Tiranë: Vështirësitë nga bojkoti i opozitës

Tiranë

Bojkoti i Kuvendit nga opozita ka vënë në vështirësi mazhornacën për miratimin e atyre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Shqetësimi lidhet kryesisht me reformën në drejtësi.



Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, thotë se opozita duhet të mbajë përgjegjësi për moskryerjen e kësaj reforme, nisur edhe nga rëndësia që ka ky proces për integrim të shpejtë evropian.

“Kushtetuta përcakton ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar – tri të pestat e votave. Në rastin konkret, mosardhja e opozitës në Kuvend e bën pothuajse të pamundur kalimin e këtyre ligjeve”.

“Kemi një ligj shumë të rëndësishëm – Ligjin për gjykatën administrative, që kërkon përsëri tri të pestat, një ligj shumë i kërkuar nga komuniteti i biznesit. Për sa kohë opozita nuk vjen, këto ligje nuk kalojnë. Por, edhe nëse vjen, duhet të ketë vullnet, se përsëri mund t’i bllokojë, siç ka ndodhur në më shumë se gjysmën e mandatit të kaluar”.

“Sistemi i drejtësisë është një hallkë shumë e rëndësishme në zgjidhjen e konflikteve. Nëse opozita nuk ka vullnet për të ardhur për të bërë reformën, duhet marrë atë që i takon”,
thotë Bumçi.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, thotë se nuk mund të flitet për reformë në drejtësi në një kohë kur, sipas tij, është cenuar thelbi i demokracisë, që janë zgjedhjet.

“Kini parasysh se çfarë po kërkojmë ne – një gjë që është kushtetuese, një hetim parlamentar. Për aq kohë sa ajo na mohohet, ç’rëndësi kanë problemet tjera, këtu kemi problem më themelor. Patjetër që ne kërkojmë t’u japim zgjidhje shumë problemeve në Shqipëri”.

“Prandaj, themi ‘hajde të gjejmë një zgjidhje politike për këtë’, ‘hajde të krijojmë mundësinë që të hedhim dritë mbi procesin zgjedhor', duke kryer transparencën nëpërmjet komisionit hetimor dhe pastaj t’i vazhdojmë me radhë edhe çështjet e tjera”,
thotë Gjiknuri.

Me gjithë mungesën e opozitës në vend dhe pamundësinë për të kaluar ligje që kërkojnë një shumicë prej tri të pestave të anëtarëve të Kuvendit, Bumçi thotë se nuk është rasti për të folur për krizë institucionale.

“A kemi krizë të mosfunksionimit të institucioneve? Jo, nuk kemi. Parlamenti nuk mund të funksionojë kur nuk ka kurmin e duhur, që është 50% plus 1 deputet. Ky kurm ekziston dhe kështu ne mund të vazhdojmë t’i kalojmë ligjet, të kalojmë çdo akt tjetër të rëndësishëm, përveç ligjeve me tri të pestat”.

“Qeverisja nuk ka krizë në këtë kuptim. Opozita nuk ka bojkotuar Kuvendin, ka bojkotuar qytetarët”,
thekson Bumçi.

Por, Gjiknuri thotë se vendi është në krizë – një fakt që, sipas tij, e tregon funksionimi i Parlamentit me legjitimitet të cunguar.

“Patjetër që jemi përballë një krize politike, një krize institucionale, një krize të vetë shtetit për aq kohë sa gjysma e shoqërisë e quan ilegjitime shumicën që pretendon të qeverisë vendin”.

“Për aq kohë sa Parlamenti është me legjitimitet të cunguar, patjetër që është krizë”,
thotë Gjiknuri.

Dy muaj nga bojkoti i Kuvendit, debati pozitë-opozitë vijon të jetë në të njëjtën pikë. E hapur për opsionin për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, mazhoranca refuzon hapjen e kutive të votimit, me arsyetimin se kjo shkel kompetencat e sistemit gjyqësor.

Aldo Bumçi kujton madje dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003, sipas të cilit, objekt i shqyrtimit të komisionit hetimor nuk mund të jenë çështje të gjykuara apo në gjykim.

“Ne jemi treguar shumë të gatshëm për të krijuar komision hetimor, të hetojë gjithçka, por jo atë që është mbi ne. Nuk mund të kërkohet nga ne dera që hap kutitë. Ka një proces ligjor që ka vendosur dhe ne nuk mund të shkelim Kushtetutën dhe ligjin, ku thuhet haptas se si dhe çfarë funksionesh kanë komisionet hetimore”, shpjegon Bumçi.

Por, Gjiknuri thotë se kërkesa e socialistëve është tërësisht ligjore kushtetuese.

“Ne atë po kërkojmë – hajde të kryejmë një hetim të plotë nëpërmjet këtij komisioni, pa kërkuar kthim të rezultatit, pa ndërhyrë në punët e gjyqësorit dhe jo ashtu siç keqpërdoret nga mazhoranca, sepse ka një keqinterpretim. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për ata që duan ta lexojnë, është i qartë”.

“Komisioni parlamentar nuk mund të hyjë në mënyrën se si është nxjerrë vendimi gjyqësor. Vetë vendimi gjyqësor nuk ka të bëjë thjesht me numërimin, nuk ka kryer numërimin gjykata”.

“Ne, çfarë po kërkojmë, është të shikojmë këtë dokumentacion, fletët e votimit që janë aty, pa nxjerrë një numërim për efekt të ligjit, për rezultate. Thjesht, për të adresuar problemet që do t’i ketë reforma zgjedhore nesër”.