Zgjedhje korrekte dhe me sfida


Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian që po qëndrojnë në Kosovë për t’u njoftuar për së afërmi me ecurinë e zgjedhjeve lokale në vend, e kanë cilësuar si korrekt procesin e deritashëm zgjedhor në komunat e Kosovës.

Gjatë një konference për media, kryesuesja e delegacionit evropian, Doris Pack, tha se dalja e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 2009-ës në Kosovë, dëshmon gatishmërinë e vendit për të ecur drejt rrugës evropiane.

Ajo theksoi se zgjedhjet janë organizuar në mënyrë të drejtë, ndërsa dalja e qytetarëve në zgjedhje, sidomos e pjesëtarëve të komunitetit serb, ka qenë më e madhe sesa në zgjedhjet e kaluara.

“Duhet t’i përgëzojmë qytetarët e Kosovës, pjesëmarrjen mund të them të lartë dhe kjo tregon se ata e kanë kuptuar se duke qenë të pavarur, duhet të marrësh përgjegjësi dhe t’i tregosh botës se ata janë me të vërtetë të gatshëm të ecin përpara në rrugën evropiane”, tha Pack.

Eurodeputetja Pack vlerësoi lart edhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Ajo përjashtoi mundësinë për mashtrime, duke thënë se shtyrjet e publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja kanë të bëjnë me rëndësinë e verifikimit të të dhënave nga ky institucion.

“Mendoj se procedurat kanë qenë korrekte. Numërimi, për aq sa di unë, ka qenë korrekt dhe ka pasur probleme që duhet të kontrollohen. Mendoj se është mirë që ajo (Nesrin Lushta) vepron arsyeshëm, nëse nuk jep rezultate preliminare, pa qenë e sigurt se ajo që thotë, nuk do të kundërshtohet nga dikush tjetër“.

“Mendoj se nuk ka problem në këtë drejtim dhe nuk ka mundësi të bëhen mashtrime në ndërkohë, sepse numërimet kanë përfunduar”,
tha ajo, për të shtuar se kosovarët me këto zgjedhje kanë treguar se kanë arritur pjekurinë e duhur, e cila, sipas saj, mund t’i bindë disa nga shtetet tjera që të shikojnë në mënyrë pozitive për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Piter Feith, përshëndeti mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Uroj popullin e Kosovës për zhvillimin përgjithësisht të rregullt të zgjedhjeve lokale dhe për atmosferën e mirë dhe konstruktive që ka mbretëruar”.

“Kjo e ndihmon Kosovën në tranzicionin e saj drejt një shoqërie shumetnike dhe në përpjekjen e saj për të sjellë qeverisje më efektive dhe më afër popullit", thuhet në letrën e përfaqësuesit të BE-së.

"Puna e zellshme që është bërë deri më tani nga autoritetet e Kosovës, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të cilat këto ishin zgjedhjet e para për të cilat ato kanë pasur përgjegjësinë e plotë, si dhe përkushtimi dhe angazhimi rrënjësor i shoqërisë civile në vëzhgim ishin thelbësore për këtë rezultat pozitiv”.

“Secila ankesë do të trajtohet nga institucionet përkatëse në Kosovë, në veçanti nga Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) konform kornizës ligjore në fuqi", thuhet në njoftim.

Në vazhdim të komunikatës thuhet se: "Pjesëmarrja përgjithësisht e mirë në këto zgjedhje, përfshirë komunat e reja dhe nga radhët komunitetit serb të Kosovës, tregon se ka vullnet në mesin e të gjitha komuniteteve për ta marrë të ardhmen në duart e tyre dhe për ta ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme në Kosovë".

"Këto zgjedhje lokale paraqesin një hap thelbësor në angazhimin e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe stabile, duke kontribuar në bashkëpunimin rajonal drejt avancimit të mëtejmë të perspektivës evropiane si pjesë e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Zyrës së përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Piter Feith.

Zgjedhjet lokale, që u mbajtën për herë të parë në shtetin e Kosovës, janë vëzhguar, ndër të tjera, nga Rrjeti Evropian për Organizatat për Monitorimin e Zgjedhjeve - ENEMO.

Më 15 nëntor, ky mekanizëm vendosi 106 vëzhguesit e tij në 36 komunat në Kosovë, për të përcjellë procedurën e hapjes, atë të votimit dhe të numërimit.

Udhëheqësi i ENEMO-s, Darko Aleksov, tha se gjatë zgjedhjeve në Kosovë është përmbushur një pjesë e madhe e standardeve ndërkombëtare, porse mbesin disa sfida.

“Mund të ndaj me ju disa çështje që ishin pjesë e ditës së zgjedhjeve, por nuk do të doja që ne të definonim se a kanë qenë këto mashtrime apo jo”.

“Fshehtësia e votës nuk është respektuar gjithnjë. Në veçanti rastet e votimit në grup apo votimit familjar janë vërejtur në 33% të vendvotimeve, votimi i përafërt me 7% dhe tentimet për të ndikuar në votues në rreth 4%. Personat e paautorizuar kanë qenë prezentë në 7% të vendvotimeve dhe në 3% të vendvotimeve personat e paautorizuar kanë udhëhequr punën e komisioneve”,
tha Aleksov.

Bëhet e ditur se gjatë ditës së diel, vëzhguesit e ENEMO-s kanë vizituar 563 vendvotime në më shumë se 500 prej 746 qendrave të votimit dhe përcollën numërimin dhe transferimin e rezultateve te të gjitha 36 komisionet komunale zgjedhore.