Knaus: S’ka mjaft përkushtim për evropianizim

Verena Knaus

“Nuk ka përkushtim dhe përqendrim të mjaftueshëm edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës për ta bërë evropianizimin një prioritet parësor”, thotë Verena Knaus, analiste e Iniciativës Evropiane për Stabilitet.



RADIO EVROPA E LIRË

Raportet e fundit të mekanizmave ndërkombëtarë kanë vënë në pah problemet, të cilat vazhdon t’i ketë Kosova kur bëhet fjalë për punën e institucioneve, mediat dhe të tjera. Si e përshkruani ju rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian?

VERENA KNAUS
Mendoj se është një rrugë e gjatë dhe me shumë kthesa për Kosovën, gjë që natyrisht ka të bëjë me statusin special të Kosovës.

Në javët e shkuara ka pasur disa mesazhe të përziera, që mbizotëronin karshi mesazheve kryesisht pozitive, kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane të Kosovës. Ishte natyrisht Raporti vjetor i Progresit, i cili ishte një kritikë e përzier, që njoftonte për objektivat që nuk janë arritur ende, që tregonte fushat në të cilat është i nevojshëm një përqendrim më i madh dhe që theksonte një përparim të kufizuar në disa fusha.

Pastaj ishte dhe Studimi për Kosovën, i cili mendoj se hapi dy tema interesante për Kosovën: njëra ka të bëjë me marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian, ndërsa e dyta ka të bëjë me perspektivën e liberalizimit të vizave dhe përfshirjen e Kosovës.

Sinjalet kanë qenë të përziera. Në Komisionin Evropian dhe te shtetet anëtare të BE-së që kanë njohur Kosovën, ekziston vullneti për të ecur përpara, por ka edhe hezitime e pengesa në këtë rrugë.

Këto kanë të bëjnë me faktin se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e njohin Kosovën, pastaj me faktin se ekziston një skepticizëm për kapacitetin e institucioneve të Kosovës për të filluar procesin.

Ekziston po ashtu një skepticizëm për praninë ndërkombëtare në vend, për gjasat që vazhdimi i pranisë së UNMIK-ut karshi ICO-së dhe EULEX-it do të ishte një pengesë për të ardhmen afatgjate të Kosovës në Evropë.

Natyrisht se ka pastaj skepticizëm sa i përket problemit në lidhje me imazhin e Kosovës në botë, i cili flet ende për të qenët një vend i krimit të organizuar, me institucione të dobëta dhe me sundim shumë të dobët të ligjit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, cilat mendoni se janë sfidat më të mëdha për institucionet kosovare?

VERENA KNAUS
Mendoj se sfida konkrete që mbetet, është se nuk ka konsensus evropian mbi Kosovën. Derisa jo të gjitha 27 shtetet anëtare nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe si partner me të cilin mund të kenë marrëdhënie kontraktuale dhe si shtet të barabartë karshi shteteve të tjera në Bashkimin Evropian, do të jetë shumë e vështirë.

Kjo do të thotë se çdo instancë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian që kërkon marrëdhënie kontraktuale, duke nisur nga marrëveshjet tregtare deri të Marrëveshja për Stabilizim-Asociim e deri te marrëveshjet bilaterale, multilaterale dhe ndërkombëtare në nivelin evropian, do të jetë gjithmonë e veçantë dhe e ndryshme për Kosovën.

Këto do të kërkojnë një konsensus se çka është Kosova karshi Komisionit Evropian dhe karshi shteteve anëtare. Kjo është një pengesë e madhe.

Mirëpo, shikuar nga këndvështrimi i brendshëm në Kosovë, mendoj se ekziston një problem që ka të bëjë me mungesën e përqendrimit në çështjen e integrimit evropian dhe rrugën që duhet ndjekur për t’i adresuar problemet në lidhje me zhvillimin ekonomik, çështjet sociale dhe për të përmirësuar efikasitetin dhe kapacitetet e administratës publike, si dhe për të adresuar shumë çështje politike me të cilat përballet Kosova sot.

Ndjej se nuk ka përkushtim të mjaftueshëm, nuk ka dedikim dhe përqendrim të mjaftueshëm edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës për ta bërë evropianizimin një prioritet parësor.

Çka do të thotë kjo? Kjo nënkupton që do të duhej të punohej shumë më tepër për të arritur njohjen nga të gjitha 27 vendet anëtare dhe për të arritur ndryshimin e pikëpamjeve të 5 shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Kjo do të nënkuptonte po ashtu që evropianizimi me të vërtetë të shndërrohej në prioritet, e jo vetëm atëherë kur publikohet Raporti i Progresit.

Për çdo gjë që do të bëhej, për çdo ligj në të cilin do të punohej dhe për çdo vendim që do të merrej, do të duhej të shtrohej pyetja: A do të na afrojë apo do të na largojë kjo nga perspektiva eventuale e nisjes së procesit?

