Maqedonia ka pak gjasa që në samitin e dhjetorit të BE-së t’i caktohet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vlerësojnë ekspertët në Shkup, duke komentuar rrjedhën e negociatave për zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
Maqedonia dhe Greqia ndodhen larg zgjidhjes së kontestit rreth emrit, vlerëson ish-diplomati Mahi Nesimi, duke komentuar negociatat që po zhvillohen në Nju Jork për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës.
Pas takimit me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimic, negociatori grek, Vasilakis, ka thënë se pala greke nuk heq dorë nga kërkesa që zgjidhja të përmbajë një emër me prapashtesë gjeografike në përdorim të përgjithshëm. Nëse kjo nuk arrihet, sipas tij, Maqedonia nuk mund të shpresojë anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Ky qëndrim i palës greke, por edhe qëndrimi i asaj maqedonase se çdo zgjidhje e arritur duhet të verifikohet në referendum, kanë ulur në minimum gjasat që në samitin e dhjetorit të BE-së, Maqedonisë t’i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thotë Mahi Nesimi.
“Këto dy pozicione, që me këmbëngulje i mbrojnë të dyja shtetet, nuk japin shpresë që në një të ardhme të afërt mund të ndodhë diçka më përmbajtjesore. Nuk mendoj se më 7 dhjetor Maqedonisë do t’i caktohet datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, deklaron ish-diplomati Mahi Nesimi.
Ai thotë se faji për këtë dështim do të bie mbi palën maqedonase, e cila duhet të tregojë gatishmëri për zgjidhjen e kontestit, pasi pala greke, sipas tij, nuk ka se çfarë të humbë nga zvarritja e mëtejme e këtij problemi.
“Kështu në pritje, siç vepron Maqedonia, se koha do ta bëjë të veten, do të ishte vetëm një dështim i madh i politikës shtetërore që Maqedonia udhëheq lidhur me çështjen e emrit", vlerëson Nesimi.
Pushteti aktual, thotë ai, duhet të jetë i vetëdijshëm se mbi 90 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë për inkuadrimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe çdo dështim në këtë drejtim do të ishte edhe dështim i pushtetit të tanishëm, pasi besimin nga qytetarët e mori pikërisht për shkak të premtimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
“VMRO-DPMNE, respektivisht pushteti aktual, e ka fituar besimin në zgjedhje, përveç tjerash, edhe duke u thirrur në atë se përcaktim strategjik i saj është inkuadrimi i vendit në NATO dhe BE”.
“Mbi 90 % e popullatës në Maqedoni është për këtë opsion dhe çdo shmangie nga kjo ose vonim në këtë drejtim, është në kundërshtim me vullnetin e popullatës në Maqedoni”, thekson Mahi Nesimi.
Kryeministri Gruevski, në prononcimin e fundit për çështjen e emrit, tha se çdo pengesë që mund të bëjë Greqia për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të nënkuptohej si mosgatishmëri e Athinës për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.
Ndërkohë, partitë opozitare në vazhdimësi i kanë bërë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga ideja për referendum dhe të arrijë kompromisin me Greqinë, i cili do të zhbllokonte edhe procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE.