Përfaqësues të organizatave politike e socio-ekonomike joqeveritare në Prishtinë thonë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë intensivisht në përmirësimin e imazhit të vendit në botë.
Kosova, edhe 10 vjet pas përfundimit të luftës dhe pas më shumë se një viti që nga shpallja e shtetësisë, nuk ka mundur të heqë imazhin e një vendi jostabil në botë, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë.
Fushata mediale për përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, e iniciuar nga Qeveria e Kosovës, sipas tyre, është e pamjaftueshme për të nxitur interesin ndërkombëtar për investime apo bashkëpunim në fusha të ndryshme.
Përfaqësuesja e Klubit për Politikë të Jashtme, Leonora Kryeziu, thotë se raportet e fundit të mekanizmave ndërkombëtarë për Kosovën, që pasqyrojnë problemet e brendshme të vendit, kanë ndikuar negativisht në imazhin e Kosovës në botë.
“Imazhi nuk përmirësohet vetëm me reklama televizive. Imazhi i Kosovës gjithsesi duhet të përmirësohet me një fushatë diplomatike shumë të fuqishme”.
“Pavarësisht numrit të njohjeve apo të shteteve që do të na njohin, ne duhet të krijojmë marrëdhënie me shtetet që na kanë njohur, në mënyrë që të lëvizim drejt përmirësimit të imazhit”, thekson Kryeziu, për të shtuar se një problem shtesë në këtë drejtim përbën vetë fakti i shqyrtimit të legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë - proces ky i iniciuar nga Beogradi zyrtar.
Qeveria serbe dhe aktivitetet e saj në diplomacinë botërore në lidhje me Kosovën, sipas zyrtarëve të ekzekutivit kosovar, kanë ndikuar më së shumti në krijimin e imazhit aktual të Kosovës në botë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasiqi, mendon se shteti serb ka degjeneruar imazhin e Kosovës përmes, siç thotë ai, propagandës, gënjeshtrave dhe tentimit për paraqitjen e një realiteti të pavërtetë për Kosovën.
Krasniqi shpreh bindjen se fushata mediale, e cila ka filluar me lansimin e spotit televiziv në televizionet ndërkombëtare, është një hap i sigurt për përmirësimin e imazhit aktual të Kosovës në botë.
“Ky është një projekt multidimensional, shumë kompleks, ndërsa reklama është vetëm hapi i parë në drejtim të projektit, i cili do të zgjasë për një kohë më të gjatë e që do të ketë komponentë dhe forma të tjera të marketingut dhe të popullarizimit të Kosovës”, pohon Krasniqi.
Ky qëllim mund të arrihet vetëm duke forcuar institucionet kosovare dhe duke përmirësuar punën e tyre, shpjegon drejtuesja e Iniciativës Kosovare për Stabilitet , Engjëllushe Morina, organizata e së cilës, kohë më parë, publikoi një raport për imazhin e Kosovës në botë.
Morina thotë se luftimi i dukurive, si korrupsioni apo trafikimi me qenie njerëzore, është i domosdoshëm për të dëshmuar synimin e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
“Duhet të punojmë shumë në forcimin e institucioneve tona që të transmetojmë sinjale pozitive jashtë Kosovës. Duhet të bëjmë përpjekje që të vëmë në funksion traditat demokratike. Duhet, në të njëjtën kohë, të reflektojmë tolerancë ndër-etnike”, thotë Morina.