Përleshje në Iran

Iran, 7 dhjetor 2009.

Policia iraniane raportohet të ketë përdorur gazin lotsjellës dhe shkopinjtë për të shpërndarë protestuesit e opozitës, të cilët brohorisnin parulla antiqeveritare në qendër të Teheranit. Protesta u mbajt në ditën kur Irani përkujton vrasjen e tre studentëve në vitin 1953 nga ish-Shahu.

Kritikët e zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale kanë premtuar se do ta shfrytëzojnë këtë ditë për të treguar, siç kanë thënë ata, se lëvizja reformatore e Iranit është ende e fortë.

* * * * * * * * * *

Policia speciale e Iranit ka rrethuar Universitetin e Teheranit, më të madhin në vend, në përpjekje për t’i ndaluar planet opozitare me organizimin e protestave antiqeveritare.

Dëshmitarët kanë thënë se qindra forca të sigurisë ishin vendosur kudo rreth Universitetit si dhe në rrugët pranë tij.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar një ueb-faqe të opozitës të ketë thënë se të paktën dy femra u arrestuan sot, jashtë Universitetit. Të dyja u tha se kanë pasur shirita të gjelbër, gjë që simbolizon mbështetjen për opozitën.

E njëjta ueb-faqe reformatore, sipas Reutersit, ka pohuar se rrjeti kryesor i telefonisë celulare në Teheran ishte mbyllur.

* * * * * * * * * *

Autoritetet, më 5 dhjetor, kanë ndaluar mediat e huaja që të raportojnë mbi protestat në Ditën e Studentëve, në përpjekjet e tyre të fundit për të penguar përsëritjen e ngjarjeve pas-zgjedhore të qershorit, ku u kërkua rënia e presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Opozita, e udhëhequr nga ish-kryeministri Mir Huseni Musavi, i ka hedhur poshtë votimet, duke konsideruar se ka pasur mashtrime.

Në një deklaratë në ueb-faqen e tij, Musavi ka thënë se protestat e opozitës do të vazhdojnë një kohë të pacaktuar. Ai ka thënë se edhe nëse autoritetet do t’i shtypin protestat e sotme, do të vijë e nesërmja, e pasnesërmja...

Ndryshe, shpejtësia e internetit thuhet të jetë ngadalësuar në mënyrë dramatike ditën e fundit, në përpjekje për të penguar komunikimin e opozitës.

Associated Press ka cituar banorët e kryeqytetit duke thënë se nuk ishin në gjendje për të hyrë në email dhe se ishte forcuar bllokimi i ueb-faqeve opozitare nga ana e qeverisë.