Secili të vendosë për votën

Qytetarët e Kosovës duhet të vendosin për veten e tyre; ata nuk duhet të lejojnë që të ndikohen nga jashtë. Kështu tha shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, pas një takimi që zhvilloi me kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka përsëritur thirrjet për pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Thirrjet për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare në Prishtinë dhe liderët e serbëve në veri të Kosovës, duket se nuk vlerësohen si kërcënuese për procesin zgjedhor nga përfaqësues të ICO-së.

Shefi i këtij misioni, Piter Feith, shprehu bindjen se zgjedhjet e nëntorit do të jenë, siç tha ai, një test për institucionet dhe qytetarët e vendit, të cilëve u kërkoi që të mos ndikohen nga mesazhet e jashtme.

“Në të vërtetë, nuk kam dëgjuar thirrje për bojkot. Kemi dëgjuar disa mesazhe që vinin në Kosovë nga jashtë. Ajo që është me rëndësi, është që qytetarët këtu do të vendosin për veten e tyre”.

“Kam udhëtuar mjaft nëpër Kosovë, kam parë shumë njerëz në bashkësitë e ndryshme dhe ata duket të jenë të gatshëm që të vendosin për veten e tyre dhe të mos e lejojnë veten që të jenë të këshilluar apo ndikuar nga jashtë. Pra, mendoj se kjo është një predispozitë e shëndoshë dhe e çmoj lartë”,
tha Feith, pas një takimi me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta.

Mirëpo, thirrjet për bojkotimin e zgjedhjeve, drejtuar serbëve të Kosovës, erdhën kohë më parë nga Këshilli Nacional Serb (KNS) për veriun e Kosovës, i cili u kërkoi të gjithë kandidatëve që t’i tërheqin kandidaturat.

Feith tha se veprimet e tilla nuk përputhen me vlerat evropiane e as me interesat e vetë qytetarëve të komunave në vend.

“Nuk do ta quaja pjesë të vlerave tona evropiane. Ne, në Bashkimin Evropian, mendojmë (dhe jam i sigurt që zonja Lushta pajtohet) që secilit qytetar t’i lejohet të votojë sipas dëshirës, veçanërisht në zgjedhjet lokale, ku po flasim për kërkesat në komuna sa i përket infrastrukturës, shëndetësisë, edukimit dhe të tjera”.

“Kjo çështje nuk lidhet me statusin, por ka të bëjë me problemet dhe perspektivën e ardhshme të komunave”,
u shpreh Feith.

Bisedat e tij me kryetaren e KQZ-së u fokusuan në tri çështje: vendosjen e vendvotimeve nëpër territorin e Kosovës, të drejtën e qytetarëve për të votuar, si dhe në listën aktuale të votuesve potencialë, në të cilën, sipas tij, figuron një numër që nuk përputhet me numrin real.

Andaj, sqaroi Feith, numri i votuesve që do të dalin në zgjedhje, do të mund të duket shumë më i vogël krahasuar me listat zgjedhore. Sidoqoftë, ai theksoi se votuesit kosovarë do të kenë mundësi të votojnë për kandidatët e preferuar për komuna në të gjithë vendin.

“Do të ketë vendvotime gjithkund dhe të gjithë votuesit do të jenë të informuar me kohë se ku do të jenë këto vendvotime”,
tha Feith, duke i quajtur të rëndësishme zgjedhjet e ardhshme lokale si zgjedhjet e para që po mbahen në shtetin e Kosovës.

Për suksesin e tërë procesit elektoral u zotua dhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta.

“Besojmë vërtet se do t’ia dalim me përgatitje të suksesshme”, tha ajo.

Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të drejtë vote kanë 1.5 milion qytetarë, të cilët do të mund të zgjedhin preferencën e tyre nga 76 subjekte politike, prej të cilave 21 janë serbe.

Këto zgjedhje, është parashikuar të mbahen dhe në tri komunat e reja me shumicë serbe: Graçanicë, Kllokot dhe Ranillugë, ndërsa tashmë është bërë e ditur se zgjedhjet lokale nuk do të zhvillohen në komunën e re të Parteshit dhe atë të Mitrovicës veriore.