Partitë politike në Kosovë vazhdojnë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve më 13 dhjetor. Deri në nisjen e fushatës zgjedhore për balotazh, subjekteve garuese politike u kanë mbetur dy javë për të arritur marrëveshje për koalicione në nivel qendror.
Pas zhvillimeve dinamike të ditës së premte në lidhje me të ardhmen e koalicionit qeverisës në nivel qendror mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale po bëhen jashtë marrëveshjes për nivelin qendror.
Ndonëse në marrëveshjen e vitit 2008 thuhej se, “PDK dhe LDK obligohen që në zgjedhjet lokale të radhës, në vitin 2009, dhe në zgjedhjet nacionale të radhës, të garojnë si të vetme dhe pa ndonjë koalicion paraprak”, këto dy parti duket të kenë rënë në ujdi për diçka tjetër.
Tani, LDK, e cila ka fituar në tri komuna, ndërsa është në balotazh edhe në 11 të tjera, po vlerëson specifikat e komunave para se të hyjë në marrëveshje për koalicion me ndonjë parti.
Pas arritjes së marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për komunën e Prizrenit dhe atë të Gjilanit, LDK do të vazhdojë t’i kërkojë partnerët e radhës për 13 dhjetorin.
Të paktën, kështu pohon nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu.
“Ne bëjmë koalicione sipas specifikave të komunave dhe së këndejmi unë nuk mund t’ju jap një regjistër, sepse varet nga komunat, me të cilat ne bëjmë marrëveshje. Me vetë deklaratën e LDK-së, nuk ka kurrfarë konflikti në mes të partnerëve të nivelit nacional, sepse i kemi sqaruar ato punë”, shprehet Kryeziu.
Në dhjetor, Kosova do të hyjë në balotazh në 20 komuna. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetarë komunash fituan në katër sosh, kurse janë në balotazh në shtatë komuna të tjera.
Kandidatët e koalicionit AKR-LDD (Aleanca Kosova e Re – Lidhja Demokratike e Dardanisë), që nuk fituan në asnjë komunë, do të garojnë sërish për tri komuna.
Ndërkohë, kandidatët për kryetarë nga radhët e PDK-së fituan në pesë komuna, ndërsa janë në balotazh edhe në 13 komuna të tjera.
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, thekson se duhet të bëhet një ndarje në mes të koalicioneve për nivelin qendror dhe atij në nivel lokal.
“Niveli lokal i qeverisjes dhe gara për kryetar është diçka që ne e shohim të veçantë nga niveli qendror”, thotë Stavileci - një qëndrim ky që dallon krejtësisht nga deklaratat e mëhershme të përfaqësuesve të PDK-së, të cilët edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e nëntorit vazhdimisht theksonin se LDK-ja po i thyen rregullat e marrëveshjes për koalicion.
Garat kryesore gjatë balotazhit pritet të zhvillohen nëpër komunat e mëdha, siç janë Peja, Prizreni, Gjilani e Mitrovica.
Për këto dhe zona të tjera në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk përjashton asnjë marrëveshje paraprake me partitë e tjera, përveç PDK-së.
“Kërkojmë partnerë sipas specifikave të komunave. Ka diku ku AKR është më e fortë - e marrim, LDD në qoftë se vjen me ne, e marrim, Aleancën e marrim”, thotë Kryeziu.
Deri më tani është vërejtur një potencial më i madh i krijimit të marrëveshjeve për koalicion në nivel lokal ndërmjet LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në javët në vazhdim se cilat do të jenë strukturat e reja që do të krijohen paraprakisht për balotazhin e dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata zgjedhore për kandidatët për kryetar të komunave, të cilët shkojnë në balotazh, të mbahet prej datës 5 deri më 11 dhjetor.