Kushtet në repartin e kirurgjisë vaskulare


Reparti i kirurgjisë vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës përballet me probleme të natyrave të ndryshme. Aty mungojnë edhe gjërat elementare, të nevojshme për trajtimin e pacientëve. Këtë e pohon vetë shefi i këtij reparti, Eshref Osmani.

“Javën e kaluar kemi pasur pacientë të plagosur dhe është punuar në operacione rreth 9 orë. Kemi pasur vështirësi për shkak të materialit, pikërisht për penjtë adekuatë për qepjen e enëve të gjakut”, thotë Osmani.

Osmani tregon se si reparti i kirurgjisë vaskulare, vite me radhë, ndihmohej nga donacione të ndryshme dhe organizata humanitare ndërkombëtare. Por, me ndërprerjen e ndihmave, sipas tij, ky repart përballet me mungesën e materialeve shpenzuese, barnave e të tjera.

“Kemi kuadër të mirë, kapacitete njerëzore, mirëpo mungesat e shumta të materialeve bëjnë që pacientët të presin një kohë të gjatë për diagnostikim dhe e vështirësojnë punën tonë”, thotë ai.

Numri i të sëmurëve që frekuentojnë repartin e kirurgjisë vaskulare në Prishtinë është i madh, përfshirë pacientë nga Kosova dhe rajoni. Mjeku Eshref Osmani përmend raste kur pacientët, për shkak të pritjeve të gjata, kanë pësuar edhe fatalisht.

“Gravitojnë shumë pacientë, krejt Kosova, pjesa e Medvegjës, Bujanocit, Shqipëria veriore dhe kjo është qendër referente për 2.5 milionë banorë. Duhet ndihmë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, organizatave humanitare, qeverisë...”, shprehet Osmani.

Me gjithë kushtet jo të mira në Qendrën Klinike Universitare, pacientët janë të kënaqur me kujdesin e mjekëve. Kështu thotë Bajram Gashi, pacient.

“Doktorët po na ndihmojnë, jam i kënaqur shumë me kujdesin e tyre ndaj meje. Mirëpo, barnat duhet t’i blejmë, edhe pse disa prej tyre na i jep spitali”,
thotë ai.

Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka rritur buxhetin krahasuar me vitin e kaluar. Zëdhënësi Faik Hoti thotë se kjo ministri ishte e angazhuar të bëjë një përmirësim shumë më kualitativ këtë vit.

“Vitin e kaluar ka qenë 8 milionë euro, këtë vit është 20 milionë euro. Ministria nuk e mohon që mund të ketë telashe, sepse ndodh që vonohen porositë, por sivjet është shumë më mirë se vitin e kaluar”, thekson Hoti.

Sipas Hotit, sa i përket furnizimit me barna dhe materiale shpenzuese, për çka është e obliguar Ministria e Shëndetësisë, listën e bëjnë ekspertët e klinikave shëndetësore, ndërsa sa i përket cilësisë dhe a përfshihen të gjitha apo jo, ministria nuk merr përgjegjësi.