Telashet me të riatdhesuarit

Fotografi ilustruese

Misioni i OSBE-së në Kosovë, në raportin e fundit, u bën thirrje institucioneve kosovare që t’i koordinojnë veprimet mes nivelit qendror dhe atij lokal sa i përket ri-integrimit të personave të riatdhesuar në vend.


Qeveria e Kosovës hedh poshtë kritikat e fundit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Prishtinë për procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar.

Një raport i OSBE-së, i publikuar ditë më parë, flet për mungesën e koordinimit mes nivelit qendror dhe atij lokal sa i përket ri-integrimit të të riatdhesuarve në Kosovë dhe, po ashtu, thekson nevojën për zbatimin e strategjisë për këtë çështje, të cilën ekzekutivi kosovar e miratoi në tetor të vitit 2007.

Sidoqoftë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se zhvillimet e deritashme në procesin e riatdhesimit dhe ri-integrimit të njerëzve të kthyer, kanë shkuar në përputhje me strategjinë e miratuar më parë.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Duraku, shpjegon:

“Procesi i riatdhesimit është duke shkuar në përputhje me Strategjinë për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar dhe ne, si Ministri e Brendshme, jemi në rolin e koordinatorit”.

“Deri më tani nuk kemi pasur vështirësi. Në përgjithësi, procesi ka shkuar pa ndonjë vështirësi të madhe dhe shpresojmë që kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

Në prill të vitit 2008, Qeveria e Kosovës finalizoi Planin e Veprimit për Strategjinë për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar, që përfshin parashikimet buxhetore nga çdo ministri në fusha specifike të identifikuara në këtë dokument, pastaj detajet, rezultatet dhe veprimet konkrete të autoriteteve relevante qendrore dhe lokale, si dhe një afat kohor për zbatimin e strategjisë.

Drejtori i Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në OSBE, Kristofer Deker, thekson se institucionet kosovare duhet të përqendrohen në zbatimin e strategjive ekzistuese.

“Secila komunë ka strategjinë e saj, por tani bëhet fjalë për nevojën e zbatimit të kësaj strategjie. Këtu mendoj se institucionet kanë më shumë punë për të bërë”, thotë Deker.

Ky vlerësim përmendet edhe në raport, ku thuhet se janë bërë pak përpjekje në nivel qendror për të siguruar shpërndarjen adekuate të Strategjisë dhe Planit të Veprimit në të gjithë administratën publike, duke përfshirë atë të komunave.

Raporti, gjithashtu, vë në pah një kthim joproporcional të shtetasve të Kosovës në komunat e ndryshme në vend. Planifikimi buxhetor nga institucionet vendore dhe koordinimi në mes të shtetit të Kosovës dhe shteteve që kthejnë prapa kosovarët, sipas Dekerit, është i domosdoshëm.

“Po krijohet një problem komunikimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shteteve që do t’i kthejnë njerëzit”.

“Kjo mund ta komplikojë mundësinë e sigurimit të resurseve efikase dhe planifikimit të duhur, sepse buxhetet do të miratohen tani, apo janë miratuar para disa muajsh, për vitin e ardhshëm dhe nëse komunat nuk e dinë se sa njerëz do të kthehen, atyre u vështirësohet planifikimi i resurseve”,
thotë ai.

Sipas të dhënave të Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në vitin 2008 në Kosovë janë kthyer 2,550 njerëz, ndërkaq brenda periudhës janar-shtator të vitit 2009 janë kthyer 2,144 njerëz.

Këto të dhëna cilësohen si shqetësuese nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Behxhet Shala, mendon se situata aktuale ekonomike në Kosovë pamundëson ri-integrimin e personave të riatdhesuar.

“Refugjatët e kthyer këtu, nuk i kanë absolutisht as kushtet elementare për mbijetesë për disa muaj, e lëre më për integrim afatgjatë”, shprehet Shala.

Mirëpo, sipas zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Artan Duraku, riatdhesimi i kosovarëve është obligim i shtetit të Kosovës.

“Ne, si shtet, kemi obligim që ta marrim përgjegjësinë për shtetasit tanë, sidomos për ata që janë duke qëndruar ilegalisht në shtetet e Perëndimit. Në përputhje me marrëveshjet e ndryshme, të cilat janë duke u negociuar, procesi i riatdhesimit duhet të vazhdojë me këtë ritëm”, thekson Duraku.

Vështirësitë kryesore, në të cilat hasin personat e riatdhesuar në Kosovë, sipas raportit të OSBE-së, lidhen me gjendjen ekonomike, mirëqenien sociale, shërbimet në shëndetësi, edukimin dhe sektorë të tjerë në nivelin lokal.