Antibiotikët, pa recetë



Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, antibiotikët për 60 vjet me radhë kanë qenë parandaluesit kryesorë të sëmundjeve të ndryshme. Megjithatë, shumë antibiotikë tashmë kanë humbur efikasitetin dhe ka lindur nevoja e kërkimeve të reja alternative për zëvendësimin e tyre.


Por, në Kosovë, antibiotiku vazhdon të jetë bari më i preferuar për trajtimin, madje edhe të ftohjeve më të lehta. Ky bar shitet në pjesën më të madhe të farmacive pa pasur recetën e mjekut.

Këtë përvojë e ka edhe Flutura Kastrati, qytetare.

“Më ndodh shpeshherë, ose e harroj recetën në shtëpi, ose s’kam kohë ta dërgoj fëmijën te mjeku. Tash jam mësuar për çka ankohet fëmija dhe pa problem e marr antibiotikun në barnatore”,
shprehet Kastrati.

Edhe Fllanza Berisha, qytetare, gjithashtu thotë se në farmaci mund të blihet pa recetë çfarëdo lloj bari.

“Zakonisht konsultohem me mjekun, por e di që në barnatore merret lirisht pa recetë bari
”, thotë Berisha.

Ka edhe të atillë që, megjithatë, parapëlqejnë të konsultohen fillimisht me mjekun rreth përdorimin e antibiotikut.

Një prej tyre është Ferdane Bellopoja, e cila thotë:

“Gjithmonë i marr me recetë të mjekut, edhe antibiotikun edhe krejt barnat. Pa recetë nuk marr barna dhe nuk kam tentuar asnjëherë të shkoj në farmaci të blej barna pa rekomandimin e mjekut”.


Por, Gyner Maksuti, farmacist në Prishtinë, thotë se në farmacitë e vendit nuk shiten antibiotikët pa recetë, përpos në disa raste specifike.

“Nuk jepet, vetëm në disa raste specifike. Mirëpo, në barnatoret e qytetit, në Prishtinë nuk ka ndodhur të jepet antibiotiku pa recetë, për shkak të efekteve anësore, alergjisë për shembull. Përndryshe nuk e preferojmë”,
shpjegon Maksuti.

Përdorimin e shpeshtë të antibiotikëve, pa recetë të mjekut, e kundërshtojnë autoritetet shëndetësore.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se së shpejti do të nxirret ligji që do të vërë sanksione rreth mënyrës së përdorimit të antibiotikëve.

“Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, Ministria e Shëndetësisë ka arritur të nxjerrë udhëzimin administrativ për recetën dhe për dokumentacionin unik shëndetësor, ku precizohet qartë se barnat do të jepen që nga viti i ardhshëm vetëm me recetë të mjekut, sepse deri tash kanë mund të merren pa recetë”, sqaron Hoti.

Sipas Hotit, pas punës njëvjeçare nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është bërë testimi në Qendra të Mjekësisë Familjare dhe, si rrjedhojë e kësaj, do të shkohet edhe me implementimin e dhënies së antibiotikëve vetëm me recetë dhe përfundimisht do të vendoset një rregull, sa i përket kësaj çështjeje.