanci i përmbytjeve në veri të Shqipërisë është rritur ndjeshëm: të paktën 2,175 shtëpi dhe 10,270 hektarë tokë të përmbytura.

Forcat e Ushtrisë dhe Policisë së shtetit kanë vijuar me operacionet e evakuimit të banorëve në zonën e nën-Shkodrës, rajoni më i rrezikuar nga përmbytjet.

Operacionet janë përqendruar në komunën Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Guri i Zi dhe Velipojë.

Shifrat zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile flasin për të paktën 3,752 persona të evakuuar, por ende ka të tjerë që vijojnë të qëndrojnë në shtëpi, pavarësisht situatës së krijuar.

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministrat Basha, Olldashi e Ruli, kanë inspektuar zonat e përmbytura në Shkodër.

Berisha u ka bërë sërish thirrje banorëve të pranojnë të evakuohen.

“Të bëjmë çdo përpjekje për evakuim. Sot ka një avancim të ujërave në Bushat dhe në Trushë. Prandaj, edhe unë u bëj thirrje të gjithë banorëve të evakuohen dhe u garantoj se do të kenë kujdes të plotë, do të kenë kompensim të plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje”, ka thënë Berisha.

Berisha ka garantuar se digat në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës janë të sigurta dhe nuk përbëjnë asnjë kërcënim.

“Edhe nivelet e liqeneve janë tani në kuota, të cilat e bëjnë plotësisht të kontrollueshme situatën”.

“Por, e vetmja gjë është që na imponojnë prapë shkarkimet. Është e domosdoshme që të kemi siguri të plotë në sistemin e digave. Gjithçka është në siguri të plotë”,
ka theksuar Berisha.

Por, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili gjithashtu ishte në Shkodër, ka akuzuar Qeverinë si përgjegjëse kryesore mbi situatën e krijuar.

“Ne nuk do t’i ndahemi Sali Berishës dhe Qeverisë për kompensimin deri në qindarkën e fundit të të gjitha këtyre dëmeve që nuk janë shkaktuar nga Zoti, po nga keqqeverisja e robit”.

“Jemi absolutisht të bindur që ishte një katastrofë plotësisht e shmangshme”,
ka thënë Rama.

Gjatë së premtes ka rënë ndjeshëm edhe sasia e shkarkimeve nga hidrocentralet.

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka thënë se parashikohet përmirësim i situatës në ditët në vijim.

“Sigurisht që vazhdojmë të shkarkojmë në të tri hidrocentralet e kaskadës. Duket se ka një stabilizim të prurjeve, pavarësisht se janë ende 1,300 metër kub në sekondë”.

“Ka një rënie në krahasim me 24-orëshin e fundit, që kanë qenë 1800 metër kub në sekondë. Nuk besoj që do të ketë një përkeqësim të situatës në ditët që vijnë
”.

“Të premten pasdite, ose nesër, mund të ketë reshje të reja, por duke pasur parasysh që shumica e borës ka shkrirë, për shkak të reshjeve të kaluara dhe prurjet më të mëdha tashmë kanë ndodhur, kanë ardhur në kaskadë, nuk parashikojmë që të kemi një përkeqësim të situatës për javën e ardhshme”, ka shpjeguar Prifti.


(Pamje të marra nga Youtube)