Kosova në 2009-ën

Incidente ndëretnike në Mitrovicë - Ditët e para të fillim-vitit kishin shënuar incidente ndëretnike në veriun e Mitrovicës, të cilat, si pasojë, kishin lënë disa persona të lënduar dhe dëmtime në pronën private të qytetarëve. Zyrtarët kosovarë kishin akuzuar Beogradin se, përmes strukturave paralele të sigurisë, po nxiste tensione ndëretnike.

Një vit shtet - 17 Shkurti i 2009-ës ka shënuar përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës. “17 Shkurti mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila brenda mban shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme”, ka deklaruar, mes tjerash, presidenti Fatmir Sejdiu, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës kanë marrë urime edhe nga liderët tjerë vendorë si dhe përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë.

Sejdiu e Thaçi në Uashington - Vetëm disa ditë pas, zyrtarët e lartë të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, u takuan në Uashington me nënpresidentin e SHBA-ve, Xhozef Bajden, dhe me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, e cila vuri në pah se SHBA-të do t'i qëndrojnë pranë Kosovës .

Të akuzuarit serbë - Në anën tjetër, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka liruar nga akuzat ish-presidentin serb, Millan Millutinoviq. Ai akuzohej për orkestrimin e fushatës së vrasjeve, torturave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999. Pesë zyrtarët e tjerë serbë, që përballeshin me akuza të ngjashme, u dënuan me 15 deri në 22 vjet burgim. Vendimi i Gjykatës ka ngjallur reagime të ndryshme në Prishtinë.

Serbët përleshen me policinë - Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike ishte bërë shkak i protestave serbe në fshatin Shillovë të Komunës së Gjilanit. Ato kishin eskaluar në përleshje në mes të protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Përvjetori i bombardimeve - Më 24 mars u shënua përvjetori i dhjetë i bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. Nga udhëheqësit kosovarë kjo u vlerësua si ngjarje historike, që i parapriu çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si shtet tashmë i njohur ndërkombëtarisht.

Veteranët dhe invalidët e luftës në grevë - Por, edhe pse dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, pakënaqësitë e veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së vazhdonin. Ata ishin futur në grevë, për të kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin masa për krijimin e kushteve më të mira për jetë dhe trajtim dinjitoz për të gjithë ata që kanë luftuar për pavarësinë e vendit.

Tadiq në Kosovë - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka qëndruar në Kosovë, për të vizituar Manastirin e Deçanit, në vigjilje të Pashkëve ortodokse. Ai, me këtë rast, ka dhënë mesazhe paqeje për, siç ka thënë, “serbët, shqiptarët, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë”.

Ndërtimet në Kroin e Vitakut - Rindërtimi i shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut është përcjellë me incidente, për shkak të kundërshtimit që i kanë bërë këtij procesi banorët lokalë serbë. Incidentet në veri kanë nxitur madje edhe reagimin e Bashkimit Evropian, i cili ka dënuar dhunën.

Anëtarësimi në FMN - Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zyrtarizuar anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion. Mbështetja e Kosovës prej 96 shteteve që të bëhet anëtare e barabartë e FMN-së paraqet njohje të subjektivitetit shtetëror të Kosovës, kishte deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Bajden në Kosovë - "Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse ruajtja e tërësisë territoriale të saj mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka thënë në Prishtinë, nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden. Gjatë vizitës së cilësuar si historike, ai është pritur si hero, në një atmosferë festive, me rrugë të stolisura me mbishkrime mikpritjeje e flamuj amerikanë.

Përurimi i tunelit në Kalimash - Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, kanë përuruar tunelin në Kalimash, në rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë. Berisha dhe Thaçi, në mënyrë simbolike, ishin takuar në mes të tunelit, i cili ka një gjatësi prej 5.6 kilometrash.

Kosova, anëtare e Bankës Botërore - Kosova u anëtarësua në Bankën Botërore. Këtë lajm e kishte bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili këtë hap e kishte vlerësuar si pozitiv për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës.

10 vjet të NATO-s në Kosovë - Dita kur NATO hyri në Kosovë është vlerësuar nga zyrtarët kosovarë si njëra prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Ata kanë thënë se ndërhyrja e NATO-s paraqet kurorëzimin e aspiratave shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Arrestimi i Çekut - Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ishte arrestuar në Bullgari, në bazë të një fletarrestimi të Serbisë. “Agim Çeku është arrestuar në Geshevo, kur ai ka hyrë në Bullgari, në bazë të një kërkese të Interpolit”, kishte njoftuar zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të këtij vendi, Diana Jankulova. Ai u lirua pas një seance dëgjimore, me ç'rast ka thënë: “Nuk jam shtetas serb dhe kurrë nuk do të jem. Serbia nuk mund të kërkojë ekstradimin e shtetasve të huaj”.

Rasmusen vizitoi Kosovën - Gjatë një vizite që i bëri Kosovës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se e vlerësonte lart angazhimin e lidershipit kosovar në përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare dhe se ishte i impresionuar me përparimin që është bërë gjatë viteve të fundit. “Kemi vendosur të reduktojmë numrin e trupave gjatë viteve të ardhshme, por do të theksoja se ky vendim vetëm reflekton zhvillimin e situatës së sigurisë në Kosovë”, ka thënë, ndër të tjera, Rasmusen.

