Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar si proces të rregullt zgjedhor votimin për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Vlerësim të njëjtë për ecurinë e votimit ka dhënë edhe rrjeti i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim". Pjesëmarrja në balotazhin e së dielës ishte 37.88 për qind.
Qendrat e votimit, të hapura mëngjesin e së dielës, për të mundësuar votimin për kryetar në 21 komuna të Kosovës, janë mbyllur në orën 19:00.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, bëri të ditur se në balotazhin e 13 dhjetorit votuan 37. 88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
“Numri i përgjithshëm i votuesve që kanë dalë sot në votim, është 376,337 persona ose 37. 88 për qind”, tha Lushta në një konferencë për gazetarë.
Incidentet e evidentuara edhe nga shoqëria civile janë vlerësuar si minore dhe pa ndikim në procesin e tërësishëm zgjedhor.
“Procesi i balotazhit ka shkuar në rregull. Vendvotimet kryesisht janë hapur me kohë. Ka pasur shumë vonesa të vogla vetëm në dy vendvotime. Dalja e qytetarëve ka qenë e mirë”, tha Lushta.
Në anën tjetër, rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që ka monitoruar raundin e dytë të zgjedhjeve, bëri të ditur se procesi i votimit në përgjithësi ishte i qetë.
Drejtuesi i rrjetit Ismet Kryeziu i tha Radios Evropa e Lirë, se në balotazh janë regjistruar më pak parregullsi sesa në zgjedhjet e 15 nëntorit.
“Mendoj se për dallim nga dita e zgjedhjeve më 15 nëntor, sot kemi hasur në parregullsi më të pakta dhe disa incidente të izoluara, të cilat nuk e kanë penguar procesin. Sot, kosovarët si shoqëri dhe si qytetarë kanë dëshmuar se kanë mbajtur zgjedhje të lira, demokratike dhe fer”, tha Kryeziu.
Gjatë ditës, rrjeti “Demokracia në Veprim” ka raportuar parregullsi të natyrës si rrahje të simpatizantëve, duel verbal mes vëzhguesve, votime të dyfishta e votime familjare. Por, Kryeziu pohoi se të gjithë këto nuk do të cenojnë procesin si tërësi.
“Si Kosovë, si tërësi, mendoj se këto parregullsi që i kemi hasur nuk e ndikojnë procesin”, tha Kryeziu.
Ndryshe, edhe kësaj here, në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë, komunë kjo ku garuan kandidati i PDK-së dhe ai i AKR-së, nuk u hapën vendvotime të rregullta, por u dërguan ekipe mobile.
Rrjeti Demokracia në Veprim” ka pasur 1,243 vëzhgues në terren. KQZ-ja dhe ky rrjet pritet që rreth mesnatës ose në orët e para të mëngjesit të dalin me rezultatet preliminare.
Votimet për balotazh u monitoruan edhe nga vëzhgues të misionit evropian ENEMO.
Në garën e sotme për balotazh morën pjesë 17 kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, 12 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, 7 të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, 2 të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, 1 i Aleancës Kosova e Re, 1 kandidat i pavarur dhe 2 kandidatë nga subjektet politike serbe.