Procesi i privatizimit në enklavat serbe

Brezovica

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve në enklavat serbe, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, është zvarritur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Shmangia nga presionet dhe konfliktet politike, sipas tyre, është arsye e veprimeve të zyrtarëve të AKP-së.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve, thonë ekspertët e ekonomisë, nuk duhet të jetë i ndikuar mbi baza etnike, por duhet të shikohet si një proces, i cili do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik.

Për shkak të përfitimeve që sjell privatizimi i ndërmarrjeve në enklavat serbe, ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt.

Eksperti për çështje ekonomike nga Instituti “Riinvest”, Alban Hashani, thotë se ka probleme në procesin e privatizimit në enklavat serbe, e në veçanti në kompleksin turistik “Brezovica”.

“Ky problem është prolonguar nga AKM-ja për t’iu ikur presioneve dhe konflikteve, e që më shumë kanë të bëjnë me çështje politike”.

“Kam përshtypjen që të njëjtën gjë është duke e bërë edhe AKP-ja, e cila, duke e prolonguar këtë proces, mendon se mund të zvogëlohen tensionet, ose do të zvogëlohet rezistenca e serbëve për t’u futur vullnetarisht në procesin e privatizimit”,
thotë Hashani.

Zvarritja e procesit të privatizimit të kompleksit turistik “Brezovica”, shprehet Hashani, shkakton vetëm probleme në zhvillimin e turizmit, që është një prej resurseve më të mëdha të Kosovës.

Sidoqoftë, zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit vazhdimisht theksojnë se do t’i privatizojnë të gjitha ndërmarrjet, përfshirë edhe ato që gjenden në enklavat serbe.

Zëvendësdrejtori i AKP-së, Shkumbin Bicaj, thotë se do ta përmbushin obligimin ligjor dhe do t’i privatizojnë të gjitha ndërmarrjet që janë në kompetencë të kësaj agjencie, përfshirë edhe Brezovicën.

“Ka pasur vështirësi të mëdha në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve në enklavat serbe, por këto vështirësi janë tejkaluar dhe tani kanë mbetur vetëm çështjet teknike. Për disa është përgatitja më e shkurtër, ndërsa për disa tjera duhet përgatitje më serioze dhe angazhime më të mëdha”, shpjegon Bicaj.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson nevojën për krijimin e ndërtimit të politikave operacionale të shitjeve dhe të blerjeve të kompanive prodhuese, dhe kompanive tjera shërbyese që janë në procesin e privatizimit, në mënyrë që të nxitet punësimi dhe investimet.

“Privatizimi duhet të ndodhë dhe ky po ngec në krahasim me privatizimet që kanë ndodhur më herët, por edhe tërë procesi nuk është duke shkuar me një trend të përshpejtuar, ashtu siç ka shkuar”.

“Ka shumë arsye, të cilat i jep AKP-ja. Ajo çka është më e rëndësishme, privatizimi duhet të ndodhë dhe sa më shumë që zvarritet i dëmton ndërmarrësit, objektet dhe asetet. Qeveria duhet të jetë e vëmendshme, mos ta ndalë këtë privatizim, të promovojë privatizimin dhe të thithë investitorë të huaj dhe vendorë”,
vlerëson Shahini.

Ndërkohë, funksioni i të ardhurave nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe shfrytëzimi ekonomik i tyre, ka mbetur një prej çështjeve tjera më të diskutuara të procesit të privatizimit në Kosovë.

Mbi 400 milionë euro të privatizimit ende mbahen jashtë Kosovës. Ekspertë të çështjeve ekonomike mbesin ithtarë të asaj që këto mjete të kthehen në Kosovë.

Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, thekson:

Këto para, të cilat përfitohen me privatizimin, drejtpërdrejt duhet të futen në buxhetin e Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që qeveria, me këto të para të përfituara nga privatizimi, të rregullojë infrastrukturën rrugore, atë energjetike, tele-komunikuese, zhvillimin e sektorit të shëndetësisë, të sektorit të ujërave etj”.

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në enklavat serbe si dhe kthimi i mjeteve të ndërmarrjeve të shitura gjatë procesit të privatizimit në Kosovë, mbeten disa nga sfidat më të mëdha të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.