20-përqindëshi i vonuar

Deri më tani, nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore janë grumbulluar 418 milionë euro.

Mbi 83 milionë u takojnë punëtorëve, nga të cilat, sipas raportit të fundit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, punëtorëve u janë shpërndarë 19.2 milionë euro.

Mosshpërndarjen e 20 përqindëshit, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e quajnë shkelje ligjore nga ana e Odës së Veçantë. Kryetari i Sindikatës, Haxhi Arifi, thotë:

“Adresa e mospagesës së 20-përqindëshit është pikërisht Oda e Veçantë, sidomos për vitin 2009, pasi që ky komision është funksional dhe ka finalizuar listat. Ata mund të nxjerrin probleme për gjera të imëta, por kjo është një përgjegjësi e tyre”.

Përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishin premtuar se ndarja e 20-përqindëshit do të bëhet në qershor të këtij viti.

Zëvendësdrejtori i AKP-së, Shkumbin Bicaj, kohë më parë, kishte deklaruar se kanë kryer të gjitha procedurat për ndarjen e 20-përqindëshit dhe, siç kishte thënë ai, AKP-ja do të bënte shpërndarjen në momentin kur Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës do të dilte me një vendim.

Ndërkohë, një problem tjetër që e përcjell këtë proces, sipas përfaqësuesve të BSPK-së, është emërimi i gjykatësve. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, thotë se Oda e Veçantë duhet të emërojë 20 gjyqtarë, 13 prej të cilëve duhet të jenë ndërkombëtarë dhe 7 vendorë.

“Kjo nuk do shumë koment. As ndërkombëtarët e as Ministria e Drejtësisë, deri më tani, nuk kanë emëruar gjyqtarët, të cilët do të shqyrtonin problemin për të zhbllokuar pagesën e 20-përqindëshit”, thotë Arifi, për të shtuar se ky proces është duke u neglizhuar si nga vendorët, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Çështja e ndarjes së 20-përqindëshit që u takon punëtorëve, sipas ekspertit për çështje ekonomike, Bedri Selmanaj, është një problem juridik. Si pasojë e këtyre vonesave, ai thotë se janë shfaqur pakënaqësi të shumta lidhur me shpërndarjen e këtyre mjeteve.

“Kjo e vështirësoi këtë çështje më shumë kur ish-ndërmarrjet nuk kanë mundur të kenë epilog gjyqësor. Dhoma e veçantë është ajo, e cila ka vendosur për këto lëndë”.

“Efikasiteti për këto mjete duhet të kërkohet nga Dhoma e Veçantë dhe ky proces nuk duhet të zvarritet. Janë 80 për qind që duhet të jenë çështje e mbulimit ndaj të gjithë atyre që kanë mbetur të kryhen obligimet”, thotë Selmanaj.

Ndryshe, në Prishtinë organizohen protesta të kohëpaskohshme të punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara, të cilët kërkojnë ndarjen e 20-përqindëshit.