Koalicioni prishet, koalicioni mbetet...?!

Qeveria e Kosovës

PDK dhe LDK, përmes komunikatave për media, kanë bërë të ditur se koalicioni qeverisës vazhdon të funksionojë. Këto deklarata kanë pasuar pas njoftimeve për, siç u tha, riformatizimin e përbërjes aktuale të qeverisë.



Njoftimet për, siç thuhej, prishjen e koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë hedhur poshtë nga vetë këto dy parti, edhe pse, një natë më parë, zyrtarë të të dyja partive sinjalizuan një gjë të tillë.

Në takime të ndara, kryesitë e të dyja partive kanë konkluduar se vazhdimi i punës së institucioneve është në të mirë të qëndrueshmërisë së vendit.

Një natë më parë, Partia Demokratike e Kosovës, përmes nënkryetarit të saj, Hajredin Kuçi, njoftoi se do të rishqyrtonte koalicionin me LDK-në apo edhe do ta riformatizonte përbërjen e qeverisë, meqë partneri i saj, LDK, “kishte shkelur marrëveshjen e koalicionit”.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, tha se Kuçi e kishte njoftuar personalisht se “PDK-ja ka bërë koalicion me AKR-në dhe LDD-në” dhe se ai duhej ta njoftonte presidentin.

Por, pak para mesditës së të premtes, Partia Demokratike e Kosovës ka ndërruar qëndrim.

Në një komunikatë për media, kjo parti theksoi se “partneriteti i koalicionit në nivel qendror mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe marrëveshjen e koalicionit, deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011”.

Edhe LDK, përmes një komunikate për media, tha se “do të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore, që dalin nga partneriteti në nivel qendror”.

I pyetur për zhvillimet e fundit rreth koalicionit, kryeministri, njëherësh kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, kishte vetëm këtë përgjigje:

“Deklaratat e të dyja partive janë valide”, tha Thaçi, duke iu referuar deklaratave të PDK-së dhe të LDK-së.

Vendimi fillestar i Partisë Demokratike të Kosovës për rishqyrtimin e koalicionit qeverisës pasoi marrëveshjet ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në disa komuna të Kosovës, për bashkëpunim në balotazh në komunat ku dy partnerët e koalicionit konkurrojnë me njëri-tjetrin.

Të gjitha zhvillimet e mbrëmjes së të enjtes mbi prishjen eventuale të koalicionit, nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i quajti “aventurë”.

Duke sqaruar qëndrimet e kryesisë së partisë, Kryeziu nënvizoi se LDK-ja nuk do të kushtëzohet nga PDK-ja mbi koalicionet për balotazh.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit kanë dhënë një provë të fuqishme të pjekurisë dhe demokracisë në Kosovë, në të cilën LDK-ja ka dhënë kontribut madhor. LDK-ja në balotazh do të krijojë partnerë të ndryshëm lokalë, sipas specifikave të secilës komunë”.

“Në të njëjtën kohë, LDK-ja do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore, që dalin nga partneriteti në nivel qendror, e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve qendrore shtetërore të Republikës së Kosovës, presidencës, parlamentit dhe qeverisë, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin",
citoi deklaratën Kryeziu.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka ndërlidhur mosprishjen e koalicionit me proceset që kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës.

“PDK-ja do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtet-ndërtimit dhe unitetit, në prag të procesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pritjes së njohjeve të reja dhe proceseve integruese euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë kërkuar nga partnerët e koalicionit që t’i respektojnë dispozitat kushtetuese.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, tha se po i përcjell me interesim zhvillimet mbi koalicionin qeverisës.

“Unë vetëm mund të them se është me rëndësi që dispozitat e Kushtetutës të respektohen plotësisht. Këto gjëra mund të ndodhin, kjo është demokracia. Pra, varet nga liderët politikë që të gjejnë një rrugëdalje”, tha Feith.

Lëkundjet e mundshme në koalicionin qeverisës janë diskutuar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 15 nëntorit. Të dy partnerët e koalicionit kanë shkëmbyer akuza dhe kundër-akuza gjatë pothuaj tërë fushatës.

LDK-ja, përmes kandidatit për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, kishte thënë se qeveria i kishte ditët e numëruara, për të marrë një kundërpërgjigje nga Hajredin Kuçi se edhe LDK-ja i kishte ditët e numëruara në qeveri.

Kanë qenë vetëm krerët e partive, njëherësh të institucioneve, presidenti Fatmir Sejdiu e kryeministri Hashim Thaçi, ata që kanë përsëritur gjatë dhe pas fushatës se koalicioni ishte stabil dhe funksional.