Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë thonë se, në vitin 2010, me buxhetin prej rreth 40 milionë eurosh të dikasterit të veçantë ministror, do t’i mbështesin strukturat paralele serbe që veprojnë në Kosovë.
Qeveria e Serbisë planifikon të vazhdojë financimin e të ashtuquajturave struktura paralele serbe në Kosovë, edhe për vitin 2010.
Parlamenti i Serbisë, më 21 dhjetor, miratoi Ligjin për buxhetin e 2010-ës, i cili parashikon të ardhura prej 7, 2 miliardë eurosh dhe shpenzime prej 8, 4 miliardë eurosh, përfshirë rreth 1, 2 miliard euro deficite të mbetura nga viti 2009.
Nga ky buxhet për Ministrinë Serbe për Kosovën janë ndarë diku 42 milionë euro, prej të cilave një pjesë e madhe do t’u dedikohet projekteve të ndryshme në Kosovë.
Këtë e konfirmon sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili thekson se, përveç këtyre mjeteve, do të këtë investime shtesë për Kosovën, ngase, siç thotë ai, secila ministri në Qeverinë e Serbisë ka buxhet të veçantë për Kosovën.
Duke ritheksuar mohimin e shtetit serb ndaj Pakos së Ahtisarit, Ivanoviq thotë se mbështetja e ekzekutivit të Serbisë do të vlejë për të gjitha zonat e banuara me serbë në Kosovë.
“Ato komuna, në sistemin tonë, nuk janë të njohura si të tilla. Por, komuna e Ranillugut, për shembull, është pjesë e komunës së Kamenicës së Kosovës. Nëse ndonjëherë do të formohet komuna e Parteshit, ajo do të jetë pjesë e komunës së Gjilanit në sistemin tonë”.
“Kështu që, ne, sjelljen dhe qasjen tonë, duhet t’ia përshtatim sistemit tonë dhe kushtetutës sonë”.
“Sipas kushtetutës sonë, ato komuna, për të cilat po flisni ju, pa marrë parasysh që janë të nevojshme për komunitetin serb, janë të mirëseardhura, ne nuk i njohim si të tilla”, shprehet Ivanoviq, duke e quajtur në këtë aspekt të parëndësishme ndarjen, e cila, siç thotë ai, bëhet nga krijimi i komunave të reja me shumicë serbe, si: Graçanica, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, që dalin nga projekti i decentralizimit të Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, presin një mbështetje financiare të Beogradit zyrtar edhe për vitin e ardhshëm.
Sipas kryetarit të Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, investimet serbe janë më të nevojshme në shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera, për të gjitha zonat e banuara me serbë në Kosovë, pa marrë parasysh se për cilat komuna bëhet fjalë.
“Unë mendoj se kjo nuk ka asnjë lidhje me komunat e reja – pra, në zonat ku u zhvilluan zgjedhjet serbe dhe në të gjitha mjediset, pa marrë parasysh nëse ato janë komuna të reja ose jo”, thotë Veliq.
Investimet e Serbisë në Kosovë janë të mirëseardhura edhe nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në realizimin e këtyre investimeve duket se ekziston një kusht, në respektimin e të cilit këmbëngulin përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se të gjitha investimet, të cilat Qeveria serbe planifikon t’i bëjë në Kosovë në të ardhmen, duhet të kalojnë përmes sistemit bankar të shtetit të Kosovës.
“Ajo që dihet, është se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet ta japë pëlqimin për një donacion të tillë, se a ndodhet në fushën e përgjegjësive të kësaj komune. I gjithë qarkullimi duhet të shkojë përmes një banke komerciale, siç quhet në Pakon e presidentit Ahtisari, dhe de facto përmes Bankës Kombëtare si informacion”, pohon Ferati.
Këtë e hedh poshtë Ivanoviq, duke qartësuar qëndrimin e shtetit serb në lidhje me këtë temë.
“Me diçka të tillë nuk do të biem dakord kurrë. Kjo është transparente. Është e sigurt se për diçka të tillë nuk do të kërkojmë pajtimin e përfaqësuesve të institucioneve kosovare”, përfundon Ivanoviq.