Arrijnë vaksinat kundër A/H1N1

Nga Turqia arrijnë 5 mijë dozat e para të vaksinave kundër A/H1N1. Ekspertët thonë se, pas lajmeve për ndryshimet në strukturën e këtij virusi, autoritetet kosovare duhet të jenë më transparente dhe t'u shpjegojnë qytetarëve për efektet eventuale të marrjes së vaksinës.

Arrin në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër virusit A/H1N1, i përbërë nga 5000 doza, të cilat janë donacion i Qeverisë së Turqisë.

Lajmin e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili thotë se këto vaksina pritet që gjatë ditës të vendosen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, përmes të cilit do të fillojë procesi i vaksinimit.

“Janë 5000, doza të cilat janë nga kontingjenti i vaksinave që Turqia i ka blerë për qytetarët e saj dhe me lutje të ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, homologu i tij turk, Rexhep Albak, këtë donacion e ka dedikuar për Kosovën”, konfirmon Hoti.

Deri më tani në Kosovë kanë vdekur dy persona si pasojë e infektimit me virusin A/H1N1, ndërsa thuhet se janë të infektuar edhe dhjetëra të tjerë.

Virusi, i cili ndryshe njihet si gripi i derrit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që nga shfaqja e tij, e deri më tani, ka pësuar mutacion. Mutacioni, sipas OBSH-së, është vërejtur në mostrat e marra te dy persona në Norvegji, të cilët humbën jetën nga ky virus.

Ekspertët për çështje të shëndetësisë në Prishtinë thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet t’ua sqarojë qytetarëve të Kosovës efektet, efektet anësore apo pasojat eventuale që mund të shfaqen pas marrjes së vaksinave kundër virusit që dyshohet se ka pësuar mutacion.

Eksperti Ilir Tolaj shpjegon:

“Ashtu siç janë azhur, në të dhënat për numrin e rasteve, eventualisht të konfirmuara të gripit A/H1N1, duhet të jenë gjithashtu azhur edhe në shpjegimin në ndërrimet e natyrës së kësaj pandemie dhe mutacioneve që po ndodhin në strukturën e këtij virusi. E, rrjedhimisht me këtë, edhe në ndryshimin e efekteve të pritura të vaksinës”.


Mirëpo, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se varet nga vullneti i vetë qytetarëve të vendit të vendosin për përdorimin e vaksinës kundër virusit A/H1N1.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thekson se kjo vaksinë vazhdon të jetë rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë është ajo që ka certifikuar përdorimin e kësaj vaksine, ndërsa çështjet e tjera janë ende pjesë e debateve dhe e diskutimeve e niveleve të ndryshme shkencore”.

“Mirëpo, tash për tash OBSH-ja e ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine dhe ajo që mund të thuhet është se vaksina, megjithatë, nuk është vaksinë e detyruar. Kështu që, secili që dëshiron ta marrë, do ta ketë atë mundësi në Republikën e Kosovës”,
shpjegon Hoti.

Sidoqoftë, Tolaj mendon se institucionet përgjegjëse kosovare nuk duhet të përjashtojnë njohuritë dhe studimet më të fundit të ekspertëve ndërkombëtarë në lidhje me virusin A/H1N1.

“Duhet të merren të gjitha të dhënat pro dhe kontra, dhe të merret një vendim rreth asaj se çfarë benefiti ka kjo vaksinë në dritën e njohurive të reja për këto mutacione që kanë ndodhur në virusin”
, thekson Tolaj.