ICO dhe EULEX nuk i njohin strukturat paralele

Mitrovicë - Ura qendrore

Strukturat, që synojnë t’i minojnë strukturat legjitime në Kosovë, janë të papranueshme për ICO-në, si institucion që mbikëqyr zbatimin e Planit të Ahtisarit. ICO dhe EULEX thonë se çështja duhet zgjidhur me dialog apo mjete tjera politike.


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë nuk i njohin fare, madje i quajnë të papranueshme strukturat paralele serbe në Kosovë, apo, siç thuhet, strukturat që kanë për qëllim t’i minojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Vendimi i fundit i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës, kishte nxitur reagime të ashpra në Prishtinë, sipas të cilave nuk përjashtohej as përdorimi i forcës për t’i shuar strukturat e tilla, siç thuhet, jolegale.

Megjithatë, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë theksojnë se forca nuk është mjet që mund të zgjidhë këtë problem. Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Endi Mekgafi, jep vlerësimin e institucionit që ai përfaqëson në lidhje me këtë temë:

“Kosova ka një sistem legjitim gjyqësor, sikurse që ka struktura legjitime në fusha të tjera të qeverisjes. Ne mendojmë se veprimet, të cilat janë destruktive dhe të dizajnuara për t’i minuar strukturat legjitime të Kosovës, përfshirë ato të gjyqësorit, janë të papranueshme”.

Qëndrimit të ICO-së i bashkëngjitet edhe misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit. Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, thekson se në asnjë vend në Bashkimin Evropian nuk ka dy sisteme gjyqësore që veprojnë në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend.

EULEX-i, thotë ai, ka për mision t’i asistojë vetëm institucionet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.

“EULEX-i nuk i njeh të ashtuquajturat struktura paralele serbe. Mandati ynë është i qartë dhe derivon nga Plani i përbashkët i veprimit i 27 vendeve anëtare të BE-së, sipas të cilit ne jemi këtu për t’i asistuar institucionet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit”, thotë Lamfalusi, duke përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës në këtë drejtim.

“Ne besojmë se dialogu është rruga më e mirë përpara dhe jo përdorimi i forcës”, thekson ai.

Ditë më parë, zyrtarë të Qeverisë së Serbisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se për vitin 2010 synojnë të investojnë me miliona euro në mbështetje të strukturave paralele, që veprojnë brenda territorit të Kosovës.

Përfaqësues të ekzekutivit kosovar kanë deklaruar se sfidë e vazhdueshme për institucionet vendore mbetet luftimi i këtyre strukturave, sidomos në pjesën veriore të vendit. Mirëpo, vetë Plani i Ahtisarit mundëson lidhje të caktuara ndërmjet institucioneve të Serbisë dhe zonave të banuara me serbë në Kosovë.

Sidoqoftë, zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, heq dilemën nëse do t’i shërbenin këto raporte forcimit të strukturave paralele serbe në Kosovë.

“Mendoj se fokusi është të jesh konstruktiv. Dispozitat e Planit të Ahtisarit parashohin veprime dhe bashkëpunim konstruktiv, siç është transparenca në financimin e shërbimeve të caktuara publike në zona të caktuara në Kosovë, pra siç është pjesëmarrja në institucione të caktuara të Kosovës”, përfundon Mekgafi.