Debati rreth çështjes së emrit me Greqinë ka shkaktuar ndarje të mëdha në shoqërinë maqedonase. Intelektualët, por edhe qytetarët etiketohen mes vete si patriotë dhe tradhtarë, përkatësisht në mbrojtës të interesave kombëtare maqedonase dhe në kundërshtarë të tyre.
Patriotë dhe tradhtarë - kjo është ndarja më e shpeshtë që ndodh kohëve të fundit midis qytetarëve, për shkak të qëndrimeve të ndryshme rreth zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme shtetërore, siç është aktualisht kontesti me Greqinë.
Anastas Vangeli, ekspert i studimit të nacionalizmit, thotë se aktualisht ka mbrojtës të vetëshpallur të interesave kombëtare maqedonase, të cilët krijojnë stereotipa se dikush është tradhtar.
“Në rastin tonë, pikërisht përfaqësuesit e shtetit janë ata që e përforcojnë këtë ndarje, për shkak të së cilës manifestohet hapur jotolerancë dhe dëshirë për qërim hesapesh me ata që nuk mendojnë njësoj si ata”, shprehet Vangeli.
Analisti politik, Alajdin Demiri, thotë se kjo ndarje ndodh pasi VMRO-DPMNE-ja në pushtet tenton që të promovohet si mbrojtëse e shtetit, por edhe e kombit maqedonas.
“Kombet krijohen më herët ose më vonë, shtetet krijohen më herët ose më vonë. Të gjitha këto janë probleme, të cilat VMRO-DPMNE-ja me shumë sukses, deri më tani, është duke i përvetësuar dhe kërkon diferencim të egër të atyre që nuk kanë menduar si ata. Kjo mund të sjellë deri në trazira dhe shqetësime në korpusin maqedonas”, thotë Demiri.
Ndërsa, eksperti i historisë, Jovan Donev, thekson se momentalisht zhvillohet debat serioz lidhur me atë se çfarë do të thotë ndërrimi i emrit.
“Kur nuk keni debat, faza e dytë e debatit është etiketimi. Nëse keni argumente, jepen etiketa dhe pastaj ndodhin problemet. Mendimet e ndryshme janë shumë normale në shoqëritë demokratike”.
“Konfrontimi i mendimeve në këtë rast, është se vallë me çdo kusht duhet ta zgjidhin çështjen e emrit me Greqinë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s?! Debati për emrin është shndërruar në kontest kombëtar maqedonas dhe ai madje është pak i ashpër”, deklaron Donev.
Personalitete politike që angazhohen për kompromis rreth çështjes së emrit me Greqinë, në disa media dhe nga disa intelektualë u akuzuan se janë tradhtarë dhe se punojnë për interesat e Greqisë.
Ndërsa, ata që angazhohen për ndërprerjen e bisedimeve me Greqinë, janë akuzuar për skepticizëm rreth integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.