Ngjarjet e javës
24 tetor '09 - Në Afganistan zyrtarisht ka filluar fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 7 nëntor. Në garë janë presidenti aktual, Hamid Karzai, dhe ish-ministri i Jashtëm, Abdullah Abdullah.
25 tetor '09 - Të paktën 132 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 500 janë plagosur nga dy shpërthime të fuqishme të automjeteve në qendrën e Bagdadit.
26 tetor '09 - Një person, i cili besohet të jetë i përfshirë në trafikimin e njerëzve që mendohet se kanë humbur jetën në tragjedinë e lumit Tisa, është vetëdorëzuar në polici.
26 tetor '09 - Unioni Evropian i Transmetuesve ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e akuzuar se Radio-Televizionin e Kosovës e ka shndërruar në “krah medial të partisë në pushtet”.
26 tetor '09 - Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, nuk mori pjesë në seancën gjyqësore. Ai përballet me 11 akuza, mes të cilave dhe me atë për gjenocid në masakrën e Srebrenicës.
26 tetor '09 - Policia ka përdorur armët për të shpërnadarë protestuesit në Kabul. Protestuesit ishin mbledhur në shenjë pakënaqësie ndaj informacioneve se trupat e huaja në vend kishin treguar shenja të mosrespektit ndaj Kuranit.
26 tetor '09 - Serbia dhe Turqia thanë se marrëdhëniet e tyre janë më të mira se kurrë më parë, derisa të dyja palët ballafaqohen me pengesa në synimet e tyre për anëtarësim në BE. Këto komente i bënë gjatë takimit të tyre në Beograd, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe ai i Turqisë, Abdullah Gyl.
27 tetor '09 - Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk është shqyrtuar kërkesa e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, vendi i të cilit ka presidencën e rradhës të BE-së, tha se shkaqet e mosshqyrtimit janë vetëm teknike.
27 tetor '09 - Ish-kryetarja e Republikës Serbe të Bosnjës, Bilana Pllavshiq, u lirua nga burgu, pasi vuajti dy të tretat nga dënimi 11-vjeçar për krime të luftës.
28 tetor '09 - Tribunali i Kombeve të Bashkuara ka shqyrtuar apelin kundër lirimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. “Gjykata e shkallës së parë nuk ndërmori masa të duhura që gjykimi të ishte i drejtë për të dyja palët”, transmetuan agjencitë prokurorin Peter Kremer.
28 tetor '09 - Të paktën 105 njerëz kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 janë plagosur nga sulmi me automjet-bombë në një treg në qytetin veriperëndimor të Peshavarit, në Pakistan.
28 tetor '09 - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, vizitoi Pakistanin. Klinton tha se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Pakistanit “të gjithë ndihmën e nevojshme” në luftën kundër ekstremizmit.
28 tetor '09 - Angela Merkel formalisht u zgjodh kancelare e Gjermanisë për një mandat të dytë nga Parlamenti gjerman.
28 tetor '09 - Premiera e filmit dokumentar të koncertit të Majkëll Xheksonit “This is it” është shfaqur në 18 vende të pesë kontinenteve. Dokumentari përmban 100 orë të videomaterialit te ikonës së pop muzikës, kur po përgatitej për rikthim në skenë.
29 tetor '09 - Mediat iraniane kanë njoftuar se Irani ia ka prezantuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Vjenë përgjigjen e tij ndaj projekt-marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore. Agjencia ISNA ka cituar emisarin iranian në agjencinë, Ali Asgar Soltanie, të ketë thënë se “Irani ka kërkuar plotësime teknike dhe ekonomike”.
29 tetor '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka qëndruar në bazën e ushtrisë amerikane Dover, në shtetin Delauer, për të nderuar kthimin e ushtarëve të rënë në luftë.
29 tetor '09 - Kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, Jorgos Papandreu dhe Nikolla Gruevski, kanë biseduar në Bruskel për zgjidhjen e kontestit rreth emrit. Takimi ishte i vështirë, por i dobishëm dhe i suksesshëm, kanë cituar mediat e Maqedonisë burime të kabinetit të Gruevskit.
30 tetor '09 - Presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus, ka pranuar në Pragë një peticion me 20 mijë nënshkrime të njerëzve nga mbarë Evropa, që kurrsesi të mos e nënshkruajë marrëveshjen e Lisbonës dhe të pengojë që reforma e institucioneve evropiane të hyjë në fuqi vitin që vjen.
30 tetor '09 - Liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord në samitin në Bruksel që të kontribuojnë deri në 50 miliardë euro në vit për t’i ndihmuar vendet në zhvillim që t’u përshtaten ndryshimeve të klimës.
30 tetor '09 - Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Ukrania përsëri mund të ketë probleme me furnizimin me gaz dhe përsëri për shkak të mospagesës. Putin ka theksuar se edhe Bashkimi Evropian nuk i ka akorduar ndihmën Ukrainës, sepse nuk ia dha Kievit paratë e premtuara.
30 tetor '09 - Më shumë se 5.7 milionë amerikanë janë infektuar nga virusi H1N1 që nga fillimi i pandemisë, kanë bërë të ditur shërbimet sanitare të SHBA-ve.