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flitet për përkushtimin e Kosovës karshi Bashkimit Evropian, a do të duhej Kosova ta themelonte një ministri për integrime evropiane, sikurse që e ka Shqipëria?

VENERA KNAUS
Po, mendoj se ky është një vendim i vonuar. Së pari, do të dërgonte një sinjal të fuqishëm se integrimi evropian është një prioritet qeveritar dhe po ashtu do të lidhte dhe do të përqendronte përpjekjet.

Posedimi i ministrisë për integrime evropiane është krucial në këtë kohë. Është një ministri që do të duhej të punonte më shumë afër me ministritë e tjera, por do të ishte po ashtu një ministri që do të mbante sytë te problemi.

Ajo do të duhej të siguronte që Ministria e Arsimit, Ministria e Ambientit, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Brendshme dhe të gjitha ministritë tjera të vazhdojnë të mendojnë për procesin e integrimit evropian.

Derisa nuk ekziston një prioritet i tërthortë qeveritar dhe ministror, Kosova nuk do të arrijë një përparim të shpejtë sa duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, një proces që lidhet me atë të integrimit evropian është ai i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Cilët mendoni se do të jenë hapat e ardhshëm në këtë drejtim? A mund të shpresojë Kosova për një agjendë zyrtare për viza në vitin 2010?

VERENA KNAUS
Janë dy apo tri procese që zhvillohen paralelisht. I pari ka të bëjë me Komisionin Evropian. Komisioni Evropian ka propozuar, në kuadër të Studimit për Kosovën që u publikua në nëntor, zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe lansimin e një procesi monitorues dhe vlerësues, që eventualisht do të përfundonte me përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Kjo është, në fakt, një rrugë e koduar për të bërë përpjekje për nisjen e një procesi në Kosovë, të ngjashëm me atë në vende të tjera. Pra, një vlerësim, një definim të qëllimeve dhe reformave në formën e një udhërrëfyesi.

Kosova do ta quante atë ‘Strategji Gjithëpërfshirëse’, ndërsa do të zhvillohej një proces vlerësues e monitorues në Komisionin Evropian dhe te vendet anëtare, për të shikuar se ku Kosova ka shënuar përparim dhe ku ka nevojë për përparim të mëtejmë.

Kjo, eventualisht, do të çonte në përmbushjen e kritereve nga Kosova, si parakusht për liberalizimin e vizave. Lista e kritereve përbëhet nga rreth 53 pikë, që kanë të bëjnë me formën dhe sigurinë e pasaportave - pasaporta biometrike, sigurinë e kufijve, institucionet anti-korrupsion, mbrojtjen e të dhënave, riintegrimin e minoriteteve, marrëveshjet për riatdhesim dhe të tjera. Ky është njëri drejtim.

Drejtimi i dytë ka të bëjë me Parlamentin Evropian, i cili në javët e kaluara ka qenë shumë i zëshëm, duke kërkuar që edhe Kosovës t’i jepet e njëjta mundësi dhe i njëjti trajtim sikurse vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në mënyrë specifike është kërkuar që Kosovës t’i jepet një udhërrëfyes, të jetë e përfshirë në proces dhe të ekzistojë një perspektive e qartë se me përmbushjen e kritereve, të gëzojë udhëtimin pa viza dhe se kjo gjë të jetë neutrale karshi statusit.

Pra, pavarësisht asaj se a e njohin apo jo Kosovën të gjitha 27 shtetet anëtare, procesi për viza do të duhej të vazhdonte dhe Kosovës do të duhej t’i jepej e njëjta mundësi. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.

Procesi i tretë varet individualisht nga shtetet anëtare, që po diskutojnë miratimin e propozimeve të tilla. Këto shtete duhet t’i dëgjojnë më tepër këshillat e Parlamentit Evropian, veçanërisht tani, kur ka gjasa që të jetësohet Marrëveshja e Lisbonës, me të cilën do të rritej rëndësia e vendimeve të Parlamentit Evropian për çështjet si liberalizimi i vizave.

Shtetet anëtare natyrisht se po i marrin parasysh sinjalet e Komisionit dhe të Parlamentit Evropian, por ka edhe shqetësime. Shumë shtete anëtare u frikësohen migrimeve ilegale, krimit të organizuar dhe mosgatishmërisë së Kosovës.

Por, ajo që mund të bëjë Kosova, është të nxisë dhe të demonstrojë se është e përkushtuar për zbatimin e reformave dhe për përmbushjen e kritereve. Po ashtu duhet të tregohet përkushtimi për bashkëpunim me Parlamentin Evropian dhe shtetet anëtare që duan të përfshijnë Kosovën, në mënyrë që të binden shtetet e tjera për t’ia dhënë Kosovës së paku mundësitë e njëjta sikurse vendeve të tjera në rajon.

E kjo gjë të ishte neutrale karshi statusit, që Kosova të mos mbetet peng i statusit dhe që qytetarët e Kosovës të mos mbeten peng e të mos përfundojnë duke jetuar në një geto, vetëm për shkak se nuk ka konsensus për statusin e Kosovës.