Kosova zë vendin e tretë - Kosovarja Marigona Dragusha ka marrë vendin e tretë në garën e bukurisë me karakter ndërkombëtar “Miss Universe”. Në mesin e 15 finalisteve ishte edhe miss Shqipëria.

Aksion i "Vetëvendosjes" - Rreth 28 vetura të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë janë dëmtuar gjatë një aksioni të Lëvizjes Vetëvendosje, që është ndërmarrë në Prishtinë. Këto veprime janë dënuar nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vend.

Nënshkruhet protokolli EULEX-Serbi - EULEX-i dhe Qeveria e Serbisë kanë nënshkruar protokollin e shumëpërfolur për bashkëpunim policor. Nënshkrimi i marrëveshjes ishte konfirmuar nga zëdhënësi i misionit të BE-së, Kristof Lamfalusi.

Protestë kundër protokollit - Mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë kundër protokollit EULEX - Serbi. Protesta ishte organizuar nga rrjeti i organizatave joqeveritare, të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në grevë urie - Gjashtë gra të shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur “Thirrjet e nënave” u futën në grevë urie. Ato kërkonin identifikim të përshpejtuar të mbetjeve mortore. Pavarësisht përpjekjeve, zyrtarët qeveritarë deklaronin se procesi i identifikimit nuk mund të bëhet në afat të shpejtë.

Lirohen të akuzuarit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi - Gjykata për krime të luftës në Beograd ka liruar ish-pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, të cilët akuzoheshin për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, në vitin 1999.

Vanesa Redgrejv vizitoi Kosovën - Aktorja e njohur britanike, Vanesa Redgrejv, ka qëndruar në Kosovë. Ajo kishte thënë se ndihej me fat për vizitën që mundi t’i bëjë Kosovës. Skulptori kosovar, Luan Mulliqi, i kishte dorëzuar fitueses së çmimit Oskar një dhuratë - një skulpturë, e cila simbolizon nënat shqiptare, të cilat vazhdojnë t’i kenë të zhdukur familjarët e tyre.

Nis fushata parazgjedhore - Më 15 tetor është hapur zyrtarisht fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Në këto zgjedhje do të merrnin pjesë 74 subjekte politike, nga të cilat 37 shqiptare, 21 serbe dhe të tjerat nga komunitetet tjera pakicë. Hapjes së fushatës elektorale i kishte paraprirë nënshkrimi i Kodit të Mirësjelljes nga ana e përfaqësuesve të partive politike.

Tragjedia e Tisës - Nga përmbysja e një barke në lumin Tisa, me rreth 18 shqiptarë nga Kosova, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin ilegalisht, 11 persona janë gjetur të vdekur, 3 kanë shpëtuar dhe 4 të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Tragjedia thuhet të ketë ndodhur midis 14 dhe 16 tetorit. Për të nderuar viktimat, autoritetet shpallën 2 nëntorin ditë zie shtetërore.

Klinton në Kosovë - Në Prishtinë, ka qëndruar ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij, e cila është vendosur në bulevardin që mban pikërisht emrin e ish-presidentit amerikan. Duke përmendur të arriturat e deritashme që prej përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton tha: “Është shumë më e lehtë për njerëzit të ndajnë të ardhmen, nëse mendojnë më shumë për të dhe më pak për të kaluarën”.

Zgjedhjet - Më 15 nëntor, qytetarët dolën në votime për të zgjedhur kryetarët e tyre komunalë dhe përbërjen e asambleve komunale. Me organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve, përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë thanë se Kosova ka kaluar me sukses testin e parë të demokracisë. Këto zgjedhje u vlerësuan lart edhe për shkak të pjesëmarrjes së komunitetit serb.

Fitore... - Pak pas mesnatës, partia më e madhe në pushtet, PDK-ja, shpalli fitoren në 20 komuna.

Fitore... - Po atë natë, partneri i koalicionit shpalli fitoren në kryeqytet...

Koalicioni - Një lajm i transmetuar nëpërmjet titrave në ekranet e mediave vendore, thoshte se LDK-ja do të përjashtohej nga koalicioni qeverisës. Të nesërmen, PDK-ja dhe LDK-ja, përmes komunikatave për media, bënë të ditur se koalicioni qeverisës vazhdon të funksionojë.

Rasti "Bllaca" - Në qendër të Prishtinës, personi me emrin Nazim Bllaca deklaroi para mediave se "nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione” të, siç ka thënë, “vrasjes, plagosjes, rrahjes e shantazhit të personave të caktuar, të parë si kolaboracionistë të Serbisë, apo si rivalë politikë”. Më 1 dhjetor, një gjykatës i EULEX-it i shqiptoi atij masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Procesi në GJND - Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 1 dhjetor, filloi debati mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë mbështetur: Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania. Në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë kanë dalë: Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami.

Balotazhi - Në Kosovë u mbajt rrethi i dytë i votimeve, por, për dallim nga raundi i parë, i dyti është përcjellë me akuza të rrepta për manipulim votash nga dy partitë në pushtet, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike. Me gjithë pohimet për parregullsi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha vlerësime pozitive.

Rivotim - Megjithatë, KQZ-ja vendosi të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, kurse rinumërim votash në Gjilan, për shkak të manipulimeve.