Gara për Pejën

Pamje në Pejë

Zhvillimi ekonomik, turizmi dhe përmirësimet në infrastrukturë janë prioritetet e planeve të kandidatëve që garojnë për postin e kryetarit të Pejës, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Qytetarët e kësaj komune shprehen pesimistë për ndryshimet eventuale pas këtyre zgjedhjeve.

Numri pothuaj minimal i posterëve të kandidatëve që garojnë për kryetar komune, intensiteti i shtuar i punës së kompanive për ndërtimin e rrugëve dhe, krahasuar me qendrat e tjera kosovare, një qetësi e pazakontë në qytet, karakterizojnë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Komunën e Pejës.

Dinamika e aktiviteteve për fushatën e këtyre zgjedhjeve mund të vërehet kryesisht nëpër zyrat e partive kryesore politike, të vendosura në pjesën e quajtur Burma, në qendër të Pejës, apo në manifestimet sporadike të subjekteve politike.

Në nëntor, 89,156 votuesit potencialë të Pejës do të kenë mundësi të zgjedhin njërin nga kandidatët për kryetar komune dhe të preferuarit e tyre për asamblenë komunale.

Pritjet për përmirësime në infrastrukturë, në furnizimin me energji elektrike dhe me ujë, pastaj në shërbimet publike, në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, si dhe të tjera, nuk janë të mëdha, thonë qytetarët e Pejës.

Luljeta Gjota mendon se problemet aktuale në fusha të ndryshme nuk janë trajtuar në mënyrë adekuate nga qeveritarët lokalë.

“Sa janë zgjedhjet, po premtojnë shumë. Pas zgjedhjeve po fillon e njëjta këngë”, thotë ajo.

Burim Morina thotë se problemet, si: papunësia, mungesa e energjisë elektrike dhe të tjera, janë evidente, porse nuk mund të priten përmirësime.

“Nga zgjedhjet? Asgjë. Absolutisht asgjë”, shprehet ai.

Safet Vukli është më optimist, por thekson nevojën për ekzistimin e një strategjie të caktuar zhvillimore nga struktura e ardhshme udhëheqëse e Komunës së Pejës.

“Ka përmirësime në Pejë, në qytet e në fshatra. Kjo është pozitive, por tash duhet të veprohet në lëmi të tjera me një plan dhe me një strategji”, thotë Vukli.

Zotimet për posedimin e strategjive konkrete, vizionit të qartë dhe programeve të zbatueshme theksohen nga pesë kandidatët kryesorë që garojnë për postin e kryetarit të Komunës së Pejës.

Kryetari aktual, Ali Berisha, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpalos planin e tij, me të cilin synon të fitojë dhe një mandat në krye të Pejës.

“Do të jemi të përkushtuar që të kemi zgjerim të këtij rrjeti të ujësjellësit në Komunën e Pejës. Besojmë se në afatin dyvjeçar asnjë rrugë e Pejës nuk do të mbetet e pashtruar me asfalt dhe të gjitha qendrat rurale do të jenë të lidhura me asfalt dhe me Komunën e Pejës”.

“Gjithashtu, përmes një projekti do të jetë i rregulluar shtrati i lumit dhe në dy vjetët e ardhshëm do t’i përkushtohemi më tepër zhvillimit ekonomik. Dy janë drejtimet kryesore të zhvillimit - është agrobiznesi dhe turizmi”,
thotë Berisha, i cili në zgjedhjet e 2007-ës erdhi në krye të komunës pas balotazhit me kandidatin e Partisë ORA, Gazmend Muhaxheri, partia e të cilit atëkohë fitoi 17,7 për qind të votave.

Muhaxheri ka vendosur të garojë edhe në zgjedhjet e nëntorit për të jetësuar, siç thotë ai, planin zhvillimor komunal për Pejën, të hartuar kohë më parë.

“Ata e kanë ndarë Komunën e Pejës në tri pjesë: në pjesën ku do të zhvillohet turizmi - këto janë Bjeshkët e Rugovës; qytetin e Pejës ku do të zhvillohet industria e lehtë e shërbyese dhe hotelet, dhe pjesën tjetër ku do të zhvillohet bujqësia - këto janë Lugu i Leshanit, Lugu i Tërstenikut, Lugu i Baranit dhe pjesa e Vitomiricës që shkon kah Istogu”.

“Konform këtij planifikimi ne kemi bërë shpërndarjen e buxhetit”,
thekson Muhaxheri, duke shtuar se ORA tashmë ka planifikuar menaxhimin e buxhetit të komunës për projekte të caktuara.

Ndonëse pa përmendur shifra konkrete, të njëjtin zotim e jep dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilhami Gashi, i cili thotë se programi i partisë së tij do të përqendrohet në tri shtylla.

“Zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe blegtoria janë resurse të përhershme të Pejës, por në dhjetë vjetët e fundit, në këtë aspekt, përveç premtimeve, nuk ka pasur veprime konkrete. Vizioni im është i qartë dhe përmbahet me tri fjalë: për Pejën e gjelbër, të pastër dhe të zhvilluar”, thotë Gashi.

Ndërkohë, kandidati për kryetar të Pejës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Bërdyna, shpjegon prioritetet e LDK-së për Pejën.

“Për të pasur një zhvillim ose punësim të të rinjve, mendojmë të zhvillojmë turizmin dhe bujqësinë, duke mos e harruar bashkëpunimin me komunitetin e biznesit - pra, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

“Projektet i kemi për çdo fushë, prej infrastrukturës, ujit të pijes, kanalizimit, turizmit, bujqësisë, blegtorisë, pastaj për rini, sport, kulturë, çdo gjë që i takon një qyteti siç është Peja”,
thotë Bërdyna.

Një numër i konsiderueshëm i banorëve të Pejës nga komuniteti boshnjak, si opsion eventual për votën e tyre do ta kenë Fahredin Mexhetoviqin nga Partia e Aksionit Demokratik.

“Unë mendoj se një nga çështjet parësore, me të cilat do të merret partia jonë, është luftimi i varfërisë dhe mjerimit, sepse ato kanë shtyrë një numër të madh njerëzish në prag të ekzistencës fizike”, thotë Mexhetoviq.

Ai shton se do të angazhohet për realizimin e të drejtave të qytetarëve, për uljen e shkallës së papunësisë, veçanërisht për punësimin e përfaqësuesve të bashkësisë së tij në drejtoritë e shërbimeve civile të komunës, pastaj për çështjen e furnizimit me energji elektrike, hapjen e një bashkësie lokale në Vitomiricë, hapjen e qendrës multietnike në Pejë dhe të tjera.