Partitë politike në Kosovë, që garuan për balotazh në 21 komuna, dhanë vlerësime përgjithësisht pozitive për ecurinë e zgjedhjeve në raundin e dytë. Por, megjithatë, ato tërhoqën vërejtjen për disa parregullsi.
Partitë politike në Kosovë, të cilat kanë garuar për balotazh në 21 komuna të vendit, kanë dhënë vlerësime përgjithësisht pozitive për ecurinë e zgjedhjeve në raundin e dytë.
Sidoqoftë, nuk kanë munguar vërejtjet dhe shqetësimet për parregullsi në vendvotime të ndryshme nëpër disa komuna.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila garoi për balotazh në 17 komuna, shprehu shqetësimet e saj për ecurinë e procesit zgjedhor në Lipjan, Kaçanik, Gjilan e Prizren.
Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, tha se dalja e pjesëtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nëpër vendvotime, gjë që, sipas tij, është evidentuar nga vëzhguesit e kësaj partie në terren, përbën thyerje të Kodit Zgjedhor.
Kjo dhe shkelje të ngjashme, siç theksoi ai, do t’u përcillen autoriteteve përkatëse.
“Të gjitha këto janë pjesë e ankesave që janë paraqitur nga shtabet tona nëpër komuna drejtuar Komisionit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (KZAP)”, tha Stavileci.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë, i quajti të pabaza akuzat e partive të ndryshme adresuar saj dhe njoftoi për tendencat e partive konkurrente që të ushtrojnë presion ndaj votuesve kosovarë.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ndonëse e vlerësoi pozitiv procesin e tërësishëm zgjedhor të së dielës, tha se Rahoveci, Lipjani dhe Malisheva kanë qenë komunat kryesore, ku LDK-ja ka parë parregullsi.
“Ka disa probleme që i kemi evidentuar. Ne i kemi paralajmëruar përmes një letre zyrtare monitoruesit evropianë dhe zyrat diplomatike; paraprakisht, edhe KQZ-në dhe organet kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me nevojën për mobilizim, ristrukturim dhe marrjen e masave për eliminimin e disa problemeve”, tha Haziri.
Kritikat për ecurinë e zgjedhjeve nuk kanë munguar as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidatët e së cilës garuan për të udhëhequr shtatë komuna të Kosovës.
Përfaqësuesi i AAK-së, Avni Arifi, tha se parregullsitë më të shumta që i kanë parë përfaqësuesit e AAK-së nëpër vendvotimet në Kosovë, kanë qenë të lokalizuara kryesisht në komunën e Klinës dhe atë të Vushtrrisë, parregullsi këto, që, sipas tij, do t’i përcillen Komisionit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.
“Natyrisht se ne do të kemi shumë ankesa nëpër shumë vendvotime, ku kemi garuar me Partinë Demokratike të Kosovës. Natyrisht se në KZAP do t’i paraqesim këto ankesa”, pohoi Arifi
Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila garoi në Pejë, Mitrovicë dhe Viti, e cilësoi si të qetë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por theksoi se problematike mbeten tendencat e partive të tjera për manipulime. Zëdhënësi i LDD-së, Armend Baloku, shpjegoi:
“Të gjitha këto janë adresuar në Ambasadën Amerikane dhe në organet tjera kompetente, të cilat duhet t’i shqyrtojnë këto dhe duhet të shohin se si të veprojnë më tutje”, tha Baloku.
Aleanca Kosova e Re, ndërkaq, shprehu shqetësimet për disa vendvotime në Mitrovicë - komuna e dytë, përveç Pejës, në të cilën kjo parti garon për raund të dytë.
Zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci, megjithatë, u shpreh optimist për përfundimin e tërë procesit zgjedhor.
“Kjo mbetet të shihet se sa do ta dëmtojë procesin zgjedhor. Megjithatë, pavarësisht parregullsive, ne po presim rezultat pozitiv në Mitrovicë. Këto dëmtime dhe këto manipulime, nuk mendoj se do të mund ta dëmtojnë rezultatin pozitiv”, theksoi Geci.